in

Ç’është Censusi

Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë që do të zhvillohet në periudhën 1- 21 tetor 2011. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme e cila siguron një informacion te detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.

Për çfarë shërben Censusi?

Censusi jep një përshkrim të detajuar të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri. Sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata, dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë. Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.
Ja sqarimet që jep Instituti Statistikor mbi disa nga pikëpyetjet që ngrihen rreth procesit të Censusit.

Kush e drejton procesin?

INSTAT, instituti i statistikave të Republikës së Shqipërisë do të drejtojë Censusin e banesave dhe të popullsisë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Censusi bazohet në ligjin e Censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, Nr. 8669, datë 26.10.2000, ndryshuar me ligjin nr. 10442, data 07.07.2011 “ Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 496, datë 26.10.2000.” INSTAT ka mbështetjen teknike të Bashkimit Evropian për përgaditjen dhe zbatimin e Censusit, si dhe për diseminimin e të dhënave.

Kush do të numërohet?

Njerëzit që jetojnë në Shqipëri – përfshirë rezidentet e huaj – të gjithë që kanë qëndruar minimumi 1 vit, ose me qëllim për të qëndruar të paktën një vit. Vetëm diplomatet nuk do të numërohen. Nëse në apartamentin tuaj ndodhet si qiramarrës një shtetas i huaj, ju lutem lejojeni anketuesin të takohet me të. Njësitë ekonomike familjare, banesat (të banuara apo jo) banesat kolektive të banuara do të përfshihen në numërim gjithashtu.

Sa pyetje përmban formulari dhe sa nga këto janë të detyrueshme për t’u plotësuar?

Ekzistojnë 4 pyetësorë për të kryer Censusin e Popullsisë dhe Banesave. Pyetësori i ndërtesave që përmban 3 pyetje, pyetësori i banesave me 9 pyetje që përmban informacion mbi karakteristikat e banesës, si psh lloji i banesës, statusin e banimit a ka ngrohje etj. Pyetësori i njësive ekonomike familjare i cili përmban 8 pyetje dhe merr informacion mbi pajisjet që ka një ekonomi familjare si dhe pyetësori individual i cili përmban 40 pyetje.

Pyetësori i fundit përmban pyetjet për karakteristikat demografike, migracionin, arsimin, punësimin, lindshmërinë etj. Të gjitha pyetjet janë të detyrueshme me ligj për t’u përgjigjur përveç 2 pyetjeve të fundit në pyetësorin individual që janë Feja dhe Etnia, pyetjet e vetme ku qytetarët nuk janë të detyruar për tu përgjigjur dhe kanë opsionin të shkruajnë “preferoj të mos përgjigjem”.

Pse pyesni rreth besimit fetar dhe etnik?

Individët mund të tregojnë në Census etninë dhe besimin e tyre fetar nëse ata dëshirojnë, por sigurimi i këtij informacioni nuk është i detyrueshëm. Ky është një parim në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara japin disa rekomandime lidhur me këtë pike. Në “Parimet dhe Rekomandimet për Censusin e Popullsisë dhe Banesave 2008” thuhet: të dhënat etno-kulturore janë të rëndësishme për të kuptuar diversitetin kulturor të një popullate, pozicionimin e grupeve etnike në shoqëri si dhe për hartimin dhe monitorimin e politikave antidiskriminuese.” Shumë shtete e përdorin këtë informacion për të kuptuar proceset e integrimit të emigrantëve dhe fëmijëve të tyre. Ky informacion gjithsesi është vullnetar, kështu që asnjëri nuk është i detyruar të tregojë besimet e tij kundër dëshirës së tij/saj.

Çfarë është një grup etno- kulturor ?

Parimet dhe Rekomandimet e Kombeve të Bashkuara për Censusin e popullsisë dhe banesave,botimi 2008, thonë që: “Etnia bazohet në njohuri të përgjithshme të historisë dhe origjinës territoriale (regjionale,kombëtare) të një grupi ose komuniteti etnik si dhe karakteristika të veçanta kulturore: gjuha dhe/ose besimi fetar dhe/ose mënyra dhe zakonet specifike te jetesës.”

A ka ndonjë pasoje mbi deklaratat e mia se cilit besimi fetar dhe grup etno- kulturor i përkas ? Cfare ndodh nëse nuk i deklaroj ?

Përgjigja juaj për pyetjen mbi besimin fetar dhe grupin etno-kulturor nuk ka asnjë pasojë. Edhe nqse ju nuk përgjigjeni, nuk do ketë asnjë pasojë.

Pse i shkruani emrat e të gjithë familjes time kur thoni që të dhënat janë anonime?

Të dhënat personale përdoren vetëm gjate fazës së numërimit për të siguruar që një pyetësor individual është plotësuar për çdo person, por ato nuk do të përdoren në asnjë mënyrë pas përfundimit të kësaj faze. Të dhënat do të përdorën vetëm në formë të agreguar dhe jo të personalizuar.

Kush do t’i përdorë të dhënat e Censusit?

Qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjensitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partneret rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, OEBZH, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, dhe shume homologe te tjera ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë me të dhënat e mia?

Ligji garanton mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin e të dhënave personale. I gjithë informacioni i mbledhur do të jetë konfidencial dhe do të shërbejë vetëm për të nxjerrë të dhënat zyrtare të Censusit dhe statistikat e tij. Pyetësorët do të jenë të sigurt dhe vetëm INSTAT do të mund te kryejë hedhjen dhe përpunimin e të dhënave. Informacioni personal i Censusit mbahet konfidencial. Të dhënat e Censusit do të përdorën vetëm si shifra të agreguara dhe do të shërbejnë vetëm për të publikuar të dhënat dhe statistikat zyrtare të Censusit.

Si do t’i mbrojë INSTAT të dhënat e mia?

Ju mund të ndjeheni të sigurtë rreth ndarjes së informacionit personal me ne sepse: Informacioni personal i Censusit është i mbrojtur me ligj; I gjithë stafi i Censusit është i lidhur me konfidencialitetin nëpërmjet angazhimeve ndividuale; Ne e përdorim informacionin tuaj në formë të agreguar dhe vetëm për qëllime statistikore; Të gjithë pyetësorët e Censusit janë përpunuar në Shqipëri në ambientin e INSTAT.

Si do ta njoh një anketues?

Anketuesit kane një karte identifikimi zyrtare dhe përdorin pyetësorin zyrtar të Censusit.

A duhet t’ia tregoj kartën time të identitetit numëruesit?

Jo! Të dhënat personale (data e lindjes, vendlindja, gjendja civile, etnia, shtetësia, shkollimi, etj) do të mblidhen mbi baza të deklarimit vullnetar. Megjithatë ju mund të përdorni kartën tuaj të identitetit dhe çdo dokument tjetër nëse ju ndihmon të jepni informacion të saktë.

Si do të organizohet?

Censusi është i bazuar në metodat tradicionale të Censusit në mbledhjen e të dhënave derë më derë në të gjithë Shqipërinë. 15.000 njerëz janë të punësuar për numërimin, mbikëqyrjen, kontrollimin dhe mbështetjen e logjistikës. Anketuesi i zonën tuaj do t’ju vijë në banesë, dhe ai ose ajo do të plotësojë pyetësorin në përputhje me informacionin që ju do të jepni.
 

A është Shqipëria i vetmi vend që po realizon Censusin?

Jo. Rreth 200 shtete në të gjithë botën realizojnë Censuse të rregullta. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inkurajojnë të gjitha shtetet që të mbledhin informacione të tipit të Censusit. Censuset janë zakonisht të realizuara në intervale 10 vjeçarë në data të përafërta me shtete të tjera të botës. Kjo garanton që krahasimi i të dhënave midis shteteve të jetë i mundshëm dhe i besueshëm.

Për çfarë do të përdorën të dhënat e Censusit?

Politikëbërësit dhe vendimmarrësit i përdorin të dhënat e Censusit për të planifikuar një gamë të gjerë shërbimesh në përputhje me nevojat e njerëzve. Institucionet akademike i përdorin të dhënat e Censusit për kërkime demografike, shkenca sociale, ekonomi, mjedis, menaxhim publik, edukim dhe shumë të tjera. Të dhënat e Censusit janë gjithashtu të rëndësishme për biznesin dhe zhvillimin ekonomik. Të dhënat e mbledhura të Censusit japin një profil të detajuar të tregut të punës, nivelin e shkollimit të personave të punësuar, tregojnë zonat me papunësinë më të lartë, nevojat për ndërhyrje shtetërore dhe programe edukimi. Të dhënat e sakta ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë duke siguruar të dhëna esenciale për investitorët dhe programet e ndihmës.

A jam unë i detyruar të përgjigjëm?

Po. Të gjithë njerëzit që jetojnë në Shqipëri,vendas dhe të huaj, me përjashtim të stafit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët janë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në kohën e Censusit, janë të detyruar të sigurojnë saktësisht informacionin e kërkuar për Censusin, për veten dhe të afërmit e tyre. Pjesëmarrja në Census e të gjithë njerëzve që jetojnë në Shqipëri është një detyrim shoqëror dhe komunitar.

A ka pasoja ligjore ose tatimore mbledhja e të dhënave të Censusit?

Jo! Të dhënat e mbledhura nuk kanë pasoja ligjore. Ato nuk mund të përdorën për ndjekje penale ose tatimore.

Si do të numërohem nëse nuk kam shtëpi?

Të gjithë personat qe nuk kane një banese do të konsiderohen të pastrehë dhe do të regjistrohen si të tillë. Vetëm pyetësori individual do të plotësohet prej tyre.

Po nëse asnjë pjesëtar i familjes time nuk është në shtëpi gjate vizitës së anketuesit?

Nëse asnjë pjesëtar i familjes nuk do të jetë prezent në banesë gjatë vizitës, numëruesi do të lerë një njoftim për të ju informuar për datën dhe kohen e vizitës tjetër duke lënë numrin e tij/saj të telefonit kështu që familja mund ta kontaktojë, dhe nëse është e nevojshme të bien dakord për një datë tjetër.

Ku mund të gjej informacion shtesë rreth Censusit?

Për më shumë informacion ju lutem vizitoni adresën e faqes së internetit te Censusit: ëëë.census.al ose nëse keni pyetje të tjera në lidhje me çështje të tjera të Censusit ju lutem na dërgoni një e-mail në: info@instat.gov.al ose na telefononi: 0800 3333 ose 0800 8888.

Lexo edhe:

Shqipëria nis numërimin
E popullsisë dhe të banesave

 

Shqipëria nis numërimin{br}E popullsisë dhe të banesave

Chiari, qyteti-shtet legist që nuk lejon martesën e klandestinëve