in

Britania e Madhe. Mur në Calais të Francës për të ndalur refugjatët e migrantët

Do ta ndërtojë me shpenzimet e veta Mbretëria e Bashkuar anash rrugës që çon për në port. Duhet “të mbrojë” kamionët në të cilët përpiqen të fshihen ata që duan të kalojnë La Manshin

Romë, 7 shtator 2016 – Pas rrjetave e telave me gjemba, tani një mur. Kështu Franca e Britania e Madhe duan t’ua ndalojnë refugjatëve e migrantëve që mblidhen në Calais për të kaluar nga ana tjetër e kanalit La Mansh.

Ministri i ri i imigracionit i Mbretërisë së Bashkuar, Robert Goodwill, e ka dhënë lajmin të martën në Parlament: “Do të ndërtojmë këtë mur të ri të madh si pjesë e një pakete ndërhyrjesh prej 17 milionë sterlinash për të cilën kemi rënë dakord me Francën. Personat vazhdojnë të kalojnë edhe pse e kishim rrethuar zonën me rrjetë, tani do të ngremë një mur”.

Muri që do të kushtojë 1,9 milionë sterlina e do të bëhet me shpenzimet e qeerisë së Londrës, do të jetë 4 metra i lartë e do të shkojë për një kilometër përgjatë të dyja anëve të rrugës kryesore që çon në port. Është pikërisht këtu që migrantët përpiqen të ndalojnë kamionët e nisur për në Dover, edhe duke bllokuar rrugën me gurë e trungje, për t’u fshehur brenda.

Muri do të jetë prej çimentoje dhe i lëmuar në mënyrë që ngjitja në të të jetë sa më e vështirë dhe punimet do të nisin këtë muaj për të përfunduar në fund të vitit. “Do bëjmë edhe të tjera gjëra. Kemi investuar edhe për ngritjen e një parkingu për 200 kamionë në Calais, në mënyrë që të kenë një vend të sigurtë ku të presin radhën për imbarkim” ka shtuar Goodwill.

Për François Guennoc, eksponent i shoqatës humanitare Auberge des migrants, “ky mur është zgjatja e fundit e kilometrave të rrethimit e të mbikëqyrjes së sigurisë që janë në funksionim prej kohësh. Muri thjesht do të detyrojë njerëzit të shkojnë akoma më tutje për ta anashkaluar”.

“Sa herë ngrihen mure kudo në botë, njerëzit gjejnë gjithnjë mënyrën për t’i anashkaluar. Është një harxhim i kotë parash. Ngritja e murit mund të shtojë vështirësitë  për migrantët, të rrisë tarifën e trafikantëve e njerëzit do të rrezikojnë më shumë”.

 

 

 

Taksa mbi lejen e qëndrimit. Qeveria kërkon që imigrantët të paguajnë sërish

“Të ndryshëm por të bashkuar”. Fjalimi i mbretit po bën për vete mbarë botën