Me regjistrimet në masë të studentëve italianë në Tiranë, pas shtypit, urdhrave të mjekëve dhe të dentistëve, tashmë po merret edhe Qeveria e Parlamenti.
Më 5 nëntor, senatori Giuseppe Marinello dhe 15 të tjerë kanë nënshkruar një dokument me anë të të cilit kërkojnë mendimin e ministrave të Shëndetësisë, të Arsimit dhe të Punëve të Jashtëm lidhur me dukurinë e regjistrimit në masë të studentëve itallianë në universitetin Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë, i cili falë një marrëveshjeje me universitete italiane lëshon diploma italiane.
Senatorët kërkojnë përgjigje me shkrim mbi disa pika lidhur me këtë çështje:
1. nëse ministrat kanë dijeni për konventën mes universitetit Zoja e Këshillit të Mirë dhe universitetit të Romës Tor Vergata dhe ajo çka është më e rëndësishme nëse ajo është aprovuar nga autoritetet kompetente italiane;
2. nëse ministrat janë dakord me faktin se kjo konventë është transformuar në një mënyrë anashkalimi mashtrues të normativës italiane që parashikon ndjekjen e fakulteteve të mjekësisë me marrjen e një provimi hyrjeje;
3. kjo marrëveshje “private” që në thelb u jep një diplomë të lartë italiane që nuk ka nevojë për asnjë lloj njohjeje, dhe shkon kundër normave në fuqi me për vendet e tjera jo komunitare, a nuk përbën një përjashtim të pajustifikuar të një sistemi të përgjithshëm që ka si qëllim final t’u garantojë qytetarëve formim të mjekëve dhe dentistëve në përputhje me nevojat e mbrojtjes së shëndetit publik;
4. cilat janë detyrimet ekonomike që rrjedhin nga konventa e si shpërblehen profesorët universitarë italianë që japin mësim në Zojën e Këshillit të Mirë në Tiranë;
5. a nuk janë të mendimit ministrat se situata e sipërpërmendur përbën një diskriminim të hapur e të urryer në brendësi të komunitetit të studentëve italianë duke u lejuar vetëm më të pasur të shkojnë e të ndjekin leksionet në Shqipëri pa asnjë preokupim për respektimin e normativës italiane në këtë aspekt;
6. çfarë përgjegjësish juridike mund të kenë Urdhrat italianë që në gjendjen aktuale janë të detyruar të regjistrojnë këta profesionistë vetëm mbi bazën e një verifikimi të thjeshtë nëse janë apo jo titullarë të titujve të studimit: diplomë e lartë dhe diplomë aftësie profesionale, të lëshuara që të dyja, brenda një kohe shumë të shkurtër nga i njëjti institucion universitar. E meqë Urdhrat e profesioneve mjekësore, që janë të detyruara t’u garantojnë qytetarëve cilësinë e profesionistëve të regjistruar në ta, pa verifikuar programin formues të punonjësve të shëndetësisë, çfarë do të ndodhte nëse do të refuzonin regjistrimin në Urdhër të profesionistëve që nuk kanë një “rrugëtim formimi transparent”, duke mbrojtur kështu in primis shëndetin e qytetarëve por edhe duke u mbrojtur nga përgjegjësi të mundshme civile, penale dhe administrative.
Këto janë pikat mbi të cilat senatorët – të nxitur edhe nga dyshimet e mëdha që kanë lindur së fundi nga lumi i studentëve italianë të mjekësisë, që pasi nuk kanë mundur të kalojnë provimin e hyrjes në një fakultet mjekësie në Itali, kanë marrë avionët drejt Tiranës – kërkojnë të kenë gjykimin e tre ministrave. Përgjigjja pritet të jetë me shkrim dhe jo me diskutim në sallën e Senatit, por ende nuk është dhënë nga asnjë prej ministrave.
Keti Biçoku
Lexo edhe:
Shtohen regjistrimet e italianëve në Tiranë, rritet shqetësimi i Urdhrit të dentistëve në Itali
Rreth 600 studentë italianë në Tiranë për t’u futur në Mjekësi e Odontoiatri
Italianët që nuk kalojnë testin e hyrjes në mjekësi? Shqipëria i pret krahëhapur