in

Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve përfshin edhe përfaqësimin diplomatik italian të Shqipërisë?

Edhe pse fjalët shpresëdhënëse mbi liberalizimin e vizave, një nga çështjet më të ndjeshme të këtyre kohëve në Shqipëri, përpinë vëmendjen e opinionit publik shqiptar, gjatë vizitës së tij disaorëshe në Tiranë, ministri i Jashtëm italian Frattini u shpreh edhe mbi shumë e shumë çështje të tjera nga integrimi i shqiptarëve dhe në veçanti i studentëve tanë në Itali, deri te bashkëpunimi italo-shqiptar në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare apo përpjekjet e Italisë për  integrimin e Shqipërisë në BE. Duke përmendur si shkarazi edhe dy aspekte delikate: bashkëpunimin për energjinë bërthamore dhe gatishmërinë e Romës për të përfaqësuar Tiranën jashtë Shqipërisë

fratini-meta.gifQëndrimi disaorësh i ministrit të Jashtëm italian Franco Frattinit në Shqipëri duket se ka qenë shumë intensiv. Në bisedimet me palën shqiptare ai ka prekur tema nga më të ndryshmet, edhe pse, të gjithë u përqendruan ato çka ai tha për liberalizimin e vizave. Dhe ashtu siç prisnin të gjithë, dhe ashtu siç bën tashmë prej disa vjetësh,  Frattini tha me optimizëm se Shqipëria do të mund të gëzojë liberalizimin e vizave brenda vjeshtës së këtij viti. Se sa e vërtetë do të jetë profecia e Frattinit, këtë veç koha do ta thotë, edhe pse deri tani janë të pakta shpresat që kjo të ndodhë. Nga KE arrijnë sinjale të qarta në kah të kundërt me pohimet e kreut të diplomacisë italian: zëdhënësi i Komisionit për çështjet e brendshme në Komisionin Evropian, Michele Cercone, deklaroi në një tv shqiptar se “është tepër herët për të folur për një afat kohor”.

“Të gatshëm për të përfaqësuar Tiranën në botë”
Kaloi thuajse pa u vënë re një deklaratë e Frattinit lidhur me një kërkesë të palës shqiptare mbi përfaqësimin diplomatik dhe konsullor të Shqipërisë përmes Italisë. Në fakt Frattini, në përfundim të takimit me Metën veç të tjerash,  pohoi: “Po shqyrtojmë me frymë pozitive kërkesën (shqiptare, red.) që Italia t’i garantojë përfaqësim diplomatik dhe konsullor në Vendet ku Shqipëria nuk është e përfaqësuar”. Por përfaqësimi diplomatik i një vendi a nuk është drejtpërdrejt i lidhur me politikën e tij të jashtme? I kemi deleguar vallë Italisë një pjesë të vendimmarrjes në politikën tonë të jashtme? Apo thjesht kemi “ngarkuar” diplomacinë italiane me detyrën e korrierit, të na çojë e të na sjellë lajme? Asnjë shpjegim nuk jepet nga ministria jonë e Jashtme e as nga kryeministri Berisha.

Kooperimi mbi energjinë e përtëritshme dhe bërthamore
Ministri Frattini ka qenë disi më i kujdesshëm se Berisha apo  Berlusconi në deklaratat e tij mbi energjinë bërthamore në Shqipëri. Sipas tij, sektori i energjisë së përtëritshme por edhe asaj bërthamore është një prej atyre ku kooperimi dypalësh Shqipëri-Itali është i mirë. Energjia hidroelektrike, në veçanti, mund të jetë “sektor i një bashkëpunimi të frytshëm” mes dy vendeve.
Fjalët e Frattinit i ka përforcuar menjëherë më pas kryeministri Berisha që nënvizoi se Shqipëria është “një vend me mundësi të mëdha në fushën energjetike”, nga energjia hidroelektrike deri tek ajo eolike e bërthamore. Ai i energjive të pastra e të përtëritshme, i karakterizuar nga teknologji novatore, është një sektor që Italia ka shumë për zemër. Siç ka kujtuar edhe Frattini “Plani evropian parashikon ngritjen deri në 20% të kuotës së energjive të ripërtërishme dhe inkurajon shtetet anëtare të investojnë në vendet e Mesdheut, si për shembull në Shqipëri”.

Nënshkruhet protokoll i ri angazhimi për kooperim
Ministri Frattini dhe kryeministri Berisha kanë nënshkruar një protokoll trevjeçar (2010-2012) që angazhon Italinë në një kooperim më të gjerë për zhvillimin e Shqipërisë përmes ndërhyrjesh në favor të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në bujqësi dhe në politika shoqërore. Protokolli parashikon 28 milionë euro në ndihma, 3 milionë dhuratë dhe 20 milionë në konvertim borxhi. Mes ndërhyrjeve të paketës së re përmenden një linjë krediti për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme pre 15 milionë eurosh, një program modernizimi për bujqësinë prej 10 milionë eurosh dhe një program në mbështetje të politikave sociale prej 20 milionë eurosh. Protokolli përbën një hov cilësor në kooperimin dypalësh të nisur që me fillimet e viteve ’90.
Sot angazhimi italian në Shqipëri është shumë i rëndësishëm: mbi 78 projekte janë në zhvillim e sipër, rreth 335 milionë euro përdorën në Shqipëri, Italia është shteti i parë donator (i dyti po të konsiderohet edhe Bashkimi Europian si entitet më vete). Për më tepër në Tiranë gjendet edhe Njësia më e madhe teknike lokale që Italia ka jashtë shtetit.
Për gjithë këtë bashkëpunim dhe mbështetje, nga njëra anë, kryeministri Berisha i ka shprehur mirënjohjen Italisë të cilën e ka gjykuar partner “të vyer për Shqipërinë”; nga ana tjetër, Frattini ka kujtuar marrëdhëniet e ngushta Shqipëri-Itali duke nënvizuar integrimin e mirë të komunitetit shqiptar në Itali dhe veçanërisht rreth 20 mijë studentët shqiptarë që ndjekin universitetet italiane.

“Statusi i kandidatit brenda vitit 2010”
“Italia do të punojë më forcë që procedura për t’i njohur Shqipërisë statusin e kandidatit të BE-së të mund të përmbyllet brenda këtij viti”. Ai ka nënvizuar se qeveria e tij është e bindur se “prirja evropiane e Ballkanit duhet inkurajuar dhe mbështetur” duke shpjeguar se është fjala për “një rajon që nuk ka  asnjë perspektivë tjetër përveç integrimit në BE. Çdo vend duhet të vlerësohet për rezultatet e arritura dhe Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara”.

Keti Biçoku

Bota Shqiptare 234 – 16 prill 2010

Gjykatësit dënojnë komunën e Montichiarit për diskriminim të imigrantëve

portret-geri.gif

Geri Zheji Ballo, zëri shqip në Torino