Kush mund të sillet në Itali me bashkim familjar e kriteret që duhet të përmbushë kush paraqet kërkesën. Nga aplikimi deri te ardhja familjarëve
Ligji italian parashikon që të huajt me leje qëndrimi të paktën njëvjeçare të mund të bashkojnë në Itali familjen e tyre.
Familjarët që mund të sillen në Itali me bashkim familjar janë bashkëshorti/ja, bijtë e mitur. Bashkimi familjar mund të kërkohet edhe për bijtë në moshë madhore në ngarkim, nëse për arsye objektive nuk mund të mbajnë veten, si edhe prindërit. nëse janë në ngarkim të personit që po kërkon bashkimin dhe nuk kanë bij të tjerë në atdhe ose nëse janë mbi 65 vjeç dhe bijtë e tjerë nuk kanë mundësi t’i mbajnë ata për arsye të rënda e të dokumentuara shëndetësore.
Kriteret që duhen përmbushur për bashkimin familjar
Kush paraqet kërkesë për bashkim familjar duhet të tregojë se ka:
1. Një banesë që të përmbushë kriteret higjieniko-sanitare të parashikuara nga ligji. Dokumenti që dëshmon se shtëpia është apo jo e përshtatshme është certifikata e përshtatshmërisë së banesës, që lëshohet nga zyrat kompetente të Komunës;
2. Të ardhura të mjaftueshme që duhet të jenë disa herë më të mëdha se çeku social i vitit (për vitin 2016 shuma e tij është 5.824,91 euro) sipas numrit të personave që do të sjellë në Itali. Për të treguar shumën e nevojshme mund të mblidhen të ardhurat e kërkuesit me ato të familjarëve të tjerë që bashkëjetojnë me të, por sidoqoftë duhet mbajtur parasysh që në përllogaritjen e të ardhurave të nevojshme merren në konsideratë edhe familjarët e mundshëm që janë në ngarkim të tij të pranishëm në territorin italian (për shembull, bijtë e mitur);
3. Kur bashkimi familjar bëhet me prindërit mbi 65 vjeç, është e nevojshme të tregohet se ata janë titullarë të një sigurimi shëndetësor që u mbulon të gjitha rreziqet e sëmundjeve në territorin italian. Në vend të tij mund të bëhet regjistrimi vullnetar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN) duke paguar kontributin, një shumë që përditësohet çdo dy vjet nga autoritetet përkatëse. Por kjo mundësi jepet vetëm në tri krahina: Emilia Romagna, Veneto dhe Lombardia.
Kërkesa për bashkim familjar paraqitet online
Kërkesa për të marrë autorizim për sjelljen e familjarëve në Itali bëhet vetëm online, personalisht ose me ndihmën e shoqatave e patronateve që kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi me ministrinë e Brendshme.
Për të nisur procedurën e bashkimit familjar, duhet përpiluar formulari S pas regjistrimit në portalin e ministrisë së Brendshme italiane.
Pasi praktika e tij shqyrtohet nga zyrat përkatëse, kërkuesi çon të gjithë dokumentacionin (mbi të ardhurat dhe strehimin) në origjinal dhe fotokopje në Sportelin Unik për Imigracionin që, në rast përgjigjeje pozitive, lëshon autorizimin (nulla osta) për bashkim familjar.
Ardhja e familjarëve në Itali
Pasi lëshohet autorizimi, familjarët paraqiten në Konsullatën italiane në vendlindje e kërkojnë vizë për të hyrë në Itali. Viza jepet pasi Konsullata verifikon vërtetësinë e dokumenteve që dëshmojnë lidhjen familjare, martesën, moshën e fëmijëve, gjendjen shëndetësore etj.
Me të mbërritur në Itali, brenda 8 ditëve, familjarët paraqesin kërkesë për lejeqëndrim për motive familjare.
Lexo edhe:
Përshtatshmëria e strehimit. Si përcaktohet nëse shtëpia është e mjaftueshme
Bashkimi familjar. Minimumi i të ardhurave për ta kërkuar gjatë vitit 2016
Bashkimi familjar. Si paraqitet kërkesa, ç’formularë nevojiten?
Bashkimi familjar. Si të sjell prindërit në Itali?
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)