in

Berisha: “Modeli ynë ekonomik nuk njeh krizë”

Për Eurostat-in, Shqipëria mbetet vendi më i varfër në Europë

Romë, 16 dhjetor 2011 – I ftuar në emisionin televiziv “Opinion” në Tv Klan, duke folur për situatën ekonomike të vendit, kryeministri Berisha theksoi se modeli aktual ekonomik u dëshmua si modeli më dinamik dhe se “Shqipëria ka sot një model ekonomik që nuk lejon krizën ekonomike”. E më pas ka renditur sukseset e qeverisjes së PD-së: ” Vendi ka pasur rritje ekonomike mesatarisht 3-4 % gjatë këtyre viteve. Ne kemi trefishuar eksportet, kemi administratën më të vogël në botë, pra mbi shpatullat e sektorit privat kemi barrën më të lehtë publike, kemi një barrë fiskale të lehtësuar ndaj biznesit dhe bëjmë përpjekje serioze për klimën e biznesit”.

Gjithnjë sipas tij, në sajë të këtij modeli ekonomik vetëm për tre vitet e fundit mesatarja e investimeve të huaja është 1 miliard dollarë, ndërsa ajo e investimeve të brendshme 2 miliardë dollarë.

“Ky është i vetmi vend që bën rritje domethënëse rrogash. Ne e mbyllim këtë vit me një borxh në nivelin  59%, ndërkohë që e kemi nisur vitin me borxhin në kufijtë e 59,7%.

Berisha i bën rregullisht deklarata të tilla, duke thënë pak a shumë se rritjen e Shqipërisë e ëndërrojnë vendet e tjera, se sa janë rritur rrogat e pensionet në Shqipëri nuk është parë gjëkundi, duke harruar të thotë që sidoqoftë mbetemi të fundit në Europë për tregues të rëndësishëm ekonomikë.

Por e përgënjeshtron pa mëshirë raporti i fundit (i datës 13 dhjetor 2011) i Eurostat-it me të dhënat e vitit 2010 mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për banor të shprehur në Standard Fuqisë Blerëse SFB, njësi monetare virtuale që siç shpjegon Eurostat “zhduk dallimet e niveleve të ndryshme të çmimeve mes vendeve të ndryshme. Kjo njësi mundëson krahasimin në vëllim të treguesve ekonomikë domethënës mes vendeve”. Sipas këtij raporti Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit në Europë.

Kështu, sipas PBB të shprehur në SFB, Italia, për shembull, kapërcen me një pikë mesataren e BE-së (që konsiderohet 100%), duke u renditur e 12-ta si vendi më i pasur i BE-së dhe e 15-ta po të merren në konsideratë edhe vendet jokomunitare  të Europës (nga këto të fundit e kapërcejnë Norvegjia, Zvicra dhe Islanda). Të fundit në listë janë vendet e ballkanike: Kroacia (61), Mali i Zi (41), Maqedonia (36), Serbia (35), Bosnja (31) dhe e fundit në absolut Shqipëria me vetëm 28% të Standardit të Fuqisë Blerëse mesatare të BE-së.

Përurohet Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë në Ancona

Berisha: “Nuk do të rikandidojmë kurrsesi Bamir Topin për President”