in

Birn: Si përfitoi rrethi i ngushtë i Berishës miliona euro nga shit­blerjet e tokave

Vendimi i ish kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha për të transformuar një tokë kënetore të pavlerë në një pronë të lakmueshme ndihmoi familjen e tij dhe mikun e përfolur Damir Fazlliç të fitonin miliona euro, bëhet e ditur nga dokumente sekrete të siguruara nga BIRN
Nga Lindita Çela dhe Lawrence Marzouk, BIRN

Porto Romano, një tokë e varfër në veri të Durrësit, qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, është vendi ku gjendet skeleti i ndryshkur i një fabrike kimikatesh të kohës së komunizmit, një fushë e madhe me plehra të shpërndara gjithkund dhe disa objekte industriale të hallakatura.

Ende pa e marrë veten nga ndotja e papenguar të kryer përgjatë dekadave, këneta që rrethon gjirin është vendi më i pagjasë për t’u kthyer në një zonë bumi për pronat e patundëshme tërheqëse për elitën e politikës dhe biznesit të vendit.

Megjithatë, në nëntor 2006, pikërisht kjo gjë ndodhi kur vajza e Berishës, avokatja Argita Malltezi dhe kolegia e saj Flutura Kola, filluan të blejnë tokë me 10 euro për metër katror – dy herë më shumë se sa vlera e tregut.

Rreth 14 hektarë në kufijtë e një ‘parku energjetik’ të vogël të lidhur me portin u siguruan për klientin e tyre, biznesmenin e dyshimtë bosnjak dhe këshilltar të Berishës gjatë zgjedhjeve, Damir Fazlliç, i cili pagoi avokatët e tij, direkt apo indirekt, më shumë se sa katër herë çmimin e tregut – 18 euro për metër katror.

Menjëherë pasi transaksionet u mbyllën, Berisha bëri një vendim kryeministror për të lëvizur kufitin e parkut energjetik për të përfshirë aty pronat e reja të Fazlliçit, duke e transformuar menjëherë një kënetë të pavlerë në një pronë me vlerë të lartë dhe duke rritur çmimin e saj me së paku tetë herë.

Vajza e Berishës, ortakja e saj dhe ndërmjetësuesi i punësuar prej tyre mund të kenë fituar thuajse 1,2 milionë euro nga shitja e tokës te Fazlliçi me çmim katër herë më të lartë se sa tregu. Dokumente të papublikuara më parë të marra nga BIRN tregojnë 430 mijë euro fitime. Rreth 740 mijë euro të tjera u fituan në kesh dhe, si të tilla, nuk mund të gjurmohen.

Biznesmenti boshnjak Fazlliç e pa vlerën e tokës së tij, të mbajtura në emër të dy kompanive shqiptare, të rritej nga 1,7 në 4,2 milionë euro pas vendimit të Berishës. Nëse planet e tij për të zhvilluar zonën në një terminal nafte me vlerë 70 milionë euro do të vijonin, ai do të fitonte dhjetëramilionë euro.

Në vitin 2008, transaksionet tërhoqën vëmendjen e hetuesve shqiptarë kundër pastrimit të parave, të alarmuar nga përdorimi i “kompanive guackë” nga Fazlliç në Shqipëri, nga numri i shitjeve të kryera me kesh, nga çmimet e inflacionuara dhe nga përzjerja e kompanive me regjistrim në parajsat fiskale në Qipro dhe në Karaibe.

Çështja ndaj Fazlliç u rrëzua më 2009 pasi zyrtarët nuk siguruan dokumentet kyçe nga Bosnja dhe Qipro apo nuk gjurmuan origjinën e fondeve. Fazlliç nuk u akuzua kurrë formalisht për asnjë shkelje dhe hodhi poshtë të gjitha aludimet.

Por një dosje dokumentesh të siguruara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) ngre tani pyetje të reja mbi rolin qëndror që Malltezi dhe kompania e saj Malltezi & Kola luajti në blerjen dhe shitjen e tokës, vlera e të cilës u rrit në mënyrë dramatike si rezultat i vendimeve zyrtare të babait të saj për ta përfshirë tokën te parku energjetik.

Dhe gjurmimi nga BIRN i dokumenteve të kompanisë nga St Vincent dhe Grenadines në Karaibe deri në Moskë zbuloi gjithashtu se moguli serb i energjisë Vojin Lazareviç qe në zemër të marrëveshjes, duke financuar 2.,milionë euro në llogarinë private bankare të Fazlliç në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish të regjistruara nëpër parajsa fiskale. Biznesmeni i dyshimtë shpreson të zhvillojë zonën në një kompleks madhor energjetik.

As BIRN dhe as prokurorët nuk zbuluan asnjë provë që të sugjeronte se Lazareviç financoi Fazlliç në mënyrë të papërshtatshme, por moguli i energjisë nuk ka folur kurrë për përdorimin e parajsave fiskale apo për pyetjen se pse transaksionet u kryen kryesisht jashtë sistemit bankar.

Fazlliç, një mik i ngushtë dhe këshilltar i Sali Berishës me miq të fuqishëm në Uashington, Londër dhe nëpër të gjithë Ballkanin, kanë mohuar të kenë kryer ndonjë shkelje.

Berisha, Argita dhe Jamarbër Malltezi dhe Flutura e Florenc Kola refuzuan të intervistohen nga BIRN apo t’i përgjigjen pyetjeve tona të detajuara.

Rritja e fortë e vlerës së pronave të patundshme

Nga baraka e një moli në Porto Romano, Abdyl Mukaj e nxjerr jetesën duke shitur peshk të freskët për turistët gjatë muajve të verës.

Jeta e tij ka qenë në përpjekje për të nxjerë bukën e përditshme kështu që, kur një banor i zonës, Kujtim Shahini, i kërkoi atij të shesë një hektar tokë moçalishtë në vitin 2007 me një çmim dy herë më të lartë se tregu, ai e kapi shancin.

Toka i qe dhënë Mukajt nga shteti kur ai, si shumë fqinjë të tij, mori parcela toke në Porto Romano si kompensim pasi shteti i shpërnguli ata nga toka e paraardhësve të vet në veri të Shqipërisë për të krijuar hapësirë për një hidrocentral të ri.

Pasi u ofruan një shumë të madhe parash për tokën me pak vlerë financiare apo emocionale, fshatarët nuk pyetën se kush po e blinte tokën apo pse.

Malltezi, partnerja e saj në zyrën ligjore Flutura Kola dhe bashkëshortët e tyre – Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola – kërkuan tokë pranë nënstacionit elektrik në Porto Romano për klientin e tyre Fazlliç dhe kompanitë e tij, Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk.

Bashkëshortët kërkuan për parcela të përshtatshme dhe punësuan një ndërmjetës vendas, Shahinin, për të kryer blerjet vetëm me para kesh personalisht nga nëntori 2006 deri në shtator 2007. Shahini dhe Kola fillimisht ndihmuan për të siguruar nëntë hektarë tokë nga fshatarët për Crown Acquisitions, pothuajse e gjitha u ble, sipas kontratës, për 18 euro për metër katrorë. Dokumenti është mes më shumë se 1 mijë faqeve materialesh zyrtare të siguruara nga BIRN.

Por fshatarët thanë për BIRN se ata qenë paguar vetëm 1.200 lekë (9,8 euro). Nuk është e qartë se kush përfitoi nga 700 mijë eurot diferencë mes kontratës dhe çmimit real. Shahini pranoi se ka marrë një pjesë ndërsa Fazlliçi, në një intervistë ekskluzive me BIRN tha se negociatorëve të tij u takonte pjesa e vet.

Dy nga nëntë parcelat që iu shitën Crown Acquisitions, në fakt, qenë blerë sakaq nga Shahini dhe Kola për t’iu shitur Fazllicit për fitim.

“Unë mora vetëm 1200 lekë për m2 – ky qe pazari”, tha fshatari Mukaj. “Kujtimi [Shahini] solli paratë në shtëpinë time me një fuoristradë të zezë.

“1.200 lekë për metër katror është çmimi me të cilin të gjithë fshatarët e shitën tokën – mund t’i pyesësh që të gjithë.”

Në fazën e dytë, Malltezët dhe Kolat blenë pesë hektarë tokë nga fshatarët për më pak se 10 euro për metër katror, të cilën ia rishitën menjëherë kompanisë Alpha Shpk të Fazlliçit për 18 euro, duke fituar 430 mijë euro. Rreth 150 mijë euro të tjera iu paguan blerjeve të tokës të lidhura me Florenc Kolën, megjithëse nuk është e qartë nga dokumentet se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë.

Çuditërisht, gjatë transaksioneve, Flutura Kola qe duke vepruar në disa raste njëkohësisht si shitëse e pronës, për shkak se ajo e kishte tokën nën pronësi me bashkëshortin e saj dhe si blerëse, si përfaqësuesja ligjore e Damir Fazlliçit. Pasi tërhoqi fonde nga llogaria personale e Fazlliçit, ajo në fakt po paguante veten dhe parneren e biznesit, Argita Malltezi për tokën.

Crown Acquisitions në fund u shit në qershor 2007 për 1,7 milionë euro te Altaria Research Limited, një kompani e regjistruar në Qipro dhe e kontrolluar nga Lazareviç.

Alpha Shpk iu shit kompanisë me bazë në Qipro Orongold Ltd, gjithashtu e kontrolluar nga Lazareviç, për 1.25 milionë euro. Fazlliçi doti me 300 mijë euro fitime.

Fazlliçi fillimisht pretendoi se Altaria Research Limited qe “kompania e tij hollding në Qipro” në intervistën e vetme televizive që kur problemi shpërtheu në tetor 2008. Si rezultat, tha ai, ai nuk pati bërë fitime për shkak se po i shiste Crown Acquisitions – dhe tokat nën pronësinë e saj – vetvetes. Kur ai u mor në pyetje vitin që pasoi nga prokurorët, ai refuzoi të jepte emrin e pronarit për shkak se, tha ai, kjo mund të dëmtonte biznesin e tij.

Por kur BIRN këmbënguli në intervistën e tij të parë në qershor të para shtatë vjetëve, ai tha se kishte bashkëpronësi 50 me 50 te Crown Acquisitions dhe Alpha Shpk me Lazareviç përmes Altaria Research Limited.

Kjo nuk është pasqyruar në dokumentet zyrtare në Qipro dhe Fazlliçi nuk qe në gjendje të shpjegonte nëse ai nxorri ndonjë fitim nga shitja e pjesshme e tokës te Lazareviç.

Berisha mbrojti Fazlliçin

Kur u njoftua hapja e hetimit për pastrim parash në tetor 2008, Berisha bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të mbrojtur Fazlliçin nga ndjekja penale e mundshme, përshirë largimin e tij nga vendi me avion privat.

Sipas një dokumenti të dalë nga Ambasada e ShBA­ve në Tiranë , inspektorët e ministrisë së drejtësisë u dërguan për të rrëmbyer dosjen me dokumente nga prokuroria, ndërsa prokurorët ranë pre e fushatave të njollosjes publike nga Berisha madje u përballën edhe me korcënime për veprime ligjore nga Ministria e Brendshme.

Në korrik 2009, vetëm një muaj pasi prokurorët shqiptarë hoqën dorë nga hetimi për pastrim parash, Berisha miratoi planet që përfshinte parcelat e tokës së Fazlliçit në parkun energjetik të Porto Romanos.

Ndërsa toka nuk qe veçanërisht e çmuar kur u ble më 2007-tën, Fazlliçi aplikoi me sukses për të ndërtuar një terminal të stërmadh nafte, duke e rritur vlerën e saj me tetë herë në krahasim me çmimin fillestar të tregut.

Kur iu kërkua të jepte llogari për rolin e vet në skandal, Berisha mbajti një konferencë për shtyp në mbrojtje të Fazlliçit, duke pretenduar se hetimi qe orkestruar “nga mafia” dhe këmbënguli se as Fazliçi dhe as familja e tij nuk kanë përfituar po posti i tij.

Ai argumentoi me kujdes se nuk e kishte shpallur Porto Romanon park energjetik, sepse zona e vogël qe përcaktuar e tillë më 2001-shin. Por ai, gjithsesi, nuk shtoi se e kishte zgjeruar zonën e parkut për të përfshirë në të tokën e mikut të tij.

Argita Malltezi nuk u intervistua kurrë dhe roli i saj në blerjen dhe shitjen e tokës ka mbetur sekret deri tani. Duke folur në kushtet e anonimatit, burime pranë skuadrës së prokurorëve i thanë BIRN se ata thjeshtë qenë tepër të frikësuar në atë kohë për të thirrur vajzën e kryeministrit për ta marrë në pyetje.

Argita, bashkëshorti i saj Jamarbër dhe vëllai Shkëlzen, qenë lidhur me disa skandale korrupsioni gjatë qeverisjes së Berishës por nuk u përfshinë kurrë formalisht në asnjë hetim. Ata kanë mohuar gjithmonë të kenë bërë veprime të kundërligjshme.

Në marrjet në pyetje me prokurorët të para nga BIRN, avokatja Flutura Kola dhe Jamarbër Malltezi zbulojnë se ata qenë të ndërgjegjshëm për potencialin e Porto Romanos në kohën kur filluan të blejnë tokën.

Jamarbër Malltezi pohoi: “Unë kisha informacion në lidhje me zhvillimin e asaj zone kështu që mendova se qe një biznes i mirë”.

Pasi shau prokurorët për “hetimin e tyre të motivuar politikisht”, ai shpjegoi se Fazlliçi thjesht qëlloi të ishte personi i parë që u ofrua për të blerë tokën e tij.

Kola nga ana tjetër, shpjegoi se si ajo, bashkëshorti i saj dhe Malltezët patën punuar sëbashku për të gjetur tokë për Fazlliçin në mënyrë që të nxirrnin një fitim. Ajo pranoi se kishte “informacion që kjo zonë qe miratuar… nga qeveria si një zonë për ndërtimin e depozitave të naftës dhe hidrokarbureve”.

Fazlliç i tha BIRN se ai nuk kishte informacion paraprak nga Berisha por qe “100% i sigurt” se zona do të përfshihej në parkun e ri energjetik.

“A isha unë 100% i sigurt? Po, sepse kjo qe shumë shumë logjike”, tha ai. “Por që Sali Berisha të më ketë telefonuar mua për të më thënë: ‘ah, ti duhet të bësh këtë dhe atë, kjo është thjesht skenar filmi”.

Ai pranoi gjithashtu se tokës iu rrit çmimi si rezultat i vendimit të qeverisë, por këmbënguli se zgjerimi i parkut energjetik qe i pashmangshëm.

Fshatarët, nga ana tjetër, i thanë BIRN se ata “nuk dinin asgjë për planin”.

Me ndryshimin e qeverisë më 2013 dhe largimin e Berishës, disa besuan se plani i Fazlliçit do të dështojë në duart e kritikëve të tij, tashmë Partia Socialiste në pushtet. Por boshnjaku thotë se po bën biznes si zakonisht dhe madje edhe është takuar me kryeministrin e ri Edi Rama dhe disa nga ministrat e tij.

“Berisha qe miku im personal dhe është ende miku im personal, por unë nuk kam marrë kurrë asgjë nga qeveria e tij dhe nuk bëra kurrë asnjë marrëveshje, publike apo private, me qeverinë e tij.”

Ai tha për BIRN se “nuk kishte probleme për të bashkëpunuar me” Ramën dhe skuadrën e tij, pavarësisht fyerjeve që ka marrë prej tyre.

“Unë shpresoj që artikulli juaj të mos ngacmojë kujtimet e tyre,” tha ai me shaka.

A do të kthehet fantazma e Porto Romanos për të përndjekur atë dhe familjen e Berishës? Për momentin as partia në pushtet dhe as prokurorët nuk duken të interesuar për të rihapur hetimet mbi marrëveshjet.

Artikulli në origjinal në Balkaninside.com: How Berisha’s Inner Circle Profited from Multi-Million Euro Land Deals

 

Nga 25 korriku fluturim i ri Ancona-Tirana

A vlen morali në politikë?