in

Çeku familjar. Edhe imigrantëve për gjithë vitin 2013

Gjykata e Milanos: “Është diskriminuese t’u kufizosh të drejtën e çekut të huajve vetëm për gjashtëmujorin e dytë”. Tani Komunat duhet të pranojnë kërkesat e INPS duhet të paguajë

Romë, 27 maj 2014 – Imigrantët me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë kanë të drejtën e çekut të Komunave për familjet me shumë pjesëtarë njësoj si italianët. E mund ta kërkojnë për të gjithë vitin 2013, jo vetëm për gjashtëmujorin e dytë të vitit të shkuar.

E thotë Gjykata e Milanos që, në përgjigje të ankimimit të shoqatave ASGI dhe Avvocati per niente (APN), ka hedhur poshtë si diskriminues qëndrimin e deritanishëm të INPS-it që jep këtë kontribut.

Çeku për bërthamat familjare me shumë pjesëtarë, i parashikuar fillimisht vetëm për shtetasit italianë dhe të BE-së u është shtrirë – pas një beteje të gjatë gjyqësore e çuar përpara nga dy shoqatat dhe e bazuar mbi barazinë e trajtimit të përcaktuar nga direktiva 2003/109 – edhe të huajve me qëndrim afatgjatë me ligjin 97/2013.

INPS dhe Ministria e Punës, – edhe pse pranuan që e drejta buronte nga direktiva evropiane dhe që ekzistonte edhe përpara modifikimit të ligjit italian – pohuan menjëherë se përfitimi i çekut mund t’u njihej të huajve vetëm nga korriku 2013 për arsye financiare. Për rrjedhojë të këtij orientimi të huajve, vënë në dukje ASGI dhe APN, iu mohua padrejtësisht gjysma e shumës së çekut, që është rreth 1.000 euro.

Për më tepër, situata që pasoi është paradoksale dhe e ngatërruar: disa Komuna i japin INPS-it emrat e të huajve si persona që e kanë të drejtën për të gjithë vitin (e pas këtij komunikimi INPS paguan të gjithë vitin), disa Komuna kanë qëndruar në pritje të sqarimeve, e të tjera akoma kanë përcjellë emrat e të huajve duke iu referuar vetëm gjashtëmujorit të dytë. Madje INPS i Bergamos ka nisur punën për rikuperimin e shumës së gjashtëmujorit të parë nga të huajt për të cilët Komuna kishte njohur të drejtën e çekut për të gjithë vitin e shkuar.

Tani Gjykata e Milanos sqaron se të huajt me qëndrim afatgjatë kanë të drejtën e çekut për të gjithë vitin e shkuar dhe ka deklaruar diskriminuese qarkoren e INPS-it nr. 4 të 15 janarit 2014 “në pjesën ku pohon që e drejta e çekut … fillon vetëm nga 1 korriku 2013 dhe përcakton që komunat të pranojnë kërkesat vetëm për gjashtëmujorin e dytë”. Gjykata ka urdhëruar INPS-in t’i japë fund kësaj sjelljeje diskriminuese e të shfuqizojë qarkoren, duke e reklamuar këtë fakt në faqet e tij internet.

Pasojat e këtij vendimi të rëndësishëm, nënvizojnë ASGI dhe APN, janë të menjëhershme. Sa më parë, INPS duhet të zhvleftësojë qarkoren (në të kundërt sanksionohet penalisht) në mënyrë që Komunat të mund të mbledhin kërkesat që i referohen të gjithë vitit të shkuar e t’ia përcjellin menjëherë Institutit të Sigurimeve Shoqërore që ky të japë shumat.

“Shoqatat tona – përfundojnë – i kanë hyrë punës për të siguruar respektimin e menjëhershëm të vendimit të gjykatës e për të mbyllur kështu këtë çështje që zgjat prej shumë kohësh e që detyron të huajt të ndjekin kot një rrugë të gjatë gjyqësore për një të drejtë të njohur gjithnjë nga Gjykatat e së fundi edhe nga Strasburgu”.

Lexo komentin e Shoqatës për Studimet Juridike mbi Imigracionin

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shqipëria mpaket e plaket për shkak të emigracionit

Kur ripërtërihet leja e qëndrimit, duhet lajmëruar Komuna?