in

Basha kryetar i Bashkisë së Tiranës{br}Reagimet

15 ditë pas zgjedhjeve vendore, KQZ shpalli mbrëmë fituesin e garës më të nxehtë, të asaj për kryebashkiakun e Tiranës. E fitoi kandidati i Aleancës për qytetarin, Lulzim Basha, që ka marrë 124.786 vota, kundrejt Ramës që ka marrë 124.705, dhe kandidatit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi që totalizoi 1.394 vota. Por shpallja e rezultatit në rrugën e ndjekur nga KQZ, që duket se bind vetëm qeverinë e mazhorancën e saj, duket se është vetëm pikënisje e një betejë të gjatë deri në arritjen e një rezultati që mund të njihet gjerësisht në vend dhe nga Ndërkombëtarët.

Fituesi i këtyre zgjedhjeve, Lulzim Basha, sot është treguar i përmbajtur: “rezultati i shpallur tregoi se 81 bashkëqytetarë më shumë votuan për mua, por unë do të pres deri në përfundimin e procesit”, dhe ka ftuar për një reflektim të qetë të gjitha palët. Duke e vlerësuar të gjithë procesin e  votimit dhe të numërimit në këto zgjedhje “të drejtë, transparent dhe të saktë”  ai tha se “është më e lehtë për demokracinë të funksionojë kur kemi rezultate zgjedhore të thella por demokracia vihet në provë kur rezultati është i ngushtë. Ne nënshtruam emocionet tona dhe pritëm qetësisht që çdo votë të numërohej dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohej”.

 Sipas tij këto zgjedhje ishin të forta e me rezultat të ngushtë por aq të mira sa “Tirana duhet të jetë krenare për to”.

I pamëshirshëm vlerësimi që  Edi Rama ka për qeverinë dhe KQZ-në që sipas tij nuk bëri tjetër veçse “kanibalizëm elektoral”. “Humbësi i Saliut u deklarua fitues në shkeljen më brutale të Kushtetutës dhe çdo norme të moralit shtetëror. Vjedhja u bë një shfaqje televizive dhe gjithë shqiptarëve iu dha një shembull i qeverisë së tyre. Turp për qeverinë që përcjell këtë mësim: që të vjedhësh është e moralshme”. Ndaj edhe deklaroi  “rezultatin e KQZ për Tiranën nuk e njohim dhe do të konsumojmë çdo mjet ligjor e demokratik në këtë betejë”.

Rama përsëriti thirrjen për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë edhe më me forcë për të shpëtuar një proces që rrezikon ta fusë Shqipërinë në qorrsokak. “Zgjedhjet i ka fituar Aleanca për të Ardhmen e PS-ja, dhe kur themi këtë, ne i referohemi këndvështrimit të botës demokratike për zgjedhjet vendore. Ne jemi mandatuar të qeverisim një pjesë 2 ose 3 herë më të madhe sesa pjesa që do të qeverisin fituesit e kampit kundërshtar. Mjafton t’i referohemi botës demokratike, fiton forca që merr jo vetëm më shumë mandate, por edhe mandatet me peshën më të madhe në qeverisjen e territorit”, tha Rama.

Së fundi ai theksoi sërish sot qëndrimin që do të mbajë opozita: “Nuk ka asnjë shans që opozita shqiptare jo të tërhiqet, por as të ndalet në rrugën e rivendosjes së demokracisë. Rezultatin e djeshëm ne jo vetëm nuk e njohim, por e shohim si një shprehje akute e një sëmundjeje të rëndë që e bën këtë vend të zvarritet ekonomikisht dhe shoqërisht. Kontestimi ynë do të përshkallëzohet nëse e drejta jonë nuk do të njihet, ashtu siç ajo është parë ditën për diell nga të gjithë shqiptarët”.

Tani që numërimet e rinumërimet mbaruan, loja kalon në Kolegjin Zgjedhor, organi gjyqësor që  merret me shqyrtimin e ankimeve të forcave politike dhe ka në dorë fatin e zgjedhjeve. Duke parë si shkuan zgjedhjet e 8 majit dhe pas debateve e kontestimeve  në KQZ  lidhur me ankimimet në zona të ndryshme zgjedhore, apo vendimmarrjen e komisionit , duket se forcat politike, sidomos për rastin e Tiranës, do të zhvendosin betejën e tyre ligjore në Kolegjin Zgjedhor, që do të japë verdiktin për këto zgjedhje.

Kolegji Zgjedhor është  i përbërë nga tetë gjyqtarë, të cilët i përkasin Gjykatave të Apelit në shkallë vendi.  Kolegji është ngritur në janarin e vitit 2009. Shorti i organizuar atë kohë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me gjyqtarët e Apelit, zgjodhi si anëtarë të Kolegjit, gjyqtaret Dhurata Haveri, Tom Ndreca, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj, Sashenka Jonuzi, Entela Prifti dhe Petraq Koço.

Me mbërritjen në sekretarinë e Gjykatës të një kërkese apo ankimi nga subjektet politike,  brenda 24 orëve të ardhshme organizohet shorti për caktimin e trupit gjykues për çështjen.  Brenda 10 ditëve, çështja merr një zgjidhje ligjore nga Kolegji Zgjedhor, i cili merr vendimin  dhe e shpall atë.

Në listën e veprimtarisë së Kolegjit Zgjedhor, mes të tjerave, parashikohet zhvillimi në datën 26 maj i seancës për  kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për miratimin nga njëra prej KZAZ-ve  të Tiranës, konkretisht ajo me Nr. 49, të tabelës me rezultatin zgjedhor për kreun e Bashkisë.

Ndërsa ambasadorët, përfaqësuesit e lartë të organizatave ndërkombëtare, misioni i vëzhguesve të huaj, vazhdojnë të mbikëqyrin procesin. Ndoshta kishin menduar se ia hodhën me dy-tri net ndjekje numërimesh në KZAZ-të më problematike e nuk e kishin çuar nëpër mend që kjo histori do të vazhdonte kaq gjatë.

Akoma sot bëjnë durim e këshillojnë edhe forcat politike të ruajnë qetësinë, por shprehin edhe shqetësim për këtë proces të stërzgjatur e që në çaste të caktuara nuk i ka bindur për mbështetje në ligj.

Zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerimin në KE, Natasha Butler, njoftoi se do të ndjekin me interes edhe shqyrtimin e animimeve në Kolegjin zgjedhor. “Procesi elektoral nuk ka përfunduar do e ndjekim me kujdes, procesin e apelimit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare si dhe raportin e OSBE/ODIHR. Procesi i apelimit duhet të bëhet në mënyrë komplet të pavarur dhe transparente”, tha Butler. Në lidhje me pyetjen nëse do ta njohë Komisioni Europian rezultatin e këtyre zgjedhjeve lokale në Shqipëri or ajo vuri në dukje edhe shqetësimin për administrimin e votave në KQZ: “Sigurisht që në fillim ne mbajtëm shënim publikimin, dje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rezultatit për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Por në vërejtëm gjithashtu çështjen e logjikës ligjore të vendimeve të KQZ-së, për të numëruar të ashtuquajturat vota të hedhura gabimisht, është një çështje shqetësuese”.
A i plotësoi Shqipëria standardet ndërkombëtare me këto zgjedhje? “Është një pyetje shumë e rëndësishme, pasi siç e dini, kjo ishte dhe një nga 12 kriteret e Opinionit të vitit të kaluar. Pikë së pari duhet të them se nuk ka ende një vlerësim përfundimtar për zgjedhjet, pra ne po presim raportin përfundimtar të OSBE-së. Por sigurisht që të bazuar në raportin paraprak dhe në atë të ndërmjetmin, nga njëra anë pamë elemente pozitive, pasi dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe votimi shkoi në përgjithësi pa pengesa, përveç disa incidenteve të cilat ne i mbajtëm shënim. Por, ngjarjet që ndodhën para ditës së zgjedhjeve dhe në veçanti ato në periudhën post-zgjedhore, veçanërisht ato që ndodhën këto ditët e fundit nuk përputhen me standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq,  pasi siç ua përmenda standardet për zgjedhjet janë një prioritet kyç për vendin dhe një element thelbësor për përparimin e Shqipërisë në rrugën europiane”, tha Butler.

Ambasadori i Pranisë së OSBE-së, Eugen Wollfarth, dhe Ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, bënë apel sot  që forcat politike të presin mbylljen e plotë të procesit zgjedhor të 8 majit. “Duhet të jemi të durueshëm dhe të shohim se si do të zhvillohet situata. Të presim rezultatin final, jeta vazhdon, dhe para së gjithash është një garë për kreun e bashkisë, asgjë më shumë”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.

“Ne bëjmë thirrje për qetësi. Dhe përsërisim gjithë: t’i  përmbaheni kornizës ligjore dhe të prisni deri në fund të procesit rezultatin. Është e rëndësishme për popullin tuaj të ruhet qetësia”, tha Arvizu.

Nxirret nga burgu dhe dëbohet serbi Ivan që i vuri flakën flamurit shqiptar

Zgjedhjet e 8 majit raportohen në PE