in

Qira në të zezë? Nga sot të leverdis ta denoncosh

Kontratë katër plus katër dhe me çmim të ulët për të gjithë ata që i drejtohen Agjencisë për të ardhurat. Sunia: “Vetëm 15% e imigrantëve kanë kontratë qiraje të rregullt”

Romë, 7 qershor 2011 – një kontratë qiraje që zgjat shumë dhe kushton pak. Ky është çmimi që nga sot mund të fitojnë të gjithë qiraxhinjtë “në të zezë” nëse denoncojnë këtë situatë në Agjencinë e të Ardhurave (zyra e tatim-taksave) dhe regjistrojnë kontratën.

Kjo është shkruar në dekretin mbi federalizmin municipal, në fuqi që prej 7 prillit. Ligji i ri kërkon t’u kundërvihet ashpër formave të ndryshme të kontratave të parregullta: të pashkruara e të paregjistruara, të shkruara por të paregjistruara, të regjistruara me shifra më të ulëta se qiraja e vërtetë, të regjistruara si “përdorim banese falas” kur qiraxhiu paguan rregullisht çdo muaj.

Pronarët e shtëpive kishin 60 ditë kohë, afat që përfundoi dje, për të marrë masat. Duke nisur nga sot, kush zbulohet, jo vetëm do të paguajë gjoba të majme por do të jetë edhe i detyruar të lidhë me qiraxhiun një kontratë afatgjatë: për katër vjet të ripërtërishme për katër të tjerë, me një vlerë sa trefishi i vlerës së shtëpisë së parashikuar në kadastër, që është deri në 80% më e ulët se vlerat e qirasë në tregun e sotëm.

Kjo mundësi prek nga afër të huajt në Itali që në pjesën dërrmuese të tyre jetojnë në shtëpi me qira. Shumë shpesh pa kontratë apo më një kontratë që nuk përpuqeshin me të vërtetën, po të mbahet parasysh, për shembull, studimi “Gli immigrati e la casa” i botuar dy vjet më parë nga Sindikata kombëtare e qiraxhinjve, Sunia.

Ndër njëmijë të huaj të intervistuar nga Sunia, rreth 15% kishin një kontratë të regjistruar me vlerën e vërtetë të shumës që paguanin çdo muaj, në 46% të rasteve pronarët deklaronin një shumë më të vogël, ndërsa në 39% kontrata as që ishte fare e regjistruar. Sindikata përllogariste asokohe një evazion fiskal prej 1,1 miliardë euro.

“Veçanërisht mes të huajve vërehet shpesh frikë e respekt bashkë ndaj pronarëve të shtëpive. Nuk duan t’i bëjnë armiq nga frika mos i dëbojnë. Besoj sidoqoftë që normat e reja do të shtyjnë shumë vetë të denoncojnë këto situata: një apartament që sot në periferi të Romës kushton 800 euro në muaj në të zezë, pas denoncimit dhe regjistrimit të kontratës do të ushtonte vetëm 150 euro” shpjegon për stranieriinitalia.it avokati Aldo Rossi, sekretar kombëtar i Sunia-s.

Si duhet të veprojë dikush që ka një qira në të zezë? “Para së gjithash duhet të verifikojë përmes shërbimeve telematike të Agjencisë për të Ardhurat nëse qiraja është apo jo e regjistruar, ndoshta edhe këto ditët e fundit, dhe me ç’shumë mujore. Vetëm me një kuadër të qartë të situatës, mund të shkohet përpara me denoncimin. Sidoqoftë rastet vlerësohen një e nga një, dhe është mirë që të interesuarit të kërkojnë ndihmë të shoqatave si e jona” këshillon Rossi.

Natyrisht, kjo rrugë mund të ndiqet nga të huajt me qëndrim të rregullt. Ligji ndalon që t’u jepet shtëpia me qira klandestinëve dhe ndëshkon pronarët me arrestim dhe konfiskimin e apartamentit. Një i huaj klandestin që përpiqet të regjistrojë kontratën me procedurën e re, nuk do të fitonte një qira më të leverdishme por vetëm fletën e dëbimit nga Italia.

Elvio Pasca

Lista e pasaportave biometrike të gatshme në Romë

“Ballkan Pazar” në kinematë italiane