in

BRENGA IME SHQIPTARE – Komiteti olimpik

Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e parë (vijim)

Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi  
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë

Takimi me Petritin

Kokoshi në hotel Dajti

Komiteti  Olimpik

Ish futbollistë të skuadrës së Tiranës së vitit 1946 të mbledhur në 1993-shinSot na pret një ditë e madhe kushtuar sportit. Ka një ngazëllim në ajër. Këtë herë është daja ai që troket në derën time:
“Aldo, u bëre gati?”
“Sigurisht që po, ka kohë që jam gati. Megjithatë është akoma herët, dajë, s’ka shkuar akoma 09.00”.
Të dy kemi veshur kostum dhe kollare dhe zbresim për të ngrënë mëngjes. Daja ka hedhur shumë pasrroje e cila lëshon shumë aromë. Duket dhjetë vjet më i ri dhe më duket sikur do t’i zbresë shkallët me vrap.
Na kanë thënë se sot mblidhet komiteti olimpik dhe Xhakomo së bashku me gjithë futbollistët e tjerë janë ftuar në grumbullimin që do të mbahet në orën 11.00 në stadiumin Qemal Stafa.
Ndërsa hamë mëmngjes, dëgjojmë zëra të paqartë që vijnë nga tremeja e hotelit. Menjëherë shfaqet para nesh Spartaku, që na thotë se kanë ardhur disa futbollistë dhe duan të përshëndesin shokun e vet Xhakomo. Po na presin në sallon. Taklimi është shumë kordial: përgëzime dhe përqafime mes të gjithëve. Numërojnë nëjri-tjetrin: gjashtë nga ekipi i ’46-ës, plus Xhakomon shtatë. Biseda natyrisht përqendrohet në kujtimet sportive.
Sjell kafe ekspres për të gjithë. Dikush edhe mahnitet nga mirëqenia jonë në dukje. Si mund të rrimë në një hotel kaq të shtrenjtë për kaq ditë, ndërkohë që mes tyre paga mujore është diku te 90 mijë lireta – aq sa na kushton hoteli për një ditë?
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Shqipëria ka mbetur pesëdhjet vjet prapa krahasuar me Italinë dhe Europën dhe sigurisht që as është e mundur të bëhen krahasime mes nivelit të jetës italiane dhe asaj shqiptare, që padyshim është më e varfër dhe e prapambetur.
Aty nga ora 10.00 nisemi të gjithë drejt stadiumit.
Është ende herët dhe përfaqësuesit e komitetit olimpik nuk kanë ardhur ende. I themi rojes së stadiumit të na hapë portën dhe detashmenti i vogël drejtohet nga fusha ku u bënë protagonistë para shumë vitesh. Papritur se nga mbiu një top dhe dikush e shqelmoi e të tjerët iu përgjigjën.
Kështu pra, shtatë pleq, kush që çalon nga artriti, kush me dhimbje shpine, kush me probleme zemre, shqelmojnë në fushë si kalamaj. Daja shkon te porta, si në kohërat e bukura.
Pavarësisht moshës, në ato pak minuta po provojnë emocione të njëjta si në rininë e tyre. Por kjo lojë e bukur nuk zgjat shumë sepse ndjehet menjëherë lodhja dhe gulçet.
Komiteti olimpik shqiptar mblidhet në një sallë të vogël të fushës. Na thërrasin të marrim pjesë në ceremoni. Për habinë tonë, presidente është një grua: me gjasë dikush që ka arritur rezultate të shkëlqyera në sport.
Xhakomon e shpallin mysafir nderi dhe ulet afër drejtuesve.
Pas një përshëndetjeje të shkurtër  dhe një falenderimi për gjithë të pranishmit, thirren në emër një nga një gjithë futbollistët që ishin fitues të Ballkaniadës së 1946-ës: Xhakomo Pozeli, Besim Fagu, Xhavit Demneri, Loro Boriçi, Vasif Biçaku, Pal Mirashi… një kujtim mallëngjyes shkon për Zezen Kiarën nga Vlora që kishte vdekur një ditë më parë.
Me vendim të njëzëshëm të komitetit, lojtarët e ekipit u shpallën ‘mjeshtër të sportit’ shqiptar dhe iu dhurohet nga një medalje ari për nder të kohëve të shkuara.
Xhakomos i kërkojnë të mbajë një fjalim në emër të të gjithë ekipit.
Fjalimi i tij është një evokim mallëngjyes i ngjarjeve sportive dhe atyre politike, veçanërisht në lidhje me qëndrimin tonë në Shqipëri gjatë periudhës së luftës. Në lidhje me këtë, komiteti kërkon falje zyrtare para Xhakominos që i ndryshuan emrin vetëm e vetëm që ai të mund të rrinte dhe të luante me kombëtaren shqiptare.
Xhakomo falenderon i mallëngjyer, me sytë e skuqur dhe me grushtat shtrënguar për të përmbajtur lotët.
Komiteti pastaj fton të gjithë të ngrenë një dolli në barin përballë – nuk mundën të blejnë asgjë për shkak të shtrëngesave financiare.
Më vjen keq, duhej të kisha qerasur unë, por nuk mund t’ua mohoja kënaqësinë e të qenit ‘të zotët e shtëpisë’. Ngremë dolli me coca-cola që tani, në këtë çast, duket më e mirë se çfarëdo shampanje të mirë italiane.
Skuadra e Tiranës e vitit 1946 ku luante edhe daja e Aldo Terrusit“Rroftë ekipi i 1946-ës! Rrofshin mjeshtërit e sportit!”
Në kthim, përgjatë bulevardit të gjatë kryesor, “mjeshtërit e sportit” nuk ndjehen më kaq të ngazëllyer: kush ankohet nga një anë, kush nga ana tjetër. Ajo lojë e shkurtër dhe e gëzeshme i ka rraskapitur. Duket sikur jemi në një spital ambulator. Duke u troshitur, çaluar, duke ndihmuar njëri-tjetrin me pretekstin se po mbaheshin për krahu, më në fund mbërrijmë në Dajti. Përshëndetemi dhe u themi se të shtunën tjetër, në mëngjes, do të nisemi për Itali, ndaj dhe përshëndetjet marrin vlerën e një lamtumire mallëngjyese; grupi i vogël shpërndahet.
Edhe këtë herë u bëmë vonë për drekë. I telefonojmë Tolit në Konsullatë dhe e ftojmë, me kusht që të na tregojë ndonjë vend ku hahet mirë. Pranon. Shkojmë ta marrim te puna dhe drejtohemi nga Sheshi Skënderbej.
Futemi në një tavernë, nën një portik, e mobiluar mirë dhe mikpritëse.
Si zakonisht kërkojmë ndonjë gatim tradicional.
I vetmi gatim i gatshëm dhe padyshim autokton përbëhet nga të brendshme qingji të mbledhura – kukurec.
Është një pjatë shumë e rëndë, shumë e veçantë dhe e shijshme: do të thosha jo për të gjithë.

Receta për katër stomakë të fortë:

Lahen dhe përvishen mirë një kilogramë të brendshme qingji të vogël. Priten 500 gramë mëlçi dhe 500 gramë mushkëri, u hidhet piper, kripë dhe u shtohet edhe pak rigon. Përgatiten tetë shkopinj të vegjël ku kalohen copat e mëlçisë dhe mushkërisë, duke i ndërkëmbyer me disa copa dhjami. Rreth shkopinjve shkohen zorrët dhe lidhet e kapet në mënyrë që të bëhet një masë kompakte. Hidhet prapë kripë e piper edhe së jashtmi dhe lihet të kullojë për disa orë. Shkopinjtë ku është shkuar kukureci vihen të piqen ngadalë duke bërë kujdes të mos digjet pjesa e jashtme.

Ora ka shkuar thuajse 15.00 kur ngrihemi, të ngopur e të rënduar. Përshkojmë rrugën e zakonshme që na çon drejt Dajtit. Falenderojmë përzemërsisht Tolin për gjithë sa bën për ne. Lëmë takimin për ditën tjetër aty nga ora 09.00 në vendin e zakonshëm. Nesër kemi për të bërë një rrugë të gjatë e të pikëlluar në Burrel.
Rehatohemi me qejf në kolltuqet e rehatshëm të sallonit para televizorit, me qëllimin për të stimuluar një tretje të vështirë ushqimi.
S’kalon shumë kohë dhe fillojmë bisedën se si e qysh Italia dhe veçanërisht Musolini patën këtë dëshirë të ethshme për të kolonizuar Shqipërinë.
Përveç arsyeve me karakter strategjik, politik, shoqëror etj., që kishte përdorur regjimi fashist për të përligjur pushtimin e Shqipërisë, me siguri që një shtysë të fortë, që më pas rezultoi mjaft e pabazë, duhet ta kenë dhënë edhe raportimet që i vinin duçes prej të dërguarve të vet. Ja një prej gjithë raporteve që i ishte dërguar në 11 tetor 1941 nga Zenone Benini, sekretar për çështjet shqiptare, rreth vlerësimit mbi Shqipërinë:

“Në zona të tjera disa specialistë kanë dhënë rezultate pozitive, aq sa mund të konsiderohet tashmë se vendburimet shqiptare përbëjnë një kompleks të aftë sa të ndikojnë përfundimisht në rendin dhe tërësinë e prodhimit të çelikut për Italinë.
Por ama, ç’prej tani, mund të thuhet se jemi para një pellgu hekurmbajtës me rëndësi të madhe dhe sigurisht më superiore se të gjitha parashikimet më optimiste.
Deri më sot në Shqipëri janë vlerësuar më shumë se 500.000 tonelata krom dhe gjithë kjo bën të besosh se kërkimet në vazhdim do të vazhdojnë të japin rezultate të kënaqshme. Minerali shqiptar përmban 50 përqind oksid kromi, që do të thotë se sasitë e garantuara mbulojnë kërkesën kombëtare për më shumë se një dhjetëvjeçar.
Në jug, në Selenicë, i njëjti grup Parodi-Delfino ka në përdorim impiante të rëndësishëm për nxjerrjen e bitumit, nga i cili, vitin e ardhshëm, do të sigurohet prodhimi i 20.000 tonelatave produkt i pastër. Një prodhim i tillë, shto këtu edhe nënproduktin e distilerive italiane të naftës së papërpunuar, përbëjnë themelin e nevojave tona të bitumit që vërtitet aty te 70.000 tonelata në vit. Edhe aipa e ka shtrirë dukshëm fushën e vet të kërkimit dhe shfrytëzimit të naftës dhe sondat po futen në zonën e Patosit, që mendohet të jetë një nga më interesantet”.

Sigurisht që, nëse Musolini do të ketë pasur ndonjë dyshim mbi mundësinë e vënies dorë mbi Shqipërinë, këto informacione dhe raportime me siguri që do ta kishin larguar.

Mendojmë se ka ardhur koha e darkës, por të dy vendosim të shkojmë drejt barit për të pirë nga një çaj, me ndonjë ëmbëlsirë; kjo do të jetë mëse e mjaftueshme për një gjumë të rehatshëm.

vijon

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika

Rruga drejt Bashkimit Evropian

Dekreti i flukseve 2019 është miratuar. Pritet botimi në Gazetën Zyrtare