Gjykata e Apelit e Brescias hedh poshtë ankimin e INPS-it. Trajtim i barabartë mes migrantëve me kartë qëndrimi dhe qytetarëve italianë
Romë, 3 maj 2016 – Nëse kanë në xhep kartën e qëndrimit, punonjësit e huaj kanë të njëjtat të drejtën e çeqeve familjare edhe për bijtë që nuk jetojnë në Itali. Përndryshe do të diskriminoheshin padrejtësisht kundrejt italianëve për të cilët ky rregull nuk ekziston.
Gjykata e Brescias e kishte thënë që në 2015-tën, tani gjykata e apelit të Brescias e ka ripohuar në dy sentenca të ngjashme, duke konfirmuar vendimet e marra nga gjykatësit në shkallë të parë.
INPS nuk donte t’u paguante çeqet, sepse sipas normativës italiane mbi çeqet familjare (ligji 153/88) nuk duhet konsideruar pjesë e bërthamës familjare “bashkëshorti dhe bijtë që nuk kanë rezidencën në territorin e Republikës. Një përjashtim parashikohet vetëm nëse mes Italisë dhe vendlindjes vendlindjes ka një marrëveshje reciprociteti lidhur me trajtimin e familjes”.
Por ajo normativë është në kundërshtim me direktivën evropiane 109/2003, që barazon me italianët të huajt mbajtës të një lejeqëndrimi BE për qëndruesit afatgjatë (e ashtuquajtura karta e qëndrimit) përsa u përket “shërbimeve sociale, asistencës sociale dhe mbrojtjes sociale”. Një barazi që shtetet anëtare mund edhe të zgjedhin të kufizojnë vetëm në shërbimet “parësore”.
Dhe sipas gjykatësve, çeqet familjare janë një ndihmesë asistenciale që kanë për qëllim “të sigurojnë një mbrojtje në favor të familjeve në kushte efektive nevoje ekonomike”. Për më tepër bëhet fjalë për një ndihmesë asistenciale “parësore”, sepse në përputhje me kartën e të drejtave themelore të BE-së, shërben për “të garantuar një jetesë dinjitoze të gjithë atyre që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme”.
Kështu që në këtë rast, nuk mund të bëhen dallime mes shtetasve italianë e qytetarëve të huaj me kartë qëndrimi. Direktiva evropiane është më e fuqishme se ligji italian dhe INPS duhet ta zbatojë. Ja pse ata punonjës të huaj të përfaqësuar legalisht nga avokatët Livio Neri e Alberto Guariso, kanë të drejtën e çeqeve familjare edhe për bijtë që jetojnë larg.