in

Basha: Sa më shpejt pasaportat edhe në konsullata

 

Gjatë një takimi me drejtuesit e kompanisë koncesionare “Aleat” për prodhimin e letërnjoftimeve elektronike, ministri Basha deklaroi se 2,6 milionë shtetas janë pajisur me karta identiteti, ndërsa 1,5 milion me pasaporta biometrike. Ai i kërkoi kompanisë që të fillojë sa më shpejt procesi i aplikimit në Greqi e Itali ku ndodhen pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë.

Tiranë 4 shkurt 2011 – Ministri Basha ka pasur sot një nga takimet periodike me përfaqësues koncesionarit “Aleat” për të diskutuar mbi përparimin e bërë në pajisjen e shqiptarëve me dokumentet e reja. Sipas ministrit “2010 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për thelbin e misionit të veprimtarisë së “Aleat”, pajisjen sa më intensive të qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike”. Ai ka përgëzuar kompaninë për rezultatet “tërësisht të pamendueshme një vit më parë. Sot afro 2,6 milion qytetarë shqiptarë kanë aplikuar dhe janë pajisur me letërnjoftime elektronike, pra pothuajse dyfishi i qytetarëve që ishin pajisur me letërnjoftime elektronike para zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit 2009 dhe kemi arritur në shifrën mjaft të kënaqshme prej 1,5 milion qytetarësh me pasaporta biometrike, pra afërsisht ose pak më pak se 1 në 2 qytetarë shqiptarë me pasaporta biometrike”.

Sa për aplikimin për pasaporta të shqiptarëve jashtë atdheut, ministri është shprehur i shqetësuar: “Kemi rënë dakord që procesi të nisë në katër qendra konsullore të Shqipërisë jashtë vendit, në Romë, në Milano, në Athinë dhe në Selanik. Ndërkohë që janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme unë dua të shpreh preokupimin tim që procedura e aplikimit nuk ka nisur akoma dhe pikërisht në këtë mbledhje do të analizojmë hap pas hapi të gjitha hallkat që duhet të përmbushen në mënyrë që qytetarët tanë që jetojnë dhe banojnë në Itali dhe Greqi t’u ofrohet i njëjti shërbim siç u ofrohet qytetarëve në territorin e Shqipërisë. E di që instalimet përkatëse janë bërë, e di që janë prodhuar edhe kuponat përkatës, tani duhet të zhbllokojmë kudo që ka mbetur qoftë nga ana e burokracisë shtetërore, qoftë nga ana juaj në mënyrë që qytetarët shqiptarë në Itali dhe Greqi të nisin menjëherë aplikimin dhe marrjen e pasaportave aty ku jetojnë, pra në katër qendra konsullore, si dhe të shikojmë nevojën për të hapur qendra të tjera në Europën veriperëndimore apo kudo tjetër mund të jetë e nevojshme. Nuk do të përjashtohet këtu as shërbimi i SHBA, ku ka një numër të madh qytetarësh shqiptarë dhe që mund të kenë interesin e tyre që të aplikojnë dhe të marrin pasaportat në territorin e SHBA në vend që të ndërmarrin udhëtimin dhe të gjitha peripecitë e udhëtimit për të aplikuar këtu në Shqipëri”.

Ndërsa duke folur për meritat e tjera të procesit, ministri ka përmendur “aplikimin e përshpejtuar që u ka bërë të mundur 14 mijë qytetarëve që të marrin brenda 72 orëve pasaportat biometrike” duke e vlerësuar këtë si “një pjesë të rëndësishme të procesit që i përgjigjet nevojave emergjente, qofshin këto nevoja shëndetësore, apo vizite, apo çfarëdo tjetër”. Por ka theksuar që “kjo pjesë e procesit nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë zhdërvjelltësinë e procesit normal. Koha nga aplikimi deri tek marrja e pasaportës për qytetarët që zgjedhin procesin normal duhet t’u përmbahet parametrave të rënë dakort në kontratën koncesionare”.

Ministri është shprehur shumë i kënaqur për një aspekt të veçantë, për “faktin që bëhemi i vetmi vend në Europë, i pari vend se më pas edhe të tjerët do të na ndjekin, ku azilkërkuesit e huaj do të pajisen me pasaporta biometrike identifikimi, në qoftë se munden edhe me pasaportën e udhëtimit, duke arritur një standard të deklaruar, por akoma në dijeninë tonë të paarritur nga asnjë vend anëtar i BE”.

Në faqet internet të ministrisë së Brendshme gjenden edhe të dhënat e sakta mbi numrin e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrikë, të porosi tura, të shpërndara në zyrat e gjendjes civile dhe të tërhequara nga qytetarët:

Letërnjoftime elektronike deri më 28.01.2011
Aplikimi total                                2 559 000
Shpërndarje në ZGJC                    2 543 000
Tërhequr nga  qytetarët                 2 362 000

Pasaportat biometrike deri më 28.01.2011

Aplikimi total                              1 505 000
Shpërndarje në Rajone policie      1 466 000
Tërhequr nga  qytetarët                1 322 000

Liberalizimi i vizave, tema e emisionit EstOvest, Rai3

Aksident i rëndë rrugor: humbin jetën dy të rinj shqiptarë