in

Calderoli kundër kanaleve humanitare: “Paratë t’i përdorim për të dëbuar klandestinët”

Senatori legist: “Italianët nuk i kanë dhënë për këtë qëllim 8 për mijë. E deri sa i gjejnë paratë për të sjellë refugjatët, le t’i gjejnë edhe për t’i nisur mbrapsht të parregulltit”.

Romë, 1 mars 2016 – Nuk duheshin sjellë në Itali. Sipas Roberto Calderolit, 24 familjet siriane që mbërritën dje në aeroportin e Fiumicinos falë një kanali humanitar duheshin lënë në Liban. E paratë të përdoreshin për të dëbuar imigrantë të parregullt.

“Dua të kuptoj – pyet senatori legist – pse 8 përmijë që qytetarët japing për Kishën Valdeze, në vend që të përdoren për këtë fe, u përdorën për të financuar fluturimin e organizuar për sjelljen në Romë të 93 sirianëve nga një kamp refugjatësh të Libanit. E dua të kuptoj pse këta persona janë marrë nga Libani, ku veç të tjerash, ka edhe ushtarë tanët që mbikëqyrin, dhe u sollën deri këtu, në një tjetër continent. Nuk kishte struktura të tjera apo kampe të tjera refugjatësh në Liban? Pse jo, në zona ku të ishin të pranishëm ushtarët tanë?”.

“Nuk e kuptoj. – vazhdon Calderoli – Vetëm dy muajt e parë të vitit kanë zbarkuar në brigjet tona 8 mijë imigrantë, asnjë prej të cilëve nuk është riatdhesuar edhe pse shumica janë klandestinë që vijnë nga zonat subsahariane, e Qeveria ç’bën? Mbështet një operacion, të paguar me paratë që qytetarët derdhin për të tjera qëllime, për të sjellë këtu të tjerë imigrantë, sikur të mos na mjaftonin ata që vijnë vetë. Madje qeveria flet edhe për fluturime të tjera, për të sjellë këtu të paktën një mijë refugjatë: me ç’para do të financohen këto fluturime? Gjithnjë me 8 për mijë? Në këtë rast, edhe sikur të pranojmë që këto para do të mjaftojnë, si do të financohen veprimtaritë e tjera për të cilat ishin dedikuar këto shuma fillimisht?”.

Sipas legistit, “nëse duam të krijojmë e të financojmë kanale humanitare mirë, por për t’i çuar në vendet fqinjë me ato nga vijnë refugjatët, jo për t’i sjellë në tjetër continent. Nga ana tjetër, nëse gjejnë paratë për të sjellë në Itali refugjatë, lë t’i gjejnë edhe për të nisur për në shtëpi të vet të gjithë të parregulltit që janë pjesa dërrmuese e imigrantëve të pranishëm këtu. Kemi harxhuar goxha për financimin e operacioneve të ndryshme si Mare nostrum, Poseidon apo Triton me të cilat kemi shkuar e i kemi marrë migrantët para brigjeve libike: tani të njëjtat burime le t’i përdorim për t’i rifutur në një avion për t’i kthyer nga erdhën meqë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë këtu”.

 

 

 

Filmi “Shok” hyn në histori, edhe pse s’fitoi Oskar

Shkarkohet konsullja e përgjithshme në Milano. Konsullata: “Nuk kemi shkelur ligjin”