in

Censusi italian. Komunat në kërkim të të huajve të zhdukur

Thirrje që të bëhen të gjallë dhe policë të qytetit derë më derë të atyre që nuk kanë dorëzuar formularët e përpiluar të censimentit. Shoqata e gjendjeve civile të komunave: “Ka shumë imigrantë të rregullt që nuk janë numëruar. Puna më e madhe nis tani”.

Romë, 28 maj 2012 – Ku kanë përfunduar 800 mijë imigrantët e zhdukur nga Censusi i fundit? Ishin 4 milionë e gjysmë rezidentët e rregullt të regjistruar në zyrat e Gjendjes Civile të komunave italiane në fillim të vitit 2011, por sipas të dhënave të para të censusit janë 3.769.518 të huajt që kanë përpiluar formularët. Mungojnë plot 800.799 persona.

Pyetja “Ku kanë shkuar këta të huaj që mungojnë?” u intereson shumë komunave italiane, të cilat n bazë të censusit duhet të përditësojnë listat e tyre të Gjendjes Civile. Praktikisht kush nuk është përgjigjur dhe që në një kontroll të mëtejshëm nuk do të rezultojë i pranishëm në adresën e rezidencës, do të fshihet nga regjistrat e banorëve. Por, për të huajt një gjë e tillë – humbja e rezidencës edhe vetëm për pak kohë – mund të ketë pasoja të rënda sepse për shembull pamundëson përmbushjen e kriterit të qëndrimit të vazhdueshëm në Itali për marrjen e shtetësisë.

“Për zyrat komunale, puna më e madhe nis tani. Duhet krahasuar fotografia e popullsisë e shkrepur me censusin me atë që rezultonte në regjistrat e popullsisë, duke u përqendruar në mospërputhjet, dhe duhet verifikuar çdo rast. Kam frikë se shumë imigrantë, edhe pse akoma në Itali me lejeqëndrim të rregullt, nuk janë numëruar” shpjegon Igor Zirilli, nënkryetar i shoqatës së Gjendjeve Civile të Komunave, DEA.

Pse nuk janë përgjigjur? “Arsyet – shpjegon eksperti – mund të jenë të shumta. Ka nga ata që nuk kanë marrë formularin, nga ata që e kanë marrë por nuk kanë kuptuar ç’ishte, apo të tjerë që për mosbesim nuk i kanë përpiluar. Të tjerë akoma mund të gjenden në situata të veçanta, për shembull, janë përkohësisht në shtëpi të të tjerëve që nuk duan që të rezultojnë rezidentë në apartamentin e tyre për të mos humbur kriteret e “përshtatshmërisë së vendbanimit” për një bashkim familjar të mundshëm”.

 Por gjithsesi askush nuk duhet të ketë frikë sepse heqja nga regjistrat e Gjendjes Civile nuk është automatike. Efektivë të policisë urbane do të trokasin derë më derë të shtëpive të “të zhdukurve”, e nëse këta e hapin mund të konfirmojnë që jetojnë akoma aty, duke shmangur në këtë mënyrë humbjen e rezidencës. Shumë Komuna po i paraprijnë të keqes duke u bërë thirrje të huajve “të humbur” të bëhen të gjallë.

Komuna e Ragusës, për shembull, ka botuar në faqen e saj internet këtë lajmërim: “Me qëllim që të mos fshihen për shkak të mos-përgjigjes së censusit, personat e panumëruar por të regjistruar në regjistrin e popullsisë së komunës këshillohen të paraqiten urgjentisht në Zyrën e Gjendjes Civile për të konfirmuar rezidenën e tyre. Të huajt jokomunitarë rezidentë por që nuk i janë përgjigjur censusit, duhet të tregojnë që kanë prani të rregullt në territorin italian”.

“Këto lajmërime janë nisma pozitive, praktikisht Komunat po thonë “nëse jeni këtu, bëhuni të gjallë”, në interes të qytetarëve të panumëruar” komenton Zirilli. Por a nuk ka rrezik që ata që bëhen të gjallë sot, mund marrin ndonjë gjobë pse nuk kanë përpiluar formularin e censusit? “Kush është akoma në Itali dhe ka leje qëndrimi nuk mund të fshihet. Heqja nga regjistrat e komunave duhet t’i trembë shumë më tepër se ndonjë gjobë e mundshme”.

Elvio Pasca

 

FIFA i njeh Kosovës të drejtën e ndeshjeve miqësore

Nikollë Lesi i shkruan Ismail Kadaresë: “Bëhuni presidenti ynë”