in

Bevete Cacao Van Houten! në Torino

Shkrimtarja Ornela Vorpsi paraqet librin e saj të fundit, Bevete Cacao Van Houten! në Torino

Takimi i organizuar nga shoqata italo-shqiptare Vatra në bashkëpunim me Bibliotekat qytetare të Torinos dhe shtëpinë botuese Einaudi do të mbahet të shtunën më 18 shtator nga ora 18.30 deri në 20.30 në sheshin San Carlo të Torinos . Takimi është pjesë e manifestimit Portici di carta i promovuar nga Fondcioni për Librin, Muzikën dhe Kulturën.
Takimi do të drejtohet nga Cecilia Cognigni, nga Bibliotekat qytetare të Torinos dhe Benko Gjata, gazetar, korrespondent i ATSh-së në Itali.
“Bevete Cacao Van Houten!” është një përmbledhje 14 portretesh të mprehta që rrëfejnë tragjikomedinë e atij që ndihet i zënë në kurth, i detyruar të mos lëvizë vendit ose i shtyrë gjithnjë drejt tokash të premtuara të pafundme. 

Ornela Vorpsi

Ornela Vorpsi (Tirana, 1968) ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas në Akademinë e Brera-s. Nga viti 1997 jeton në Paris. Është shkrimtare, fotografe, piktore dhe video-artiste. Në Itali ka botuar “Il paese dove non si muore mai” (Einaudi 2005; çmimi Grinzane Cavour për vepra të para, çmimi Viareggio Kultura europiane, çmimi Vigevano, çmimi Rapallo për vepra të para, çmimi Elio Vittorini për vepra të para), “Vetri rosa” (Nottetempo 2006) dhe “La mano che non mordi” (Einaudi 2007; çmimi për letërsinë e udhëtimit Albatros città di Palestrina, çmimi Città di Tropea).
Konsiderohet mes 35 shkrimtarëve më të mirë evropianë në antologjinë Best European Fiction të kuruar nga Aleksandar Hemon (Dalkey Achive Press 2010).

“Bevete Cacao Van Houten!”

Kur lind në “burgun me emrin Shqipëri”, ekzistojnë dy mënyra të orientimit të vështrimit. Te piktori Petraq gjen sytë e ulur të atij që turpërohet për pleqërinë e vet. Por sytë e shumë të tjerëve janë drejtuar nga horizonte të jashtëzakonshme. Ke sytë e Gazit që kapërcen Adriatikun dhe ëndërron të çojë muzikën e tij në Itali, Francë e Shtetet e Bashkuara; të Teutës që bën shuk fletën me një adresë Rome ku e presin; të Sabrinës së gëlltitur nga deti dhe të Lumturisë që ushqehet me librat e Prustit dhe Stendalit. Në një periudhë që duket e përjetshme, Shqipëria nuk është më burg dhe kthehet në një vend të papërcaktuar, në gjendje tranzicioni ku mbijeton duke kultivuar “premtime për tjetërkund”, deri në ditën kur nisesh vërtet. Dhe ja më në fund “vendi i mrekullive”, ku bukuria femërore nuk është mallkim por fat, ku peshku nuk ka hala, ku kutitë e çajit mbajnë brenda çudi të padëgjuara.
Autorja e këtyre 14 tregimeve, që është larguar nga Tirana 22 vjet më parë dhe ka zgjedhur të shkruajë në italisht, ka shpikur një tjetër vështrim: të tërthortë që dëfrehet duke përmbysur të vërtetat e gjuhës dhe të ekzistencës. Duke ndërthurur egërsinë me butësinë, Ornela Vorpsi portretizon atë qenie të mrekullueshme dhe të brishtë që është njeriu, i aftë të shesë veten për një ëndërr, deri edhe në frymën e fundit. Një e shkruar e pamëshirshme e ngopur me ironi, e gjallëruar nga një gjuhë unike, plot simbolika, që në mungesën e rrënjëve gjen forcën e saj dhe transformon shkëputjen nga vendlindja në mjet njohjeje.-

Shoqata kulturore italo-shqiptare Vatra
E themeluar në Torino në vitin 2002 me iniciativë të një grupi shqiptarësh e italianësh, shoqata promovon veprimtari që kanë për qëllim përmirësimin e futjes dhe të integrimit të shqiptarëve në krahinën e Piemontes, duke valorizuar në të njëjtën kohë identitetin kulturor të komunitetit. Për arritjen e qëllimeve të veta shoqata ka ngritur një rrjet të gjerë bashkëpunimesh me shoqata të tjera të huajsh dhe me ente private dhe shtetërore vendore.

Bibliotekat qytetare të Torinos
Sistemi bibliotekar qytetar i Torinos përfshin një bibliotekë qendrore, 15 biblioteka zonash, 2 biblioteka burgjesh, 8 pika të huazimit të jashtëm dhe një qendër-rrjet që merret me blerjen dhe trajtimin fizik të dokumenteve të dedikuara selive të zonave.
Nga viti 2009, pranë të gjitha selive të bibliotekave qytetare gjen rafte me tekste në gjuhën shqipe, drejtuar qoftë fëmijëve qoftë të rriturve; autorët më të rëndësishëm shqiptarë janë në dispozicion të lexuesit në gjuhën origjinale. Bibliotekat torineze përbëjnë një vend-takim të rëndësishëm mes kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në territor.

Për informacione të mëtejshme:
Benko Gjata, shoqata Vatra, cell. +39 339 3376951 / e-mail: vatra@hotmail.it

Bedri Dedja: shkrimtari, edukatori, babai

Nisin regjistrimet në shkollën “Scanderbeg” të Parmës