in

Irma Kurti sjell për lexuesin italian librin e saj të ri “Në pragun e një dhimbjeje”

Titullohet “Sulla soglia di un dolore” vëllimi poetik i shkrimtares, i shtati libër i saj i botuar në gjuhën italiane

Romë, 8 shkurt 2016 – Poetja e shkrimtarja shqiptare Irma Kurti prezantohet me një vepër të re përpara lexuesit italian, përmbledhjen poetike: “Sulla soglia di un dolore” (Në pragun e një dhimbjeje). Ky është libri i saj i shtatë në italisht. 60 poezi janë të ndara sipas tematikës në dy pjesë: “Radiografia e jetës sime” dhe “Nëse dashuria është kjo”.         

Në pjesën e parë mbizotëron dhimbja, nostalgjia e malli për vendin e kujtimet si përshembull tek titujt: “Dua t’ju tregoj”, “Një pikë vese”, “Toka ime”, ”Larg nga zemra”, “Do të mbetesh vendi im”. etj

Në pjesën e dytë janë përmbledhur poezi kushtuar dashurisë, në kuptimin më të gjërë të fjalës: dashuria për prindërit, për njerëz të afërm të ikur pa kthim si dhe dashuria në çift. Mund të veçojmë: “Mijra diej të vegjël”, “Ne të dy”, “Kur lindte një rrudhë”,  “Deti i qytetit tënd” etj.

Në parathënien e librit, Adele Donini shkruan: “Kjo përmbledhje e re me poezi dëshmon binarin në të cilin rrjedh koha e jetës së Irma Kurtit: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, të filtruara nga sytë e shpirtit. Vargjet e saj vetëm në dukje janë të mbuluara me një atmosferë nostalgjie e trishtimi. Poetja i dëshiron çastet e gëzimit dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme; së kaluarës, të errësuar me ngjarje sociale dhe private të vështira, tenton gjithnjë t’i kundërvejë momente qetësie dhe paqeje. Çdo gjë që i takon natyrës në bukurinë e saj ekstreme dhe të vërtetë krijon tek Irma një port për ndjenjat e mira, pozitive, që përfaqësojnë një antitezë ndaj marrëdhënieve njerëzore shpesh zhgënjyese e të paqëndrueshme”.

Autorja ka dy libra të tjerë gati në gjuhën italiane e ndërkohë po punon me dorëshkrime të reja që do t’i paraqesë së shpejti përpara lexuesit shqiptar.

Irma Kurti ka përshkuar një rrugë të gjatë për të arritur deri këtu. Fillimet e saj në poezi janë që kur ishtë femijë e më pas u bë e njohur për auditorin e gjerë të muzikës së lehtë si autore e teksteve të këngëve përpara viteve 90-të. Shumë bashkëpunime të saj u nderuan me çmime. Emri i Irma Kurtit do të vazhdonte “të ngjitej” në skenen e festivaleve dhe në vitet e mëvonshme.

Kur e pyesim poeten nëse e ka lënë mënjanë gjininë e këngës, ajo përgjigjet: “Bashkëpunimi im i fundit me Ilir Dangëllinë ka qenë në Festivalin e 50-të të këngës në RTSH në 2011, ku kënga jonë e titulluar: “Ajër” dhe e interpretuar nga Saimir Çili u nderua me çmim të tretë. Këngën s’mund ta braktis kurrë, ajo është brënda meje dhe shpesh tinguj të largët vijnë e më zgjojnë nostalgjinë e së kaluarës. Brënda mundësive që kam, për shkak të largësisë e problemeve reale që kjo sjell, kam kontaktuar dhe jam lidhur me disa kompozitorë shqiptarë. Së shpejti, disa tekste këngësh për fëmijë do të mbajnë firmën time. Dhe si rikthim, pas një shkëputjeje të gjatë, ky është një hap i mbarë”.

Irma Kurti ka botuar dhjetë libra në gjuhën shqipe me poezi, tregime e romane. Është fituese e plot çmimeve letrare të para, të dyta e të treta në Itali dhe në Zvicrën Italiane.

Vitin e kaluar u shpall Poetja e vitit 2015 nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.

 

Monza. Lidhej me vajza në Facebook e më pas i përdhunonte. Arrestohet një 39vjeçar

Bashkimi familjar – Udhëzues i përditësuar