Flasin protagonistët, ata që sapo shkruan një faqe shumë të bukur në historinë e futbollit
Tiranë, 20 qershor 2016 – Portieri Etrit Berisha ka lavdëruar të gjithë shokët e ekipit të tij në këtë fitore historike për lojën e bërë.
Ai tha se ekipi e meritonte pas 2 ndeshjesh ku rezultatet nuk kanë qenë të duhurat. “Kemi treguar lojë mjaft të mirë, dhe krijuam shumë raste të mira. Kaluan si kaluan dy ndeshjet e para dhe nuk dua t’i komentoj ato humbje. Shpresoj që këto pikë të na japin kualifikimin. Lojën e kishim nën kontroll por 5 minutat shtesë më janë dukur si 50. Pasi edhe në ndeshjen me Francës djemtë ishin të vëmendshëm dhe të përqëndruar që deri në minutën e fundit të ruanim lojën por nuk mundëm”.
Sipas Berishës, të tre repartet e ekipit kanë qenë të vendosura shumë mirë në fushë duke mos lënë kundërshtarin të reagojë në asnjë çast. “Në këtë ndeshje nuk patëm asnjë rrezik. Mbrojtja, mesfusha e sulmi kanë bërë një punë shumë të mirë. U munduam me të gjitha forcat në këtë ndeshje pasi ishte jetë-a-vdekje” tha Berisha.