Gjonbalaj i ka dorëzuar dje Letrat kredenciale presidentit të Republikës Italiane Giorgio Napolitano
Romë,19 tetor 2012 – Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj, u prit më 18 tetor në Quirinale nga Presidenti i Republikës italiane, Giorgio Napolitano dhe i dorëzoi atij letrat kredenciale. Presidenti Napolitano, i uroi mirëseardhje Ambasadores Gjonbalaj duke theksuar se marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe do të thellohen edhe më tej. Ai shtoi se Italia, si gjithnjë deri më tani, do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Gjonbalaj përcolli përshëndetjet e popullit të Kosovës, Presidentes së Republikës Atifete Jahjaga dhe Kryeministrit Hashim Thaçi për Presidentin Napolitano dhe popullin italian. Duke e falënderuar për rolin e Italisë përgjatë të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Ambasadorja ritheksoi vendosmërinë e vendit të saj që si një shtet sovran dhe demokratik të vazhdojë rrugën e tij për të qenë anëtare e plotë e familjes së madhe evropiane.
Ambasadorja Gjonbalaj po ashtu ka veçuar angazhimin e shtetit të Kosovës për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me Italinë në të gjitha fushat.
Në ceremoni, Ambasadorja Gjonbalaj ishte e shoqëruar nga Këshilltari i Ambasadës, Avni Hasani dhe Konsulli, Petrit Prekazi, ndërsa Presidenti Napolitano e priti në në praninë e bashkëpunëtorëve të tij dhe të Ministrit italian për Çështje Krahinore, Turizëm dhe Sport, Piero Gnudi.
Ambasadori i parë i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, është emrëuar para pak ditëve drejtor i Akademisë Diplomatike të Kosovës, me seli në Prizren të sapo krijuar. Akademia Diplomatike e Kosovës si institucion publik do të merret me përgatitjen dhe formimin profesional të anëtarëve të personelit në shërbimin e jashtëm, duke u mbështetur në parimin se politika e jashtme moderne duhet të funksionojë duke u mbështetur në studim, hulumtim dhe ngritje të kapaciteteve permanente të stafit.
Akademia po ashtu do të hartojë dokumentet strategjike, relevante të politikës së jashtme, do të merret me trajnimin e diplomatëve të Kosovës, si dhe me organizimin e konferencave, forumeve, takimeve rajonale dhe seminareve për çështjet e politikës së jashtme si tërësi.