Dhuna që shpërtheu së fundmi në Maqedoni dhe kriza të tjera në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi – sugjerojnë të gjitha që Ballkani mund të jetë duke shkuar drejt trazirave dhe konflikteve
Nga Srecko Latal, BIRN Sarajevë
Policia maqedonase të martën raportoi se një eksploziv i improvizuar ishte çaktivizuar në katin e parë të parlamentit.
Ky lajm alarmues më pak se një javë pasi deputetët u plagosën në dhunën brutale që shpërtheu në parlament, vetëm sa tregoi se sa afër dhunës është ky vend në ngërç politik dhe i përçarë etnikisht.
Edhe pjesa tjetër e Ballkanit duket se po zhytet në trazira të rrezikshme.
Koalicioni qeverisës në Shqipëri po tronditet teksa partitë kryesore luftojnë me njëra-tjetrën për të kryesuar zgjedhjet e reja. Përplasjet politike – dhe korrupsioni i gjithëpërhapur – po ngadalësojnë reformat, veçanërisht reformën e shumëpritur në drejtësi.
Në Bosnje, grindjet politike në nivele të ndryshme rrezikojnë të rrëzojnë të të gjithë sistemin pas zgjedhjeve të vitit 2018. Nëse palët dështojnë të miratojnë një ligj zgjedhor problematik deri atëherë, Bosnja mund të mbetet pa qeveri në nivel shtetëror dhe në njësitë e Federatës. Kjo situatë mund të çojë edhe në shpërbërjen e vendit.
Edhe pse anëtare e BE-së, Kroacia gjithashtu mbetet e ndjeshme ndaj problemeve ballkanike dhe po zhytet më thellë në krizë politike. Ajo përballet me zgjedhje të parakohshme këtë vit, pas zgjedhjeve vendore në maj.
Kjo do të ishte zgjedhja e tretë parlamentare në pak vite, zgjedhje të shkaktuara nga politikat kontradiktore të partive politike, edhe pse ato nuk ofrojnë asnjë garanci për të zgjidhur ngërçin politik të vendit.
Situata po nxit shtimin e ideve konservatore dhe radikale, të cilat reflektohen në marrëdhëniet e tensionuara të Kroacisë me fqinjët e saj, Serbinë, Slloveninë dhe veçanërisht Bosnjën.
Politikanët konservatorë janë në rritje edhe në Kosovë, e cila po përballet gjithashtu me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme këtë vit.
Demokratizimi dhe reformat kyçe në Kosovë duket se kanë ndalur para se të nisnin mirë – dhe para se Kosova të zgjidhte marrëdhëniet e saj me Serbinë – që është një tjetër çështje që mund të nxisë dhunë në rajon.
Në prag të anëtarësimit në NATO dhe më pranë BE-së se çdo vend tjetër i Ballkanit, Mali i Zi është dëmtuar nga ndarjet e brendshme politike, si dhe nga politika jodemokratike dhe shpesh e korruptuar e elitës në pushtet.
Duke pasur parasysh ndarjen e fortë midis forcave pro-perëndimore dhe pro-ruse në vend, anëtarësimi i mundshëm në NATO në Malin e Zi duket se është një bast i rrezikshëm që ose mund të qetësojë vendin ose të përkeqësojë ndarjet e brendshme.
Se çfarë të ndodhtë, kjo varet shumë nga përgjigjja e Rusisë, e cila mbase do të fusë në lojë edhe pjesën tjetër të Ballkanit – një lojë shahu në një ndeshje të rrezikshme midis Perëndimit dhe Rusisë.
Një shkrepëse e ngjashme ndezi Luftën e Parë Botërore.
Serbia dhe ish-kryeministri i saj, tashmë president, Aleksandër Vuçiç kanë luajtur me mençuri prej vitesh. Ndërsa Vuçiç luan një rol relativisht stabilizues në rajon, politika e tij autoritare në atdhe shmang procedurat demokratike dhe shkel të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias. Mijëra njerëz kanë protestuar kundër Vuçiç që prej zgjedhjes së tij si president në prill.
Të gjitha këto trazira në Ballkan janë krijuar nga vetë politikanët dhe përkeqësuar nga një media joprofesionale dhe një shoqëri civile e dobët dhe e përçarë.
Sidoqoftë, ato janë mundësuar, në mos ushqyer, nga veprimi dhe mosveprimi i Bashkimit Europian në vitet e fundit.
Që nga përfundimi i konflikteve të Ballkanit në vitet 1990, liderët e BE-së dhe SHBA-së e kanë parë anëtarësimin e shpejtë në BE të të gjitha vendeve ish-jugosllave si një kusht për parandalimin e dhunës në rajonin e paqëndrueshëm.
Për ironi, të gjitha ëndrrat radikale nacionaliste të Ballkanit – si “Shqipëria Etnike”, “Kroacia e Madhe”, “Serbia e Madhe” apo edhe “Turqia e Madhe” – mund të ishin realizuar në mënyrë paqësore brenda kuadrit të zgjerimit të BE-së, pasi kjo ofron mundësinë e lidhjes etnike, kulturore, politike dhe ekonomike të të gjitha grupeve etnike të Ballkanit, nën të njëjtën ombrellë.
Futja e shpejtë në rrugën e BE-së për të gjitha shtetet e Ballkanit ka qenë prej vitesh një element kyç i strategjisë së stabilitetit perëndimor në rajon.
Por problemet në rritje brenda BE-së vetë kanë bërë që BE-ja të harrojë gradualisht qasjen e saj strategjike.
Në vend të kësaj, pranimi në BE i vendeve të Ballkanit është bërë një mënyrë taktikepër manipulimin burokratik dhe teknokratik, që synon mbajtjen e vendeve të Ballkanit pranë, të paktën derisa BE-ja të ketë zgjidhur problemet e veta të brendshme.
Institucionet europiane kanë vazhduar “t’i shesin” vendeve të Ballkanit një produkt që të paktën përkohësisht është zhdukur nga qarkullimi – dhe i gjithë Ballkani është i vetëdijshëm për këtë.
Për ta bërë situatën edhe më të keq, disa vende anëtare të BE-së, edhe madje edhë SHBA – të ngarkuara me problemet e tyre të brendshme dhe të jashtme – kanë filluar të injorojnë ose madje të shkelin disa nga parimet e tyre themelore, duke u kthyer në vetvete në më shumë populiste dhe jo demokratike.
Në vend që të demokratizojë Ballkanin, Perëndimi ka përfunduar duke ballkanizuar veten, pasi i kërkon vendeve të Ballkanit të respektojnë të njëjtat parime që ai vetë i ka tradhtuar. Ballkani është gjithashtu i vetëdijshëm për këtë proces.
Kjo situatë i ka dhënë shtysë rikthimit të fantazmave të vjetra ballkanike nacionaliste dhe hegjemonike, të cilat po ngrenë përsëri kokat e tyre të shëmtuara.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dërgoi një mesazh shumë të qartë te BE-ja kur i tha politikës së Brukselit më 18 prill se ajo do të përballet me një “makth” nëse shpresat e integrimit në BE të Ballkanit do të zhduken, duke shtuar se “bashkimi i vogël” i Shqipërisë me Kosovën mund të bëhet realitet nëse Brukseli i kthen shpinën rajonit.
Zyrtarët perëndimorë e përçmuan dhe e hodhën poshtë deklaratën, por mesa duket ata nuk arritën ta marrin mesazhin: alternativa më e mundshme ndaj pranimit në BE do të jenë përpjekjet e reja për të rishkruar kufijtë në Ballkan, gjë që – si më parë – ka gjasa të shkaktojë konflikte të reja.
BE duhet urgjentisht të rishqyrtojë qasjen e saj në Ballkan.
Lajmi i mirë është se nëse BE-ja mbijeton nga Brexit dhe zgjedhjet në Francë, rimëkëmbja e madhe e saj ofron një mundësi të shkëlqyer për rinovimin dhe forcimin e procesit të zgjerimit të unionit.
Lajm i keq është se disa liderë në Ballkan mund ta kenë kaluar tashmë pikën e lejueshme dhe nuk ka më kthim pas.
Tashmë ata mund t’i shohin synimet e tyre nacionaliste si opsion më të rëndësishëm dhe më realist se çdo gjë që BE-ja ose SHBA-ja mund të ofrojnë në këto çaste.
Botuar në Reporter.al