in

Censusi italian. ISTAT: “Imigrantët e zhdukur? Kanë ikur ose janë kthyer në klandestinë”

 

Mëse 800 mijë të huaj të regjistruar në Zyrat e Gjendjes Civile nuk i janë përgjigjur Censimentit dhe tani rrezikojnë të hiqen nga listat e pbanorëve të komunave. Eksperti: “Të dhënat nuk janë përfundimtare, nuk mund të themi me saktësi sa është gabimi, por nuk presim ndryshim të madhe të shifrave”

Romë, 9 maj 2012 – Mes rezultateve të para të Censimentit që ISTAT dha pak ditë më parë, njëri është veçanërisht i çuditshëm. Të huajt e numëruar nga pyetësorët e dorëzuar të censimentit janë 3.769.518, ndërsa më 1 janar 2011 rezultonin të regjistruar në në zyrat e Gjendjes Civile të komunave italiane 4.570.317. Mungojnë 800.799 persona. Është njësoj si të ishin zhdukur papritur e pakujtuar të gjithë banorët e Tiranës. Ku kanë përfunduar gjithë këta njerëz? Për të kuptuar diçka më shumë në këtë pikë, stranieriinitalia.it i është drejtuar Giuseppe Sindonit, përgjegjës ISTAT për shërbimin e regjistrimit të popullsisë.

Para së gjithash, a janë përfundimtare këto shifra?

Jo, janë shifra paraprake, sepse mungojnë krahasimet me pyetësorët në letër që ende nuk kanë mbërritur në qendrën e mbledhjes së të dhënave. Çdo komunë na ka nisur në kohë reale, të dhënat përmbledhëse, përfshirë ato mbi të huajt, ndaj nuk presim që shifrat përfundimtare të ndryshojnë shumë nga të tanishmet. Të dhënat përfundimtare mbi popullsinë legale do të mbërrijnë në fund të vitit.

Edhe nga qytetet e mëdha i keni marrë të dhënat përmbledhëse?

Për 12 komuna (Cagliari, Firenze, Livorno, Messina, Milano, Napoli, Perugia, Prato, Ravenna, Roma, Salerno e Torino) kemi vetëm të dhënat e përllogaritura, sepse ende nuk kishin mbaruar.

E si e keni bërë përllogaritjen?

Sipas ecurisë së ndeshur deri në atë çast. E thënë me dy fjalë: nëse për 4 javë kanë numëruar 100 të huaj, kemi përllogaritur që në dy javët e tjera të nevojshme për përfundimin e të gjithë pyetësorëve të mbledhur do të gjejnë edhe 50 të tjerë. Në Romë, Milano e Napoli, kjo rrugë e përdorur mund të sjellë numërimin me të metë të të huajve ëefektivisht të pranishëm. Sepse në këto qytete Komunat kanë kërkuar ndihmën e ndërmjetësuesve kulturorë dhe të shoqatave për mbledhjen e pyetësorëve nga të huajt, pyetësorë që kanë mbërritur më vonë, pra që janë numëruar në fund. Pra shifra e përllogaritur mund të jetë më e ulët se realja. Por gjithsesi jemi të mendimit se nuk kemi arritur të numërojmë vetëm disa dhjetëra mijëra persona, ndaj si numër të përgjithshëm të banorëve në Itali do të rikuperojmë shumë pak”.

Si shpjegohet atëherë “zhdukja” e 800 mijë personave?

Me lëvizshmërinë më të lartë të popullsisë së huaj, që u vështirëson komunave mbajtjen e përditësuar të listave të bqanorëve. Nëse një i huaj vendos të transferohet në një shtet tjetër, nuk para ia komunikon këtë komunës, e cila nuk e heq deri sa nuk vjen censimenti i radhës, kështu që e konsideron rezident edhe nëse ka ikur prej vitesh.

E nëse nuk ka shkuar jashtë shtetit por në një komunë tjetër italiane?

Kemi ngritur një sistem për të rikuperuar këto raste, duke përdorur disa “sinjale pranie” që na arrijnë për shembull nga listat e lejeve të qëndrimit apo nga listat e taksapaguesve. Në komunat e mëdha, duke u bazuar në numrat e shtëpive kemi dërguar edhe anketuesit të trokasin derë më derë të banesave ku nuk kishim nisur formularët. Kjo praktikë na ka lejuar të numërojmë mbi 170 mijë të huaj që ishin të pranishëm në Itali edhe pa qenë të regjistruar në zyrat e gjendjes civile.

Çfarë ju shtyn të mendoni se të gjithë imigrantët kanë marrë vërtet dhe kanë përpiluar formularët e censimentit?

Tani jemi duke bërë të ashtuquajturin “hetim mbi cilësinë”. Është ky një censiment tradicional, derë më derë, në disa zona të zgjedhura rastësisht, për të kuptuar kush është numëruar mes atyre që duhet të numëroheshin. Ky hetim do të mundësojë nxjerrjen e masës së gabimit të mundshëm në numërim.

Pra deri në fund të këtij hulumtimi nuk do të mund të dihet sa imigrantë të rregullt nuk janë më në Itali?

Natyrisht duhet të presim që të mbarojë hulumtimi mbi gabimin. Por sipas nesh, pjesa më e madhe e atyre 800 mijë imigrantëve janë persona që janë larguar nga Italia, që janë kthyer në atdhe apo që nuk kanë më lejen e qëndrimit të vlefshëm e kështu që nuk bëjnë më pjesë në popullsinë që është objektiv i censimentit.

Ç’qëndrim keni parë se mbajnë imigrantët e numëruar?

Kemi pasur feedback pak a shumë sporadike e kështu që nuk mund të nxjerrim përfundime përgjithësuese. Në vija të përgjithshme ka pasur bashkëpunim, mbi të gjitha kur ka qenë e qartë që të mos përgjigjeshe sillte sanksione. Në këtë aspekt kemi pasur kemi pasur shumë kërkesa informacioni, në Romë ishin përhapur thashetheme të pakontrolluara sipas të cilave kush nuk dorëzonte formularët rrezikonte burgun.

E në të vërtetë çfarë rrezikojnë ata 800 mijë personat “e munguar”?

Çdo komunë do të bëjë një verifikim të mëtejshëm për të kuptuar nëse ata jetojnë akoma në territor, e më pas nëse nuk i gjen, do të duhet t’i fshijë nga listat e banorëve.

Nëse janë transferuar në komuna të tjera, fakti që po hiqen nga Zyra e Gjendjes Civile të komunës nga vjen do t’u ndalojë atyre regjistrimin në një komunë tjetër?

Jo. Nëse dikush është numëruar në një komunë tjetër, ai do të këshillohet të regjistrohet në Zyrën e Gjendjes Civile, por edhe nëse nuk është numëruar askund mund të kërkojë regjistrimin në komunë. Edhe në këto raste, Komuna duhet të bëjë verifikimet e zakonshme.

Cilat janë rezultatet kryesore të censimentit të emigrantëve?

Para së gjithash që në krahasim me vitin 2001 ata thuajse janë trefishuar në numër, po ashtu si edhe në përqindje, në raport me popullsinë e përgjithshme të Italisë, duke shkuar nga 2,3 në 6,3%, dhe se shpërndarja mbi territor, e përqendruar për dy të tretat në veri, konfirmohet. Ka edhe shumë realitete lokale të rëndësishme, si fakti që janë imigrantë16% e të regjistruarve në qytete të mëdha si Brescia, apo 36% në një fshat të vogël si Rocca De’ Giorgi, në provincën e Pavias. Sigurisht, është meritë thuajse ekskluzive e imigracionit nëse në dhjetë vitet e fundit është rritur numri i të huajve në Itali”.

Elvio Pasca

Il Naufragio di Katër i Radës al ‘Maggio dei migranti’

Dënohet me rreth 19 vjet Quinci për vrasjen e të shoqes, Rajmonda Zefit