in

BRENGA IME SHQIPTARE – Kokoshi në hotel Dajti 

Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e parë (vijim)

Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi  
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë

Takimi me Petritin
 

Kokoshi në hotel Dajti 

Qëlluam me fat: edhe sot është një ditë shumë e bukur.
Presim vizitën e Kokoshit dhe me këtë rast, do të vijnë në Dajti edhe Pierxhorxhoja dhe Toli.
Hamë një mëngjes të bollshëm. Është ende herët, ora është 09.00. shkojmë të çmpijmë pak këmbët në një shëtitje të shkurtër para hotelit.
Në kthim takojmë Spartakun që na përshëndet miqësisht dhe vihet në dijeni për programin tonë. I themi për takimin me Kokoshin. Ai e njeh dhe e përshkruan si një njeri shumë serioz, që ka vuajtur shumë në regjimin e Enverit.
Gjatë kësaj bisede të këndshme miqësore, na afrohet një zotëri që me mirësjellje kërkon të flasë mënjanë me Xhakominon.
Është trupgjatë, me flokë të bardhë, pamje të bukur, të kujdesur në detaje, me sjellje zotërie. Ka veshur një kostum blu të thellë, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe e blu. I themi të ulemi në sallonin aty pranë.
Kryqëzoj vështrimin tim pyetës me atë të Spartakut. Ai më bën një ngërdheshje duke tundur lehtas kokën për të më bërë me dije që nuk i pëlqen kjo gjë.
Ulem krah dajës. Në kolltukun afër ulet N.N.  dhe fillon monologun e vet:
“Unë kam qenë pilot i avionit personal të Enver Hoxhës, ai kishte besim te unë, unë e çova edhe në Rusi. Atëherë fitoja shumë dhe i shërbeja madje edhe si truproje. Ta dini, unë isha me shërbimet sekrete dhe varesha direkt nga Enveri. Qeveria e tij ishte shumë e fortë dhe ne ishim shumë mirë… ndërsa tani nuk kuptohet më asgjë… sipas kokës edhe festja. Tani jetoj me atë pak pension dhe mezi ia dal…”
Shihemi në sy dhe nuk arrijmë të kuptojmë ku ka ndërmend të dalë N.N.
Vazhdon: “Hoteli kushton shumë dhe vetëm pak njerëzi si puna juaj mund t’ia lejojnë vetes… vendi nuk është shumë i sigurtë… unë kam një makinë… po t’ju duhem…”
Më në fund e kuptuam! E falenderojmë për mirësjelljen e treguar dhe i themi se nëse do të na duhet ndihma e tij, do ta kërkojmë. Na lë një numër telefoni dhe me shumë përulje largohet. Spartaku na kthehet ne:
“A e kuptuat kush ishte? Mos i zini besë!”
Edhe Kokoshi, që ndeshet me N.N. kur po futej në sallon, pasi erdhi të përshëndetje, na tha në mirëbesim:
“A e patë atë tipin, këta kanë akoma cipë e dalin në shesh!”
Në mos për gjë tjetër, kuptuam se urrejtja mes atyre që ishin në pushtet në të kaluarën e afërt dhe ata q ëi mbajnë anën qeverisë aktuale është shumë e fortë.
“Më falni, të prezantohem, jam Engjëll Kokoshi, sekretar i shoqatës kombëtare të ish të burgosurve politikë në Shqipëri”.
“Gëzohem, Aldo Terruzi”.
“Gëzohem, Xhakomo Pozeli”.
Engjëlli është një burrë shtatlartë, shumë thatanik, me fytyrën të gërmuar nga mosha dhe vuajtjet, flokë të gjatë të drejtë e të bardhë, sy të thellë të rrethuar nga syze të trasha. Një buzëqeshje të trishtuar, por të sinqertë. Një sjellje finsike dhe e sigurtë.
I veshur modestisht si europian, me xhaketë, kravatë dhe një pardesy të gjatë blu.
Nuk e pyeta, po besoj se duhet të jetë te të shtatëdhjetat.
Vijnë edhe Pierxhorxho dhe Toli, të cilët tregojnë interes ndaj deklaratave të Kokoshit, që mbahet si figurë e rëndësishme e ngjarjeve që përfshinë Shqipërinë në konfliktin e fundit.
Më merr menjëherë me sy të mirë ndërsa mua më pëlqen shumë sjellja dhe qëndrimi i tij, më thotë që më ka si djalë të tijin dhe, duke më vënë dorën në shpatull, më pyet:
“A mund të të drejtohem me ti?”
Para se unë t’i drejtoj ndonjë pyetje, fillon, me një italishte të përsosur, të tregojë për të kaluarën.
Kështu, pa dashur, fillon një intervistë monolog.
“Vij nga një familje që ka luftuar për hir të atdheut, por regjimi barbar komunist e masakroi pa mëshirë. E kam respektuar gjithmonë tët atë, drejtorin, e them nga zemra. Miqësia jonë lindi në burgun e Vlorës, më parë ne nuk njiheshim. Në burg nuk bëhet ndarje kombësish, as feje dhe as ngjyre: vuajtjet i shuajnë gjithë këto gjëra dhe e forcojnë më shumë solidaritetin, aq sa secili prej nesh mendonte si ta ndihmonte tjetrin moralisht dhe, nëse kishte mundësi, edhe materialisht. Duhet ta dish që prej marsit në tetor niseshim nga burgu thuajse të gjithë për të bërë punë të detyruar në pyje e në miniera, më të dobëtit vdisnin dhe ata që mbeteshin, kur ktheheshin, ishin të rraskapitur, kockëe lëkurë dhe të uritur si bisha të egra.
Yt atë nuk shkonte për të bërë punë të detyruar, po kur ktheheshim, kur na shihte në atë gjendje, na ndihmonte me sa mundte dhe ndante me ne gjithë ushqimet e tij.
Me siguri e ke njohur babain nëpërmjet tregimeve të nënës tënde dhe të dajës, por natyra e tij e vërtetë ishte ajo që jetoi mes nesh, në vitet e tmerrshëm të burgimit, kur na trajtonin si armiq të popullit dhe kriminelë lufte.
Nuk na konsideronin si qenie njerëzore, por vetëm si kafshë që duheshin zhdukur, si bartës të mikrobeve ngjitëse.
Më vjen keq të të them gjëra që për ty mund të jenë të dhimbshme por, o mik i shtrenjtë, duhet të jesh krenar për tët atë, që nuk u përkul kurrë pavarësisht dhimbjeve çnjerëzore që ata të mallkuar, të shndërruar në kafshë të ideologjisë marksiste, na shkaktonin. Vuajtja shndërrohet në krenari, pasion dhe forcë mbijetese.
Brenda teje fshihen urrejtja dhe mllefi, që rriten me pësimin sërish të fyerjeve të atyre xhelatëve, por shtohet edhe solidariteti me atë që ka të njëjtin fat me ty”.

Engjëlli vazhdon me guxim shfryrjen e tij, pa guxuar ta ndërpresë kush.
Ato kujtime janë shumë të rëndësishme për të, më në fund ka përballë bashkëbisedues të interesuar ta dëgjojnë deri në fund.

“I dashur Aldo, për tët atë unë qeshë mik e shkuar mikut, e them sinqerisht dhe ndershmërisht para Zotit dhe shpirtit të tij. Në ato vite burgu, si në Vlorë, si në Burrel, kemi ndarë jo vetëm kafshatën dhe vuajtjet, por edhe atë copë lumturie, nëse mund ta quajmë kështu, pak çaste magjikë që ndodhnin rastësisht dhe që shuheshin shumë shpejt. Isha 21 vjeç kur më dënuan me vdekje.
Ndenja për 76 ditë me duart dhe këmbët e lidhura, si qen…
Që të më detyronin të firmosja denoncimin kundër shokëve të tjerë, më lanë të hapja tre herë gropën time, por nuk u dorëzova kurrë.
Në burg ishin edhe babai dhe xhaxhai im. Për vëllanë në Tiranë nuk dija asgjë. Kur ma falën jetën dhe e kthyen dënimin në burgim të përjetshëm, mora vesh për vdekjen e tim eti: dy ditë më pas më pushkatuan vëllanë.
Tre ditë pasi dola nga izolimi, xhaxhai më vdiq ndër duar.
Dhe nga dhimbja, nëna ime vdiq disa ditë më pas”.

Rrëfimi i Engjëllit të fut drithmat: ishte një tragjedi e njëmendët kjo e tija.
Shihemi me njëri-tjetrin dhe para atyre ngjarjeve ndjehemi të gjithë shumë të vegjël dhe thellohemi në kolltukët tanë thuajse duam të fshihemi.
Kokoshi vazhdon:  “Pas zgjedhjes së qeverisë demokratike, desha të angazhohesha në shoqatën e ish të burgosurve politikë. Në këtë mënyrë përpiqem të ndihmoj ata që janë ende gjallë ose të afërmit e atyre që nuk jetojnë më. Kjo punë tashmë më është kthyer në qëllim të jetës. Ndihma për familjet që kërkojnë eshtrat e të zhdukurve më bën të ndjehem më afër të dashurve të mi. Shpresoj vërtet të mudn të identifikojmë eshtrat e babait tënd të varrosur në Burrel: do të më lumturonte pa masë. Zoti nuk bën dallim mes krishterëve ose muslimanëve, mes italianëve dhe shqiptarëve. Zoti është i të gjithëve. Lëvduar qoftë”.

Nuk guxojmë të bëjmë pyetje, nuk arrijmë të nxjerrim fjalë goje para këtij njeriu të mbijetuar, por e dimë që të premten tjetër do të shkojmë në burgjet famëkeqe të Burrelit me një leje të veçantë që na e ka nxjerrë Engjëlli, me shumë mund, nga autoritetet qeveritare shqiptare.
Është thuajse orari i drekës, ndaj i ftoj mysafirët në restorant, por askush nuk pranon: gruaja e Engjëllit nuk është mirë me shëndet, ndaj ai duhet të nxitojë në shtëpi, ndërsa Toli dhe Pierxhorxho duhet të kthehen në konsullatë. Kështu që ngulmoj të paktën për ndonjë aperitiv, dhe këtë radhë pranojnë të gjithë.
Pas urimeve kordiale dhe reciproke, lëmë takimin për të premten në orën 09.00 para Dajtit.
Unë dhe daja rrimë në restorant dhe, për të shmangur një drekë italiane ‘të patretshme’ kërkojmë pjatën e ditës.
Sot ka mish qingji me pilaf, receta vendase e të cilit, për katër persona, është si vijon:

Pritet në racione të vogla thuajse një kile mish qingji. Vihet në një tenxhere me pak qepë të grirë hollë dhe skuqet sa të thahet dhe më pas shtohen rreth dy lugë gjalpë. Kur të kavërdiset qepa, të hidhet një kuti me domate të qëruara e të grira, kripë, piper dhe dy filxhanë ujë. Para se të përfundojë pjekja e mishit, hidhen edhe dy filxhanë të tjerë me ujë dhe dy filxhanë oriz. Ulet nxehtësia dhe gatuhet me zjarr të ngadaltë. Kur të jetë thithur gjithë uji, gatimi shërbehet me piper të grirë në çast.

Një pjatë e tillë është mëse e mjaftueshme për të mbushur barkun, ndaj dhe pas saj porositim vetëm një sallatë frutash dhe kafe ekspres.
Pasdite vendosim të shkojmë të shohim shtëpinë ku kemi jetuar në Tiranë.
Drejtohemi andej me hap të sigurtë, pasi daja e mban mend mirë rrugën.
Vila gjendet jashtë qendrës dhe për të shkuar atje kalojmë nëpër rrugët ende tërë gropa dhe shtëpitë e ndërtuara çrregullt, pa asnjë plan rregullator. Ecim paralel me kanalin e Lanës që përshkon pingul bulevradin e madh Dëshmorët e Kombit.
Në breg të kanalit është dikush që kullot delet të lidhura për këmbe. Kalojmë afër një tregu të hapur me tezgat klasike që shesin nga të gjitha gjërat. Pamja është më së shumti e varfër dhe po kaq kaotike: fruta, perime, prodhime kopshti, vezë, shpesh janë të grumbulluara në copa të hapura përdhe; copa, tapete, perde janë varur në një kangjellë të gjatë ndarjeje të disa pallateve, e cila shërben si mbështetëse dhe duket si një mur me shumë piktura, kompakt dhe i çrregullt.
Karroca pak a shumë të ngarkuara me orendi dhe materiale të ndryshme janë parkuar si të qenë makina, vetëm se në këtë rast motori i tyre është mushka.
Në trotuar zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet, si riparim biçikletash, këpucë, çadra shiu, makineri gazi, frigoriferë, ora…
Njerëzit lëvizin mes tezgave dhe rrogozëve, japin e marrin e blejnë me thjeshtësi: nuk ka shumë mall, por është ai që duhet. Mund të ngjasojë me një treg periferie të kujtdo qyteti europian.
Përgjatë rrugës ndonjë banesë tek-tukshfaq tiparet ndërtimore tipike të Shqipërisë së fillimviteve Nëntëqind: shtëpi katërkëndore, simetrike, thelbësore, një ose dy kate, shumë dritare afër njëra-tjetrës, muraturë guri të murrmë dhe llaçi.
Mbërrijmë te ish-vila jonë dhe daja e tregon menjëherë:
“Ajo atje!”
Vila e vogël është e rrethuar nga një mur i lartë që të pengon vëzhgimin në kopshtin ebrendshëm. Është e mbajtur thuajse mirë” pemë nga brenda, lule në ballkon, suva pa të çara.
Ngjitur me shtëpinë, në një vend të gjerë, prehen dy kamionë të braktisur dhe shumë të vjetër.
Përreth ka vila të tjera të mbajtura mirë dhe sigurisht me pronar.
Ambienti, jashtë zonave private, është më së shumti i lënë pas dore, i pasur me gjelbërim rastësor.
Daja, në valën e kujtimeve, përshkruan se çfarë ka qenë për ne ajo banesë.
“Një punëtor i firmës së tim eti, na e dha me qera, për shumë pak lekë, një shtëpi ende në dnërtim e sipër, larg qendrës, në të cilën shkoje duke kaluar një shteg të ngushtë.
Një shtëpi në mes të fhsatit e ndërtuar pranë një përroi të vogël në anët e të cilit rriteshin plepa të lartë. Me formë katërkëndore, me tullat dhe gurët e murit që binin në sy, e pasuvatuar me llaç as nga jashtë e as nga brenda, kjo ndërtesë kishte dy kate dhe një bodrum.
Qelia në burgun e Burrelit ku ishte mbajtur Giuseppe TerrusiDritaret e katit të parë ishin mbyllur me kartona që ditën duheshin zhvendosur që të hynte drita, ndërsa dritaret e katit përdhes ishin mbyllur me dhoga të gozhduara. I vetmi ballkon, sipër hyrjes kryesore, nuk kishte kangjella. Disa dhoga me gozhdë të fiksuara në një anë me një fill hekuri, përbënin derën e hyrjes; gërvima e saj, sa herë që hapej apo mbyllej, i vinte në alarm gjithë fqinjët, pllakat e dyshemesë së katit të parë ishin të vetmet punime të brendshme.
Banjën e kishim të përbashkët me jë çift shqiptarësh të martuar, që kishin vetëm një dhomë në fund të korridorit; familja jonë kishte dy dhoma, korridorin dhe kuzhinën. Ti, unë, nëna dhe stërgjyshja flinim në dhomën më të madhe, gjyshi dhe gjyshja në atë më të voglën.
Në çdo dhomë bëhej dritë nga një llampë e zbehtë, që varej pezull nga qendra e tavanit. Për ngrohjen e dimrit mbahej furra praktike me dru në kuzhinë, që mbahej ndezur gjithë ditën dhe në brendësi kishte mbajtës të posaçëm nga i cili mudn të merrnin ndonjë litër ujë të nxehtë.
Para vilës ishte një oborr ku rrinin të braktisur një kamion dhe një makinë, me gjasë të shkatërruar gjatë luftës.
Pranë oborrit kalonte një rrugë e keqe që të çonte në kodër.
Nga ana tjetër, paralel me rruginën, ishte një përrua me plepa të lartë. Pasi na përzunë nga Vlora në 1945, kur tët atë e futën në burg, u shpërngulëm pikërisht këtu.
Në atë kohë, pasi më kishin thirrur në skuadrën kombëtare shqiptare, për të pasur më shumë liri në stërvitje, komuna e Tiranës më kishte besuar detyrën e inspektorit të llojeve ushqimore.
Inspektorët e tjerë ishin të gjithë shqiptarë. Në ëtë rast më kishin mbajtur me hatër, por vetëm sepse u shërbeja qëllimit të tyre.
Bëhej fjalë për verifikimin e faturave dhe funksionimin e rregullt të shitblerjeve.
Duke pasur pranë shtëpisë një terren të papunuar për të cilin nuk kujdesej askush, bleva një dhi, të cilën natën e lidhja në katin bodrum dhe ditën e çoja në lëndinën aty afër për ta kullotur.
Meqë qumështi nuk mjaftonte për gjithë familjen, bleva edhe një dhi tjetër.
Bodrumi pra mbante dy dhi me dy të vegjëlit e tyre.
Të gjitha kafshët duhej të denoncoheshin te autoritetet e megjithatë, çdo familje mund të kishte më shumë se dy; nëse numri i kafshëve ishte më i madh se dy, kafsha apo kafshët e tepërta duheshin vënë menjëherë në dispozicion të autoriteteve. Që të mund të kishim qumësht për të gjithë familjen, dhe të mundoheshim që dhitë të mos na i merrnin nga komiteti qendror, shpika një strategjemë: nxirrja në kullotë herë një dhi me kecin e vet e herë tjetrën, në mënyrë që të gjithë të besonin se kishim vetëm dy kafshë, ndërkohë që në të vërtetë kishim katër.
Kështu mund të festonim Pashkët e shenjta të 1946 me një cjap të pjekur pa ngjallur dyshime te askush.
Blerja e ushqimeve, edhe pse me racione, mund të bëhej vetëm pranë kooperativave të autorizuara dhe me dhënien e një tolloni të dhënë nga komiteti qendror. Edhe këtu kishte radhë të gjata dhe rafte dëshpërimisht të zbrazët.
Natyrisht, tregu i zi lulëzonte dhe ndonjëherë mund të gjeje edhe mish të mirë ose kafe që e sillnin nga Italia.
Meqë isha pjesë e kombëtares shqiptare në turneun ndërkombëtar të Ballkanit, kur ktheheshim nga ndeshjet e zhvilluara në transfertë sillja sheqer, kakao, marmalatë dhe biskota – lloje ushqimore që në Shqipëri as që mund të gjendeshin.
Mes vizitave të ndryshme më qëllonte të shkoja madje edhe në thetrore publike, dhe shpesh më dhuronin këmbë keci ose qingji.
Në këto raste, në shtëpi bëhej festë e madhe, sepse ato këmbë pastroheshin e zjeheshin shumë mirë nga stërgjyshja jote Serafina, e cila bënte me to një supë të mrekullueshme.
Meqë s’kishim asgjë tjetër me se të ngroheshim përveç sobës së kuzhinës, gjatë të ftohtit të madh në shtretër vinim një rrjetë druri ku ishte varur edhe mbajtësja e qymyrit dhe hirit.
Ujë mezi na vinte dhe shpesh duhej ta mbanim me kova ngaçezma publike, duke ndarë dhe sikletin e radhëve të gjata me njerëz të tjerë bashkëvuajtës.
Gratë i lanin rrobat e mëdha në kazanë të mëdhenj me finjë dhe copa sapuni të grirë. Në fushë bëhej një flakadan i madh dhe zjeheshin rrobat e bardha, që në të njëjtën kohë edhe sterilizoheshin, dhe pas kësaj shpëlaheshin, shtrydheshin dhe ndeheshin në diell.
Një nga pak argëtimet e lejuara ishte gjuetia. Pushkët tona të bukura Berreta na i kishte konfiskuar qeveria komuniste, por me ndihmën e disa të njohurve arrita të merrja mbrapsht një pushkë të vjetër italiane me të cilën të vazhdoja pasionin tim. Të kam marrë shumë herë me vete…
Por ama mendjen e kishim përherë te yt atë.
Shumë herë, si Melisi, ashtu edhe unë kemi shkuar në komitetin qendror që të takonim Enver Hoxhën ose për të folur me ndonjë nga vartësit e tij, por gjithçka më kot. Ndonjë herë nuk pranonin fare, herë tjetër thoshin të prisnim por nuk vinte askush, ndërsa ndonjë herë tjetër madje përballeshim me sjellje të pacipa shantazhi.
Një herë Melisi shoqëroi Aurelian e cila shpresonte të takohej me Enverin personalisht dhe t’i kërkonte faljen e të shoqit në emër të miqësisë së hershme, por ai u justifikua duke thënë se arsyet shtetërore e pengonin të ishte shpirtmadh: po të dorëzohej para kërkesës së saj, do ta pësonte edhe vetë pushteti dhe hierarkia e tij. Por në vijim ama, Aurelian e thirri disa herë një nga puthadorët e Enverit që i bënte vetëm propozime të papërsëritshme në këmbim të një lëshimi të mundshëm të të shoqit”.
Në fytyrën time normalisht u shfaq një hije neverie dhe zemërimi aq e dukshme, saqë daja, ndërsa më vuri dorën në shçatull, po përpiqej të më qetësonte.

Në kujtimet e mia prej fëmije, një gjë që më mahniste dhe mbante ndezur kureshtjen time ishte të luaja me flluskat shpërthyese të ujit që binin papushim nga luharja e gjushes, kur ajo ishte duke gatuar. Ato flluska balerina ishin menjëmend mister për mua, ma hiqnin trurin dhe kaloja orë e orë të tëra duke i admiruar.
Hapësira e madhe përpara, e zënë me karakatinat e kamionëve, ishte një park i vërtetë lojërash për fmëijët e mëhallës.
Ishte një shteg i ngushtë që nga qendra e qytetit të çonte drejt maleve, shkonte ngjitur me shtëpinë tonë dhe dukej se përfundonte në hiç. Më bënte shumë përshtypje…
Ndërsa përkundrazi, kamionët e vjetër të sheshit më dukeshin shumë tërheqës dhe sa herë dilja nga shtëpia, kërkoja leje të luaja te ata përbindësha mekanikë.
Ndonjëherë edhe më jepnin leje, dhe atëherë futesha në kabinën e shoferit dhe bëja sikur ngisja kamionin, kontrolloja rrotat, hipja në rimorkio, i merrja erë naftës që kishte mbetur akoma në serbator; me të vërtetë që çmendesha nga gëzimi!
Kujtoj në veçanti duke pasur parasysh tërheqjen time për reliket luftarake, se kisha gjetur dhe kisha sjellë në shtëpi një predhë mortaje. Sigurisht që ishte një pajisje e çaktivizuar sepse nuk kishte fitilin, por unë s’e dija. Kishte formë dardhe me krahëz të vegjël që dukeshin si bisht. Duhej të peshonte rreth dy kilogramë dhe më lodhi jashtë mase derisa e tërhoqa deri në shtëpi atë lodër të mrekullueshme. Mbaj mend që dhashë të dukem para gjyshes me atë gjë në dorë. Tmerri i saj duhet të ketë qenë jashtë mase i madh, meqë sa më pa, ngriu në vend. Sigurisht që për të mos më trembur nuk më tha asgjë, ma mori predhën nga duart me kujdesin më të madh dhe e fshehu larg shtëpisë, ndërsa stërgjyshja më ruante mua. Më vonë mora vesh që daja im, i kapluar nga problemet e tjera, e kishte groposur predhën afër përroit. Kjo aventurë shpesh bëhej objekt i kujtimeve familjare kur bëhej fjalë për ‘prapësitë’ e mia.
Natyrisht që unë nuk i vija re shtrëngimet nëpër të cilat kalonte familja, sepse, me sa kishin mundësi, ata mundoheshin të mos më mungonte asgjë. Gjithsesi, për habinë e madhe të të afërmve të mi, më pëlqente jashtë mase, sidomos kur dilte valë e nxehtë nga furra, kallamoqi (buka e misrit), ndërsa të tjerët hanin normalisht babanazin (bukë e zezë me miell gruri).
Giuseppe Terrusi në burgun e VlorësDy herë në muaj, nga Tirana shkoja bashkë me nënën në burgun e Vlorës për të takuar tim atë. Në kësi rastesh i çonim ushqime dhe ilaçe jo vetëm babait tim, por edhe shokëve të tij të burgut.
Im atë bënte çmos të më zbaviste dhe nga pas hekurave kuptonte rritjen time të shpejtë pasi më maste dhe i kërkonte nënës ndryshimet e mia në peshë; më shihte si një fëmijë shumë kureshtar dhe që tregonte interes ndaj gjithçkaje që më rrethonte, gjë që e bënte shumë të lumtur.
Një ditë isha vetëm në shtëpi. Po luaja në korridor me një top që më kishte dhuruar daja, kur ky u hodh dhe përfundoi në dhomën ku jetonin shqiptarët. Hyra në dhomën me gjysmë dritë dhe papritur u ndesha me dy sy gjithë shkëlqim që më shikonin të palëvizur. U tremba aq shumë, sa zemër të mekur ia mbatha me të katra sa më shpejt që të mundja dhe shkova u fsheha në kuzhinë. Këtu u ndesha me styërgjyshen që për fat u fut në kuzhinë bash në atë çast. Me gjasë më lexohej frika në sy, sepse ajo më pyeti ç‘më kishte ngjarë. Nuk e hapa fare gojën se ç‘më kishte ndodhur, sepse më vinte turp nga vetja dhe nga frika që më kapi.
Kohë më pas e kuptova se ata sy të qeqltë ishin të një elefanti prej cohe, por që nga ajo ditë, sa herë kaloja para asaj dhome, shihja përreth me dyshim: kisha frikë se ajo kafshë me sy të këqinj mund të më sulmonte nga njëri çast në tjetrin.
Daja ime kishte një motor të vjetër e të fuqishëm Guci, me të cilin shkonte në punë ose në stërvitjet në fushën e sportit.
Sapo dëgjoja zhurmën karakteristike të motorit, kërkoja menjëherë të dilja nga shtëpia dhe të hipja në serbatorin e motoçikletës dhe të bëja një xhiro në sheshin përballë. Kjo dëshirë më plotësohej thuajse gjithmonë.
Jo rrallë rreth shtëpisë fluturonte, në lartësi të ulët, një dymotorësh Dakota që i çonte për lojërat në transfertë Xhakomon dhe kolegët e vet futbollistë. Nëna më ngrinte te parmaku i dritares për t’i përshëndetur.
Shpesh daja më hipte në shalën e biçikletës dhe bashkë shkonim në pyllin e vogël afër përroit. Hyja pa frikë në gajushë (shkorret) për të dëgjuar këngën e mëllenjave ose flatrimin e shapkave, edhe pse shumë shpesh as arrija madje t’i shihja dot. Kur qëllonte daja, zija veshët fort me duar, por isha i pari që vrapoja drejt qenit që sillte shpendin e vrarë.
Me të mbërritur në shtëpi, gjithë krenari, hidhja mbi tavolinën e kuzhinës prenë e gjahut.
Edhe kur nuk shkoja me ta, kthimi nga gjuetia i dajës dhe gjyshit me prenë mbi kofanon e Jeep-it ishte gjithmonë si një festë e madhe për mua dhe për gjithë familjen.

Në kthim drejt Dajtit kalojmë afër asaj që duhej të kishte qenë banesa e Lules, e fejuara bukuroshe e Xhakomos. Në lidhje me këtë çështje daja ka qenë përherë gojëkyçur, më shpjegon se sa e lumtur ka qenë ajo dashuri por njëherësh, edhe e kundërshtuar nga prindërit e vajzës, si për arsye etnike, edhe për ato fetare.
Gjërat shkuan mbarë derikur Xhakomos iu bë presion nga disa të tërbuar ‘të lëshonte prenë’, duke e kërcënuar me jetë.
Duke parë rrethanat dhe ambientin, nuk bëhej shaka me këto gjëra, ndaj dhe Lulja dhe Xhakomo u ndanë.
Morëm vesh nga një prej lojtarëve se Lulja më vonë ishte martuar dhe ishte bërë me një djalë, pastaj i shoqi i kishte vdekur dhe tani jetonte e vetme në mjerim.
Edhe pse shokët i thanë Xhakomos të shkonte ta takonte me shkas udhëtimin tonë këtu, ai nuk pranoi.
Shumë vite kishin kaluar: më mirë të kishte parasysh një kujtim të bukur të rinisë se sa të gjendej përballë një fantazme të së kaluarës nga një çast në tjetrin.
vijon

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika

KONKRETISHT

Çmimi Anna Cenerini Bova: kandidaturat për të riun e vitit deri më 30 qershor