in

Çek familjar për të huajt me kartë qëndrimi

Gjykatësi: “Janë njësoj si shtetasit italianë”. ASGI shkon përpara: “Tani edhe atyre që kanë vetëm leje qëndrimi”

Romë, 5 tetor 2010 – Çeku i INPS-it për familjet me shumë pjesëtarë është një ndihmë ekonomike, rreth njëqindetridhjetë euro në muaj, që u njihet  familjeve me të ardhura të ulëta me të paktën tre bij të mitur, fillimisht rezervuar vetëm shtetasve italianë. Me kalimin e kohës e drejta e çekut u është shtrirë edhe shtetasve komunitarë, refugjatëve politikë dhe titullarëve të lejeve të qëndrimit për mbrojtje.

Këtej e tutje e drejta e çekut u shtrihet edhe shumë të tjerëve, falë një sentence të Gjykatës së Gorizias. Sepse më 1 tetor gjykatësi i punës ka pranuar ankimin e paraqitur nga kosovari Azem Saljihu dhe nga ASGI, shoqata e studimeve juridike mbi imigracionin, kundër komunës së Molfancones që i kishte mohuar çekun, për shkak se është jokomunitar.

Azemi ka kartën e qëndrimit në xhep (që sot quhet edhe lejeqëndrim evropian për qëndruesit afatgjatë), dhe sipas një direktive evropiane, ky dokument duhet të mjaftojë për të barazuar kosovarin me qytetarët italianë porsa u përket shërbimeve të asistencës sociale. I mbështetur nga ASGI, ai ka hedhur në gjyq komunën për diskriminim.

Gjykatësi i ka dhënë të drejtë, duke pohuar që trajtimi i pabarabartë mes shtetasve italianë e komunitarë, nga njëra anë, dhe atyre jokomunitarë me lejeqëndrim CE për qëndrues afatgjatë, nga ana tjetër është e paligjshme. Komuna e Monfalcone-s dhe INPS duhet t’i japin Azemit jo vetëm shumat që i takojnë por duhet t’i paguajnë edhe interesat për vonesën.

Sidoqoftë beteja e ASGI_t nuk mbaron me kaq. Shoqata do të promovojë kauza të tjera për t’i hapur rrugën njohjes së çekut social edhe të huajve me lejeqëndrim të thjeshtë, në emër të parimeve kushtetuese të barazisë e arsyeshmërisë dhe të ndalimit të diskriminimit bazuar mbi kombësinë.

Shkarko sentencën e gjykatës së Gorizias

Shtetësia: Kohët e pritjes shumë të gjata, ç’mund të bëjmë?

Muner paraqet “Një histori shkodrane” në Trieste