in

Bukureshti, aromë Ballkani dhe Europe

nga Marjola Rukaj, shënime udhëtimi

Udhëtimi drejt Bukureshtit filloi që në radhën e dendur, sa të gjatë aq edhe të gjerë përpara sportelit të check-init ku rumunë të vrenjtur, ngarkuar me gjithfarëlloj valixhesh, prisnin të merrnin biletën e hyrjes në bordin e avionit. Kjo jo vetëm sespe që tek check-ini të jepet mundësia të zhytesh mes rumunësh që jetojnë Romës e rrethinave të saj, por sepse latinëve të Ballkanit nuk u rrihet pa u kureshtuar kur shikojnë një të huaj që mban radhën e çrregullt së bashku me ta, aq më tepër në këto kohëra të zymta llomotitjesh ksenofobe që i kanë mbërthyer pikërisht ata pas poligonit. Vijojnë pyetje të pandrojtura, e të rrufeshme njerëzish që duan të dinë u shkon, si, pse, tek kush, e për sa kohë. Ndërsa vëshitrimet, dhe përgjigjet po aq të pabarrierta u ngjasojnë komunikimeve të drejtëpërdrjeta të shqiptarëve të solidarizuar aeroporteve të botës së madhe. Dhe ashtu si edhe për shqiptarët, pas vjeljes së informacionit paraprak, vijon guida e ofruar falas “Rumania, udhëzime përdorimi” që ngjason po ashtu me këshillat e përkujdesura të shqiptarëve të para pak viteve përpara të huajve që i kishte zënë halli të shkonin në Shqipëri, kur si gjithë bota edhe vetë ne vuanim nga një mungesë e theksuar respekti, për shqiptarët dhe çdo gjë që ishte shqiptare. “Thoju miqve të tu të të marrin në aeroport. Sapo të nxjerrësh këmbën nga avioni kanë për të të përlarë e gllabëruar. Në Rumani njerëzit janë të tmerrshëm” – janë këto fjalët e një rumuneje pa dorashka që jeton në Romë pre disa vitesh. “Mos shkëmbe para- thotë – mos nxirr kuletën askund, të vjedhin kudo”. Ndërsa një tjetër po aq zemërmirë me një vështrim mbështjellës, në gatishmëri për të ofruar ndihmë e mbrojtje të pakushtëzuar mes një mëmësie prej gruaje ballkanase, e filozofeje kronikash italiane për tre grosh  komenton me bindje të palëkundshme: “Në Rumani s’ka ngelur asnjë njeri i mirë, njerëzit e mirë ikën të gjithë. Kanë ardhur këtej të punojnë. Në Rumani kanë ngelur vetëm arixhinjtë dhe hajdutët që nuk i shtrohen punës në emigracion”.

Stessa faccia, stessa razza

Pas një përqasjeje të tillë me rumunët dhe botën rumune për herë të parë, e kotë të thuhet, se ç’mund të të vijë ndërmend gjatë dy orëve të trazuara gjatë fluturimit mes reve. Por zbarkimi i vërtetë mes napolitanëve të Ballkanit, siç u pëlqente të quheshin në të tjera kohëra, doli se qe identik me një kthim në Tiranë, në kohë pushimesh. Të njëjtat turma njerëzish me pasaporta në dorë, të ngjeshur para sportelit ku policë me fytyrë të balsamosur japin e marrin me vula e tastiera kompjuterash. Shija e fortë e Shqipërisë të ndjek edhe kur jashtë aeroportit në kërkim të një mjeti publik që të të shpjerë në qendër. Përreth të njëjtat fytyra, të mbërritura nga histori dyndjesh popuj të mbivendosur, që ashtu për shqiptarët e bëjnë të pamundur të vizatosh me mendje fytyrën a trupin e një rumuni tipik. Shumë lypësa romë, të vegjël të shfrytëzuar, dhe meso-burra e meso-gra të veshur me shijet e shqiptarëve ruralë dhe me po të njëjtën shprehi e mungesë vitaminash në fytyrë. Thonë se Shqipëria dhe Rumania kanë pasur diktaturat më të egra në Ballkan, dhe kjo i bashkon dy popujt më shumë se me ballkanasit e tjerë. Ashtu si edhe në Tiranë askush nuk di të të thojë ku niset autobusi i qendrës, ndërsa hyrja e aeroportit është një parkim i madh makinash ku familjarë e taksistë matrapazë masin me sy njerëzit që hyjnë e që dalin.

Bukureshti i Evropës
Përjetohet aromë Ballkani në Bukuresht. Por jo prej atij Ballkani, ekzotik, e turistik që rëndom e banalisht vërejnë perëndimorët e hutuar. Dhe gjithçka, bulevardet totalitariste, rrugicat parieziene të qendrës elegante, pallatet liberty, dhe atmosfera soc-realiste e pamirëmbajtur janë Evropë, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht, edhe pse Bukureshti të duket më afër Tiranës se sa Brukselit. “Rumania e vërtetë është në lindje – këshillojnë njerës të njohur e të panjohur  – në kufi me Moldavinë, atje ku globalizmi dhe BE-ja ende nuk kanë mbërritur”. Lind vetiu pyetja çfarë i ka sjellë këtij vendi BE-ja aq e ëndërruar nga gjithë sivëllezërit ballkanas.  “Integrimi në BE është një gjë e mirë – thotë recepsionisti i hotelit që ofron birra tuborg e barbeky falas për gjithë klientët pasditeve – por mua personalisht nuk më ka sjellë ndonjë gjë të madhe”. Si e pritën rumunët integrimin në BE, pyes një intelektual të njohur të këtyre anëve. “E pritën si në një dasmë, disa hanin, disa pinin, disa kërcenin, disa ziheshin, të tjerë shikonin nusen… si në një dasëm të zhurmshme ballkanase” përgjigjet me një fije humori rumun. Në mediat rumune një grup OJQ-sh ngritën së fundmi temën që prej kohësh duhet ngritur edhe në Shqipëri, çdo të thotë BE-ja për rumunët, dhe sipas sondazheve del se as vëllezërit rumunë megjithëse aq brenda BE- së tashmë,  nuk  kanë kuptuar më shumë se shqiptarët e mbetur jashtë porte. “Për mua integrim në BE do të thotë të udhëtoj i lirë, por këtu shumë pak veta mund t’ia lejojnë vetes një gjë të tillë. Nëse fiton 300 euro në muaj nuk e shijon edhe aq Evropën – është komenti më i shpeshtë.  “BE-ja ka sjellë më shumë para është evidente” thonë të tjerë.
Por në pamje të parë Bukureshti, dhe Rumania me përjashtim të asaj copëze mittel-evropiane në veri-perëndim të vendit, të duket ende një vend në paradhomë të Brukselit, ose ndoshta kriteret e pranimit janë ndryshuar, për të mos folur për strategjitë e heshtura që burokratët e Brukselit rrumbullakosin me çështjen relativiste të standardeteve.

Rumunë të shpërndarë

Janë kudo nëpër Evropë, dhe vera është periudha më e përshtatshme e vitit për të parë njerëz të ardhur nga gjithë perëndimi duke qarë hallet e përbashkëta të një emigrimi  të përbuzur. Këtu fushata anti-rumune në Itali, është përcjellë e plotë nga mediat e nga të afërmit, dhe Italia duket se po humbet sharmin e atdheut të latinitetit që i vishte me aq fanatizëm nacionalizmi viktimist rumun. “Në Itali më këshillonin të mos flisja rumanisht sepse mund të më keqtrajtonin” thotë Alina, një vajzë e sapokthyer nga Italia ku jeton e ëma – Shkova të takoja time më, që punon si badante në veri të Italisë, ajo për të gjetur punë u thotë njerëzve se është ukrainase, kështu është më lehtë të gjesh punë” sqaron. Por mirëinformimi nuk shlyen gjithë psetë dhe sa herë që përmendet Italia, bisedat përshkohen nga pshehrëtimat “përse, përse të na urrejnë kaq shumë…” 

Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Papa me origjinë shqiptare, Klementi XI dhe familja Albani

Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe