in

Banka e Shqipërisë: Bien remitancat e emigrantëve

Në tremujorin e parë të këtij viti, prurjet valutore nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit arritën në 116 milionë euro, nga 167 milionë që sollën në të njëjtën periudhë të një viti më parë, e thënë ndryshe, mbi 30% më pak. Kryesisht për shkak të thellimit të krizës në Greqi e Itali, shtetet kryesore prej nga dalin remitancat me destinacion Shqipërinë

Tiranë, 12 qershor 2013 – Tremuajorin e parë të vitit, të ardhurat nga emigrantët kanë pësuar rënien më të madhe që nga kriza e vitit 2008. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë prurjet valutore nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit arritën në 116 milionë euro, nga 167 milionë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 30% më pak.

Shkaqet e kësaj situate duhen parë në krizën e rëndë ekonomike që po kalojnë Italia dhe Greqia, nga bëhen kryesisht dërgesat më të mëdha në valutë të emigrantëve.

Në fakt, sipas Mapo.al, Banka e Shqipërisë vë në dukje se zonat ku remitancat kanë rënë më shumë janë ato, qytetarët e të cilave kanë emigruar në vendet që sot vuajnë më shumë krizën. Kështu, Shqipëria e Mesme dhe e Jugut, ku mbizotëron emigracioni në Itali dhe Greqi, po vuajnë më shumë rënien e remitancaveve. Ndryshe ndodh me ato zona të Shqipërisë si qarku i Kukësit, ku përfshihet Hasi dhe Tropoja, me nivel të lartë emigracioni në Britani, vend me ekonomi më të shëndetshme se Italia e Greqia.

Mapo.al vë në dukje gjithashtu se ekziston edhe një faktor tjetër që justifikon këtë rënie: “Vitin që shkoi shumë emigrantë që jetonin në Greqi u zhvendosën në atdhe, duke sjellë me vete edhe një pjesë të kursimeve të tyre. Ky në fakt ishte edhe shkaku pse vitin që shkoi, rënia e prurjeve të emigrantëve ishte pothuajse e papërfillshme. Por këtë vit, të paktën si tremujor, treguesi ka shënuar një rënie të thellë”.

Por nga ana tjetër, asnjë ent qeveritar nuk di të thotë sa janë të kthyerit nga emigracioni. Janë vërtet aq të shumtë në numër sa të ndikojnë kaq fort në rënien e prurjeve në valutë. Pasi, e parë nga emigracioni, rënia mund të shihet, të paktën pjesërisht, edhe si pasojë e ngulitjes së emigrantëve në vendet ku kanë shkuar, dhe ku kanë tërhequr ndërkohë familjarët e tyre apokanë ngritur aty familje e dërgojnë gjithnjë e më pak në atdhe.

Dy të rinj shqiptarë gjenden të vdekur. Njëri i djegur, tjetri i mbytur

Gjykata Kushtetuese: “Shërbimet sociale nuk duhet të varen nga vjetërsia e rezidencës”