in

Belle Air ndërron orar e nuk lajmëron në kohë. Pasagjeri padit kompaninë

Një avion i Belle Air i linjës Ancona-Tiranë ndërron orar, duhej të nisej sot në orën 13.30, është nisur që në mëngjes, në 08.30. Një nga pasagjerët, që nuk ka arritur të niset, tregon se lajmërimin e ndërrimit të orarit ia kishin nisur me mail mbrëmë në orën 23.00. “Nesër do të takoj avokatin për të paditur kompaninë”

Romë, 27 dhjetor 2012 – “Quhem Spiro Prebibaj, jetoj në Porto San Giorgio të Fermos dhe sot do të nisesha për Tiranë. Por një surprizë të hidhur mësova që në mëngjes nga kompania Belle Air. Avioni që do të merrja nga Ancona për Rinas në orën 13.30 ishte nisur që në 8.30”. Këtë i shkruan redaksisë së Shqiptariiitalise.com duke shtuar se lajmërimi i vetëm i këtij modifikimi orari i është dhënë me e-mail mbrëmë në orën 23.00.

“Kjo kompani jo serioze, pa respekt ndaj pasagjerëve të vet ndryshon oraret nga dita në ditë pa dhënë informacione, sikur do ishtë autobus i linjës Durrës – Tiranë – shfryn dufin Spiro. – A ka institucione në Shqipëri që të marrin masa ndaj drejtuesve të pandërgjegjshëm të kësj kompanie?”.

Nuk është herë e parë që një gjë e tillë ndodh me Belle Air. “Edhe para një jave një mikut tim i kanë ndërruar orarin e avionit ditën e fundit, pa i dhënë asnjë sqarim,  – vazhdon Spiro. – Edhe vitin e kaluar më kanë bërë që të nisem nga Tirana për Ancona një ditë para datës për të cilën kisha prerë biletën”.

Është e natyrshme, në të rrallë mund edhe të ndodhë ndonjë problem, por në raste të tilla interesi më i lartë për t’u tuteluar është ai i pasagjerëve që duhen lajmëruar në kohë. Është absurde të mendohet që kompania ta konsiderojë veten në rregull me klientët e saj sepse i ka lajmëruar: t’u nisësh një e-mail në orën 23.00 për t’i lajmëruar që do të nisen të nesërmen që në mëngjes e jo në drekë siç ishte orari fillestar, është njësoj si të mos i kesh lajmëruar fare. E njëjta gjë edhe kur lajmërimi i shtyrjes së orarit të jepet një orë para nisjes kur je tashmë në aeroport. E ka pasur edhe raste të tilla, siç tregon Brikena K., që këtë verë, ndërsa kthehej nga Rinasi për në Romë, lajmërimin për shtyrjen e orarit me disa orë e mori kur kishte mbërritur në aeroport, rreth 90 minuta para nisjes së parashikuar. Ç’të bënte, të kthehej mbrapsht në Vlorë e të nisej prapë, apo të priste në aeroportin e Rinasit (siç bëri) me dhjetëra të tjerë në të njëjtën situatë me të.

Këtë radhë Spiro Prebibaj nuk e mbyll vetëm këtë histori vetëm me letrën dërguar gazetës: i ka nisur edhe një e-mail kryeministrit Berisha “për t’iu ankuar për mungesën e përgjegjësisë të kompanisë ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj” dhe merr takim me avokatin e tij “për të paditur këtë kompani aspak serioze”.

K.B.

Berlusconi: “Po të fitojë e majta do t’u hapë kufijtë klandestinëve”

Permesso smarrito e in scadenza. Come rinnovarlo?