in

Banka e Shqipërisë, 100 vjet histori

U ngrit në vitin 1913 falë marrëveshjes së qeverisë së Ismail Qemalit me një bankë italiane dhe një austriake, por vetëm në shkurt të vitit 1926, u bë edhe emetimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare. Më 3 janar 1945, u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar, që i dha atributet e një banke qendrore dhe ato të një banke tregtare njëkohësisht, ndërsa institucioni i sotëm bazohet në ligjin e vitit 1992, të rishikuar më pas, gjithnjë sipas modelit të bankave qendrore të vendeve perëndimore

Institucioni i bankës Qendrore të Shqipërisë u ngrit për herë të parë në vitin 1913. Ajo u krijua si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit me Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana. 

Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1925, ajo e rifilloi veprimtarinë e saj me emrin Banka Kombëtare e Shqipërisë, me qendër administrative në Durrës dhe me Komitetin Administrativ në Romë.

Rimëkëmbja e bankës u bë realitet si rezultat i marrëveshjes së Zogut me një grupi financiar italian. Në shkurt të vitit 1926, u bë edhe emetimi i monedhës së parë kombëtare shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua frangu ar. Në vitin 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar miratoi ligjin mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj, i cili i hapi rrugë shtetëzimit të Bankës. 

Në 3 janar 1945, u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar, me atributet e një banke qendrore dhe ato të një banke tregtare njëkohësisht. Pas luftës së dytë botërore deri në vitin 1990, Banka e Shtetit Shqiptar mbështeti programin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Në fund të vitit 1990, transformimi nga një ekonomi shtetërore në një ekonomi tregu i dha jetë sistemit bankar dynivelësh në Shqipëri. 

Së fundi, më 22 prill 1992, u krijua Banka e Shqipërisë nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 7559, “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili u rishikua më vonë sipas modeleve të vendeve perëndimore e rekomandimeve të organizmave ndërkombëtarë.

Novara. Kërkon të freskohet në ujërat e Ticinos, por gjen vdekjen

Shqiptarët, një ushtri për Garibaldin