in

Call Center-at me gjysmë çmimi të Tiranës

“Kërkoni shefin? Nuk është, ka shkuar të shohë zyrat e reja”. Qendrat telefonike, të ashtuquajturat call center, në Tiranë mbijnë si kërpudhat pas shiut në Pranverën dixhitale shqiptare. Punojnë vetëm për Italinë, zyra të vogla dhe të mëdha të mbushura me tavolina, kompjuterë dhe persona shumë të zënë me punë

Nga i dërguari i të përditshmes italiane La Repubblica në Tiranë, Paolo G. Brera

Tiranë

“Forca djema, le të lëvizim pak, më të shpejtë!”, -bërtet një vajzë që është pak a shumë 25 vjeçe dhe komandon 12 kolegë, secili në vendin e tij të punës, me kokën poshtë dhe kufjet në vesh. “Alo? Mirëmbrëma, telefonoj për t’ju propozuar një tarifë të re”, -thotë Erisa me një të folur me theks të rëndë, por gjithsesi jo aq sa ai që mund të ketë një italian nga Bresanone, Sassari ose Molfetta.

Mendoni për një kompani shumëkombëshe, pothuajse e keni gjetur. Vodafone, Tim ose H3G; Sky ose Mediashopping, Edison ose Sorgenia, Fastweb, British Telecom ose kë të dëshironi, në shtizën e qendrave telefonike që na shesin këtë apo atë, ose që na asistojnë mes kontratave dhe ofertave, gjithmonë e më shpesh valëvitet flamuri i kuq, ai me shqiponjën e zezë me dy krerë i Shqipërisë.

Edhe ata, pranë makinerisë së kafesë që u jep energji për të investuar në telefonatat drejt Italisë, mijëra djem e vajza bëjnë shaka me njëri-tjetrin në gjuhën tonë.

Shumëfishimi i këtyre ndërmarrjeve është marramendës. 7 vjet më parë nuk ekzistonte asnjë, sot janë të paktën 70 shoqëri që shesin nga të gjitha: “Madje edhe pelena, na thotë një e punësuar”, tregon Cesare Regolo i Albacall, filiali shqiptar i grupit kalabrez “Abramo” i hapur në Tiranë në vitin 2010.

“Kemi filluar në Shqipëri me 130 vende pune, tani kemi njëmijë në 5.000 metra katrorë, dhe do të arrijmë në 1.300 në 2013-ën”. Titullari i call centerit që ishte jashtë vendit për të hapur një zyrë të re, quhet Alessandro Gala, ai është italian dhe krijesa e tij – “Future Generation”, e hapur dy vjet më parë me një partner të ri shqiptar – numëron sot në radhët e saj 300 të punësuar.

Një mizë në krahasim me ushtrinë e Agron Shehajt, që pas diplomimit në Ekonomi në Firence mbaroi dhe një master në Bolzano. “Jam kthyer në Tiranë në vitin 2005, por prindërit vazhdojnë të jetojnë në Itali. Kur hapa call center-in e parë të kompanisë sime, IDS, klientët më pyesnin: “Në Shqipëri? Por nuk ka luftë? Tani unë kam dy mijë të punësuar, dhe fuçia nuk është as në gjysmë, ka shumë për të bërë para se të prekim fundin”.

Ndërsa flet për karrierën e tij si një yll biznesi, na shoqëron në sallat e reja, dy hapa nga  ish Blloku, lagjja e padepërtueshme e diktatorit Enver Hoxha e transformuar në zemrën e jetës së natës së Tiranës, ku janë hapur deri në katër të mëngjesit një xhungël restorantesh, kafenesh apo lokalesh moderne: “Kemi marrë 4 kate, jemi në rritje të vazhdueshme, tashmë kemi 8 seli në qytete të ndryshme. Këtu të gjithë flasin italisht, e kuptoj që dikush mund edhe të shqetësohet për këtë fakt”

I shqetësuar? Sindikatat italiane dridhen kur mendojnë 90 mijë familjet që jetojnë me pasigurinë dhe të ardhurat e ulëta të një sektori të brishtë, të vënë në rrezik nga konkurrenca shqiptare, rumune dhe tunizine. “Bota ku jetojmë nuk është më një botë të rinjsh. Sektori nuk është më një vend pune për të nxjerrë para xhepi gjatë universitetit – thotë Andrea Borgialli i sindikatës Fistel-Cisl – Mosha mesatare është rritur, të punësuarit janë 40 vjeç dhe me familje, e kemi fjalën për 50 mijë të punësuar dhe 40 mijë me kontrata të shkurtra. Dhe tregu kërkon përditë e më shumë fleksibilitet dhe kosto më të ulët të punës”. Për çdo kontratë agjencitë shumëkombëshe pretendojnë ulje: kështu në Itali mbyllen dyqanet dhe shitëset largohen jashtë vendit. Rreziku social është shumë i lartë. “Ligji i ministres Fornero– vijon Borgialli – ka respektuar shumë nga kërkesat tona, si mbrotjen e të dhënave të ndjeshme. Kemi kërkuar që klienti të zgjedhë vetë ku dëshiron t’i përpunohet praktika.

“I shqetësuar? Pak, – qesh Agroni. – Janë klientët tanë ata që na sigurojnë se do të vazhdojnë të investojnë këtu. Është në interesin e tyre. Le që, nuk e kuptoj: kur shqiptarët zbarkonin valë valë, italianët ishin gati të paguanin për t’i kthyer mbrapsht, por diçka duhet të na lini të bëjmë, apo jo?”.

Fakti është se dy realitetet të vëna përballë janë të pamëshirshme: në Itali, greva dhe mallkime për punën e paqëndrueshme; në Shqipëri, fytyra e qeshur e Jetmira Ramollit: “Unë punoj në call center që prej moshës 17-vjeçare dhe në atë kohë isha në gjimnas, tani jam 24 dhe studioj në Ekonomik në universitetin e Tiranës. Punoj gjashtë orë në ditë dhe fitoj 350 euro në muaj: një rrogë e shkëlqyer. Marr më shumë se një kamariere apo një shitëse dhe kam orar fleksibël që më lejon të studioj”. Në Itali, për gjashtë orë, paga mesatare është 850 euro, dhe bizneset nuk kanë normën e sheshtë të tatimit me vetëm 10% mbi të ardhurat e biznesit dhe ato personale, si në Shqipëri.

Pushtimi fashist projektoi strukturën urbanistike dhe artitekturore të Tiranës, me bulevardin e madh rreth të cilit qëndrojnë pallatet e pushtetit. Në vitet e errëta të diktaturës komuniste i kemi mahnitur me Carrà-në, me lirinë e viteve ’70 dhe begatinë e viteve ’80.

“Nuk reshtëm kurrë së qeni një koloni italiane, – thotë Agroni, – dhe nuk na vjen keq për këtë: importojmë nga Italia 70% të mallrave, gjithçka është italiane: nga uji mineral deri tek makaronat, nga mobiliet e deri tek pajisjet elektrike. Jemi të dashuruar me Italinë, por italianët që nuk na kanë shumë për zemër.

Roma është sponsor për afrimin e Shqipërisë në Evpropë: “Jemi të parët në ndërkëmbim, – tregon ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani – janë rreth 26 lidhje në 9 qytete italiane dhe interesi i sipërmarrësve është i dukshëm: në fushën e energjisë, të industrisë dhe telekomunikacionit kemi më shumë se 400 ndërmarrje, por nevojitet që Shqipëria të bëjë hapa të tjerë përpara në luftën kundër korrupsionit, përcaktimin e njohjen e pronës private dhe në sigurinë e ligjit të të drejtës”.

Ndërkaq bizneset me fitim i kanë realizuar të tjerët. “Austriakët në banka dhe në kompanitë e sigurimit, amerikanët në kontratën me mega tenderin prej njëmijë miliardë eurosh për autostradën drejt Kosovës – thotë drejtori i të përditshmes Mapo, Artur Zheji – arabët në hotele, ndërsa italianët kanë spekuluar me lehtësimet fiskale dhe rrezikuar pak, industritë e mëdha deri tani nuk janë vënë në lëvizje”.

Në sektorin tekstil, fabrikat komuniste u konvertuan në stilin kinez për të prezantuar modën italiane. Tani mbërrijnë call center-at: investime të vazhdueshme, rezultate të shpejta. Grupi Abramo, me bazë në Caraffa të Cantazaros dhe 3.500 operatorë në Itali, fitoi kontratën për qendrën botërore të mbrojtjes së konsumatorit të Alitalia-s. Në të gjitha vendet e botës kush prenoton një biletë, ndryshon një udhëtim, apo i duhet të përdorë kartën “Millemiglia” të kompanisë Alitalia duhet të flasë me Albacall në Tiranë.

Në të gjitha gjuhët me përjashtim të njërës: “Tani për tani, call center për gjuhën italiane janë akoma në Itali”. Por edhe pse nuk mund të thuhet ende, është vetëm “çështje kohe”.

Lexo artikullin në origjinal: L’italiano low cost dei call center di Tirana

Mio nonno era italiano, posso avere la cittadinanza?

E ardhmja shqiptare e italianëve