Për mosrespektim të parimit të reciprocitet ndaj Bullgarisë, Rumanisë, Polonisë, Qipros dhe Kroacisë
Bruksel, 8 prill 2016 – Në takimin e ardhshëm të Këshillit të Komisionerëve, i parashikuar për t’u zhvilluar të martën në Strasburg, pritet që Komisioni Evropian të diskutojë mungesën e reciprocitetit për regjimin e liberalizimit të vizave nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë ndaj pesë vendeve evropiane, që të gjitha në pjesën lindore të Kontinentit të vjetër.
Pritet gjithashtu që si kundërmasë, Bashkimi Evropian të ushtrojë presion ndaj Uashingtonit dhe Otavës duke kërkuar vizë hyrjeje për në BE për qytetarët amerikanë dhe kanadezë.
Kjo çështje, e ngritur nga gazeta amerikane ”New York Times”, u konfirmua nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva, e cila saktësoi se më 12 prill skadon afati dyvjeçar (i parashikuar për hyrjen në fuqi të direktivës evropiane mbi reciprocitretin e vizave sipas së cilës nuk mund të ketë dallim në trajtimin e qytetarëve të BE-së për udhëtimet e tyre pa viza drejt SHBA-së dhe Kanadasë) brenda të cilit 28 vendet e Bashkimit Evropian duhet të komunikojnë që ShBA dhe Kanada kanë liberalizuar vizat për qytetarët e tyre. Aktualisht që të dyja shtetet amerikane vazhdojnë të kërkojnë vizë për turistët nga Bullgaria e Rumania, ndërsa Shtetet e Bashkuara edhe për ata që vijnë nga Polonisë, Qipros dhe Kroacisë.