in

Bonusi i kulturës, nga shtatori 500 € për të gjithë 18-vjeçarët, italianë e të huaj

“Dhurata” për ditëlindje për kë është rezident në Itali e ka mbushur apo do të mbushë 18 vjeç gjatë vitit 2016. Gjithçka do të bëhet me një App

Romë, 26 gusht 2016 – Për shumëkënd dhurata po vjen me vonesë, por më mirë vonë se kurrë. Nga 15 shtatori, 18-vjeçarët do të marrin nga shteti 500 euro për t’i shpenzuar në libra, teatër, kinema, muzeume, koncerte, e gjithçka tjetër me të cilën u pëlqen të ushqejnë shpirtin e mendjen.

Fillimisht, qeveria kishte përjashtuar bijtë e imigrantëve, duke renditur mes kritereve të nevojshme shtetësinë italiane. Një diskriminim që më pas u korrigjua me një amendamend që ia dedikoi bonusin e kulturës të gjithë vajzave dhe djemve rezidentë në Itali që mbushin moshën madhore në vitin 2016, “që kanë, kur parashikohet, lejeqëndrim të vlefshëm”. Do të përfitojnë gjithsej 576.953 18-vjeçarë, nga të cilët 24.305 djem e vajza jokomunitarë, dhe shtetit do t’i kushtojë 290 milionë euro.

Për mënyrën se si mund të përfitohet, bonusi u përshtatet më së miri 18-vjeçarëve. Kush i mbush apo i ka mbushur këtë vit 18 vjeç duhet të regjistrohet në Sistemin publik të identitetit digjital (Spid), më pas të shkarkojë në celularin e tij (të tipit smartphone), në tablet apo në kompjuter aplikacionin e quajtur 18app, i cili, pasi të shënohen emër përdoruesi dhe fjalëkalim, do t’i lejojë të riut përdorimin e kreditit prej 500 €.

Ato para duhet të shpenzohen në konsum kulturor, brenda 31 dhjetorit 2017. Do të lejojnë të bëhen blerje qoftë online qoftë personalisht (përmes aplikacionit do të mund të gjenerohen çeqe) në struktura e dyqane të konvnecionuara, lista e të cilave do të botohet në një faqe interneti të administruar nga qeveria. Për të tjera detaje duhet pritur mesi i shtatorit kur do të jenë gati qoftë faqja internet qoftë aplikacioni.

Sipas nënsekretarit të kryeministrisë, Tommaso Nannicini, që ndoqi gjithë dosjen e bonusit të kulturës, “18app jep një mesazh të saktë: atë të një komuniteti që të jep mirëseardhjen në klubin e të rriturve duke të të kujtuar sa i rëndësishëm është konsumi kulturor për pasurimin personal dhe forcimin e strukturës shoqërore të vendit”.

Elvio Pasca

 

 

 

Murgesha shqiptare që i shpëtoi tërmetit rrëfen çastet e tmerrshme (VIDEO)

Bleri Dervishi, il giovane chef dai grandi sogni