in

Bardha, portret i njërës prej nesh

Bardha është ekonomiste. Jeton në Romë me të shoqin e dy fëmijët. Jonën që është diplomuar në ekonomi dhe aktualisht po ndjek një master 2 vjeçar në Suedi dhe Besin që studion “Shkencat politike” në Universitetin e Romës, “La Sapienza”

 

bardha_pajenga.gifMe Bardha Pajengën jam njohur vite më parë këtu në Romë, në një veprimtari për gratë të organizuar nga “Occhio Blu”. Miqësia jonë lindi menjëherë. Filluam të bisedojmë dhe të gëzoheshim si fëmijë kur i tregonim njëra-tjetrës për veten tonë. Menjëherë vumë re se kishim shumë gjera të përbashkëta. Bardha është e martuar me Muharrem Abazin dhe ka dy fëmijë. Jona që është diplomuar në ekonomi dhe aktualisht po ndjek një master 2 vjeçar në Suedi dhe Besi që studion “Shkencat politike” në Universitetin më të vjetër të Romës: “La Sapienza”.

Ndodh që njeriu provon një mall të madh për vendin e prejardhjes, për gjuhën e tij apo thjesht për vitet e rinisë dhe në këto raste na ka mjaftuar shëtitje në rrugët e dhe sheshet e mrekullueshme të Romës, që të na bëjë të ndjehemi si në shtëpinë dhe vendin tonë.

M’u kujtua që Jona më tregonte “Teta Lili, unë mrekullohem kur shikoj mamin që është e përgatitur të përballojë ç’do lloj gjendje, lumturohem kur e shikoj tani që punon si menaxhere në një ndërmarrje të Romës. A e di teta Lili se si e festova unë 20 vjetorin? Ishte një befasim i vërtetë. Në një sallë të madhe, sapo hyra dëgjova këngën e Vaçe Zelës. “Sot jam 20 vjeç” dhe pashë fytyra bashkëatdhetarësh të njohura dhe të panjohura…nuk di ç’të them…çfarë feste është bërë!” – “Sa bukur, Jona!” – i thashë.

Ja, me këto mendime po shkoja drejt vendtakimit. Dhe pikërisht në Metro Piramide, në orën e caktuar, e shikoj Bardhën që afrohet me makinën e ndërmarrjes. Ndalon makinën, hap derën dhe me të qeshurën e saj të veçantë me fton të futem brenda. “Duhet të nxitojmë, kam një punë që nuk pret”, thotë.

Nisemi dhe une e ftoj të më flasë edhe një herë për “këtë jetën e saj italiane”.

Fillon të tregojë se si mbërriti në Romë, me dy fëmijët e vegjël të cilët duhet t’i shoqëronte vetë në shkollë, Memi (bashkëshorti) atë kohë ishte në Tiranë, për më tepër duhet të shoqëronte në spital, Giovannin, të zotin e shtëpisë të cilit edhe sot e kësaj dite i është shumë mirënjohëse dhe me thote se pa mesuar makinën, nuk do t’ia kishte dalë dot mbanë.

Erdha në Itali në fillim të viteve ’90-të, vijon ajo. Të kishe mundësi të ikje nga Shqipëria në atë kohë quhej si fat i madh. Gjendja ndryshonte me një shpejtësi të papërfytyryueshme. Unë punoja në Komitetin e Shkencës si shefe llogarie. Rrethanat ishin të tilla që më detyruan të largohesha nga vendi. Fillimisht shkova në Pisa, ku ishte vendosur një vit më parë vëllai i bashkëshortit. Në një udhëtim familjarisht me tren për në Shqipëri ku u takuam krejt rastësisht me Giovannin, që përmenda më lart, ndryshoi krejtësisht rrjedha e jetës së familjes sime. Dhe, të them të vërtetën e quaj një takim fatmadh. Në Pisa ishim pa dokumente, fëmijët në moshë shkollore, por që nuk shkonin në shkollë. Pikërisht nga ai takim me zotin Giovanni, që, kur na pa të katërt, me sa dukej përftoi idenë e familjes së bashkuar, siç jemi. Si ndodh zakonisht në raste të tilla, bashkëbisedimi që filloi gjatë udhëtimit, si pa kuptuar kishte nxjerrë në pah vështirësitë tona në Itali. Giovanni, farmacist, me ide socialiste, siç mësuam më vonë, ndiqte me interes nëpërmjet medias gjendjen në Shqipëri, filloi të na bënte pyetje të hollësishme dhe, me sa duket, kuptoi rrethanat tona të vështira dhe na ofroi ndihmën e tij. Më ofroi një punë pranë familjes së tij ndërkohë që fëmijët i regjistroi në shkollë dhe kështu rregulloi dhe problemin e dokumenteve. Nuk më besohej, më dukej vetja si në ëndërr. Ti e di si jemi ne nënat shqiptare, që në radhë të parë mendojmë për fëmijët. (M’u kujtua se diku kisha lexuar që një shkrimtare franceze mbas një udhëtimi në Shqipëri, pasi kishte ndjerë vetëmohimin e nënës shqiptare ishte shprehur: Do të doja të kisha për nënë një grua shqiptare). Dhe kështu fillova të punoja si “badante”. Për mua ishte punë, shtëpinë e shikoja si shtëpinë time, marrëdhëniet me Giovannin, një zotëri i vërtetë, arrinin deri aty sa për të ishte kënaqësi që të ftonim dhe njerëzit tanë në raste festash dhe të ndjeheshim si në shtëpinë tonë.

Kështu u sistemuam familjarisht në shtëpinë e tij. Ai jeton vetëm në një shtëpi të madhe, fëmijët e tij kanë familjet e tyre. Kështu më duhej të merrja menjëherë patentën. Nuk e kisha të lehtë të mësohesha me rrugët dhe qarkullimin e Romës. Gëzimi që fëmijët filluan të arsimohen, si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në botë, në një vend europian, që njihet për kulturën e tij të lashtë, më ndihmuan dhe pak nga pak fillova të ndjehem gjithmonë e më shumë në vendin dhe në shtëpinë time.

E pyes si arriti të bëhet ekonomiste në një koncesionare të Fordit në Romë. Duke qeshur më thotë: “Po, ja do arrij, ja është bërë shkak makina. Është e pamundur të ngasësh makinën si shofere fillestare në Romë dhe mos të bësh aksident, por për fatin tim pa dëme. Më ndodhi që bëra dy aksidente njëri pas tjetrit dhe kështu njoha personat ku punoj tani.

Ndërkohë kemi mbërritur në vendin ku ndodhet ndërmarrja: Në Via Appia Antica Nr 32, një nga rrugët më të vjetra të Romës ku lexohet tabela “Officina Meccanica “Saliola” Concesionaria Ford”. Hyjmë në zyrë dhe takohemi me punëdhënësen e, pasi përshëndetemi, i them se më duhet të shkruaj për shqiptare që janë integruar në jetën italiane”. Anxhela – kështu quhet punëdhënësja – duke qeshur shton: “integrim”? Bardha është alterego-ja ime. Në qoftë se ajo largohet nga ndërmarrja unë vras veten”.

“Ashtu?”- habitem unë.

“Ja, fillojmë nga ndërmarrja. Ne jemi një Oficinë Mekanike “Qendër Revizonimi e autorizuar nga motorizzacione civile, e autorizuar nga shoqëri të mëdha të dhënies me qera, e konvencionuar me të gjitha shoqëritë e sigurimeve, kemi makina zëvendësuese dhe garantojmë shërbimin dhe ndihmën për aksidentet nga A deri në Zh. D.m.th në rast aksidenti afrojmë ndihmë ligjore dhe mjekësore. Vëllimi i punës që duhet të përballojmë është shumë i madh.

Po të tregoj se si u njohëm. Ndodhi që Bardha pësoi një aksident automobilistik, në makinë ishte bashkë me vajzën. E ndihmuam. Mbas një jave një tjetër aksident. Fillova të mendohem. Kjo grua e huaj, me pamjen e një zonje të vërtetë, me një vajzë të mitur, qe me zor fliste italisht, si do ta ketë hallin? Filloj ta pyes me takt se ku jetonte dhe çfarë pune bënte, çfarë pune kishte bërë në Shqipëri. Aty kuptova se kisha përpara një person me vlera, një person që njhte rregullat e kontabilitetit dhe kjo rastisi në një moment që unë kisha shumë nevojë në ndërmarrje.

Bisedova dhe me drejtuesit e tjerë dhe vendosëm ta marrim në punë. Mirëpo Bardha nuk pranonte në qoftë se nuk gjente një person të besuar që ta zëvendësonte te shtëpia e farmacistit ku punonte. Dhe kështu ndodhi, ajo sistemoi ashtu si duhej farmacistin dhe kështu vetë erdhi të punonte këtu. Duhet t’ju them se me ardhjen e Bardhës në ndërmarrjen tonë, ndryshuan shumë gjëra. Shumë shpejt sistemoi arkivin e ndërmarrjes, mësoi të përdorë kompjuterin. Dukej që ishte profesioniste e vërtetë dhe, edhe pse kishte vështirësi gjuhësore, na ka befasuar të gjithëve me shpejtësinë me të cilën mësoi të komunikonte italisht me kolegët dhe me varësit. Me ardhjen e saj në ndërmarrje shpenzimet janë zvogëluar në masës 45 %. U vërtetua ajo që unë kisha thënë në fillim. Kemi të bëjmë me një grua me vlera. Tani është ajo që drejton ndërmarrjen dhe punët na shkojnë shumë mirë.

Ja këto mësova për Bardhën, e cila më befasoi me aftësinë jo vetëm për t’u përshtatur por edhe për të ecur shpejt në rrugën e integrimit të saj të denjë në shoqërinë italiane. Dhe kjo ka rëndësi, përsiatem me vete, në këtë mënyrë ajo i ka siguruar mireqënie familjes së vet dhe na jep edhe neve kënaqësinë të ndihemi krenarë e të vlerësuar.

Liljana Cuka

Shqiptari i Italisë i muajit shtator 2009

Saimir Shara: “Fotografia është muzika ime”

Rastësitë fatlume të Klodian Dedës