in

Bonusi për gazin

Për të ndihmuar familjet më në vështirësi në periudhën e krizës, qeveria italiane ka parashikuar një ndihmë financiare mbi konsumin e gazit. Në vitin 2009 një ligj italian, që është ende në fuqi, ka futur  Bonus Gaz, një reduktim mbi faturat e gazit për familjet e mëdha dhe për ato me të ardhura të pakta.

Bonusi parashikon një ulje çmimi prej gati 15% mbi faturën e gazit natyror sipas madhësisë së familjes dhe llojit të konsumit.
Bonusi vlen eskluzivisht për gazin metan të shpërndarë nga rrjeti (dhe jo për gazin në bombula ose për GPL) dhe për konsumet  në banesën e regjistruar si rezidencë.

Kush ka të drejtë për bonusin e gazit

Bonusi mund të kërkohet nga të gjithë ata që përdorin gazin natyror me kontratë furnizimi të drejtpërdrejtë ose me impiant për të gjithë ndërtesën ku ndodhet apartamenti, me kusht që të mos jetë ndërmarrje apo shoqëri. Pra duhet të jetë një konsum shtëpiak.
Ke të drejta për të kërkuar bonusin e gazit vetëm nëse plotëson kushtet e mëposhtme të vendosura nga ligji
– treguesi ISEE nuk i kapërcen 7.500 eurot,
– treguesi ISEE nuk i kapërcen 20.000 eurot për familjet e mëdha (me më shumë se tre fëmijë në ngarkim).

Treguesi ISEE është Treguesi i Gjendjes Ekonomike Ekuivalente, që nuk përputhet me të ardhurat që dalin nga deklarata e të ardhurave. Është një tregues që bën të mundur matjen e kushteve ekonomike të familjeve, duke mbajtur parasysh të ardhurat, pasuritë e mundshme në pronësi, numrin e personave në ngarkim dhe shpenzimet e mundshme për qiranë.
Për shembull një familje e përbërë nga dy prindërit dhe dy fëmijë, me të ardhura nga një rrogë, me shtëpi me qira dhe pa pasuri të tjera, me të ardhura bruto deri në 23.400 euro nuk kapërcen kufirin e ISEE prej 7.500,
Në sitin e Inps-it, ka një program që bën llogaritjen e treguesit ISEE, por ai nuk konsiderohet zyrtar dhe i vlefshëm për paraqitjen e kërkesës. Për këtë duhet shkuar në Komunat ku bëhet kjo llogaritje ose në Caf, Qendrat e Asistencës Fiskale, që ofrojnë falas këtë shërbim.

Sa është vlera e bonusit

Bonusi përcaktohet çdo vit nga Autoriteti për Energjinë, por mbahet parasysh:
•    për çfarë përdoret gazi (vetëm për gatim dhe për ujë të ngrohtë; vetëm për ngrohje apo për gatim, ujë të ngrohtë dhe ngrohje së bashku);
•    numri i personave që banojnë në të njëjtën banesë;
•    zona klimaterike e banesës (në mënyrë që të mbahen parasysh nevojat specifike të ngrohjes në vende të ndryshme);
Për shembull, për vitin 2010, bonusi mund të luhatet nga një minimum prej 26 eurosh deri në një maksimum prej 164 eurosh për familjet me më pak se katër anëtarë, ose nga një minimum prej 41 eurosh në një maksimum prej 236 eurosh për  familjet me mbi katër anëtarë.

Si kërkohet bonusi i gazit
Bonusi mund të kërkohet çdo vit. Për të paraqitur kërkesën duhen përpiluar formularë të posaçëm që dorëzohen në Komunën e rezidencës ose pranë ndonjë zyrë tjetër të emëruar nga vetë Komuna (për shembull, Qendrat e Asistencës Fiskale, CAF). Formularët gjenden si pranë Komunave, ashtu dhe në sitet Internet të Autoritetit për Energjinë ose të Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik (www.sviluppoeconomico.gov.it).
Bonusi i gazit është i vlefshëm për 12 muaj. Brenda dy muajve nga skadimi duhet bërë kërkesa për përtëritjen duke paraqitur sërish treguesin e ri ISEE për verifikimin e kushteve të vështirësive që japin të drejtën për marrjen e bonusit.
Për të gjithë ata që kanë nënshkruar një kontratë për furnizimin me gaz, bonusi i ulet drejtpërsëdrejt nga shuma e faturës.
Për të gjithë ata që kanë impiante qëndrore ngrohjeje, bonusi derdhet në një llogari të rrjedhshme që komunikohet kur bëhet kërkesa.

stranieriinitalia.it

Bora zbardh Shqipërinë

Karta e qëndrimit: ja si prenoton testin e italishtes