in

Bledar Bardhi. Një penë në kërkim të të vërtetës

Romani i fundit i Bledar Bardhit “L’ultima lacrima in paradiso” frymëzohet nga një e vërtetë e hidhur e cila ka tronditur ekzistencën e mijëra njerëzve, që njihet me emrin famëkeq lufta e klasave e që shkatërroi shumë jetë të pafajshme

Pena e Bledar Bardhit nuk dëshiron të heshtë por të pasqyrojë me vërtetësi ato eksperienca të dikurshme – pjellë të regjimit komunist që kanë lënë gjurmë në jetën e tij.  Dhe këtë e bën jo vetëm për veten, por në emër të gjithë brezit që përfaqëson. “L’ultima lacrima in paradiso” është botimi i tij i ri që mban logon e Shtëpisë Botuese Kimerik. Romani, siç pohon autori “e merr frymëzimin nga një e vërtetë e hidhur e cila ka tronditur ekzistencën e mijëra njerëzve, që njihet me emrin famëkeq lufta e klasave e që shkatërroi shumë jetë të pafajshme”.

Për të trasmetuar mesazhet e tij e për të ndarë me lexuesin përvojën personale, Bardhi vendos në qendër të romanit një histori dashurie, duke u rrekur të pasqyrojë me sa më tëpër vërtetësi atë kohë kur “të gjithë ishin të pafajshëm dhe paksa fajtorë”.  Bledar Bardhi nuk ka patur asnjë ngut që kjo vepër të shohë dritën e botimit, përkundrazi. Ai ka punuar me romanin për vite me radhë duke i dedikuar kohën dhe përkushtimin e duhur,  duke qenë njëherësh tregimtar dhe dëshmitar.

Bledar Bardhi ka lindur më 1974. Ka kaluar fëmininë në qytetin e Fierit e në 1995 trasferohet në Tiranë ku nis e më pas përfundon studimet në Fakultetin e Ekonomisë. Botimi i librit të tij të parë “Dhe engjejt një natë thanë lamtumirë”(Medaur 1999) “mbërrin” në vitin e fundit të Universitetit, atë here kur Bledari vendos të lërë Shqipërinë përfundimisht për të emigruar në Itali e për t’u sistemuar në Piemonte, në Alba. 

Pjesëmarrja e Bledar Bardhit në një konkurs për shkrimtarët e rinj  organizuar nga Meridio  Group Editoriale i krijon atij mundësinë e publikimit të librit të parë në italisht titulluar ”L’addio degli angeli” (Statale 11 Editrice).

Në bisedë me Bledarin mëson se të shkruarit përbën një nga pasionet e mëdha të tij. Ka periudha të qeta e të tjera më të ngarkuara, por kjo dëshirë nuk do ta braktisë asnjëherë sepse ka lindur bashkë me të.  Do të vazhdojë të shkruajë edhe për një arsye tjetër: ka ende shumë gjëra për t’u rrëfyer lexuesve.

Ishin të shumtë pjesëmarrësit në promovimin e romanit të dytë në gjuhën italiane “L’ultima lacrima in paradiso” që u zhvillua këto ditë në Alba. Në këtë takim, autori ndër të tjera iu përgjigj interesit të të pranishmëve lidhur me atë pjesë të historisë shqiptare që jo të gjithë e njohin, aq më tepër kur bëhet fjalë për lexuesin italian.  Bledar Bardhi u ndal në shtysat e motivet mbi të cilat është bazuar libri si dhe në planet krijuese për të ardhmen.

Irma Kurti

 

Sanatoria. Rreth 70 mijë punonjës ia kanë arritur të kenë lejen e qëndrimit

Festa e Pavarësisë mes shqiptarëve të Astit