Në mbledhjen e sotme të qeverisë Berisha kërkon ndryshimin e ligjit mbi dhënien e shtetësisë shqiptare të huajve, për të përcaktuar, sipas tij, “standarde të reja”, si edhe të gjithë personave me prejardhje shqiptare. Reagon Aleanca Kuq e Zi: “Kështu u jepet mundësi kriminelëve”
Tiranë 7 shkurt 2012 – Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri del me një propozim të ri. Këtë radhë për të afruar sipërmarrësit e huaj, nuk merret më me nismën “Shqipëria 1 euro” por propozon që t’u ofrohet shtetësia shqiptare atyre që investojnë në vend.
“Ndër çështjet më kryesore është ligji për shtetësinë. Ligji duhet të rishqyrtohet, duhet të përcaktojmë standarde të reja, duke ruajtur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja për heqjen e vizave. Shqipëria duhet t’u japë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj. Kjo është një masë e cila do t’u jepte një shkallë më të lartë sigurie atyre që realizojnë projektet në këtë vend, atyre që duan të blejnë vila për të kaluar pushimet në Shqipëri”, – ka theksuar Berisha në mbledhje. Sipas tij, ligji duhet të përfshijë edhe dekretin për shtetësinë i miratuar nga presidenti në vitin 1994 (president asokohe ishte ai vetë), sipas të cilit duhet të marrin shtetësinë të gjithë ata që kanë prejardhje shqiptare”.
“Nuk bëhen pazare me çështjen e shtetësisë. Prioritet duhet të ketë origjina dhe jo paratë” reagoi menjëherë Aleanca Kuq e Zi kundër propozimit të kryeministrit Berisha për ndryshimin e ligjit të shtetësisë, që u mundëson të gjithë të huajve që investojnë 100 mijë euro në vendin tonë të marrin shtetësinë shqiptare.