in

Çështja gjyqësore e Gërdecit shkon në apel

Gjykata rrëzon akuzën për vrasje të Prokurorisë, ndaj kjo e fundit vendos të apelojë sentencën e dhënë dje. Reagon Partia Socialiste: “Drejtësia vazhdon të tronditë opinionin publik. Katandisja e krimit shtetëror me pasojë vrasjen e 26 personave në një farsë për dëmtim prone godet besimin te drejtësia dhe Prokurorinë e Republikës”

Tiranë, 13 mars 2012 – Çështja “Gërdeci”, pas shqyrtimit të saj në Gjykatën e Tiranës, pritet të kalojë në Gjykatën e Apelit. Një ditë pas shpalljes së sentencës së Gjykatës së Tiranës, prokuroria deklaroi se do të apelojë vendimin. 

Sipas prokurorisë së Tiranës, vendimi i Gjykatës do të apelohet në tërësi, ndërsa termat e përveçëm do të përcaktohen mbi bazën e një analize të hollësishme që do t’i bëhet vendimit të dhënë nga Gjykata.

Por, edhe nga të pandehurit e çështjes u pohua se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për rishikimin e vendimit. Ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, një nga të akuzuarit e çështjes, është shprehur se priste pafajësinë, ndërsa  konfirmoi  se “do të ndjekë të gjitha hapat gjyqësorë derisa të fitojë të drejtën e tij”. 

Thuajse, pas katër vitesh nga kjo tragjedi, Gjykata e Tiranës shpalli dje vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes, në pjesën më të madhe, ish- funksionarë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

Kjo Gjykatë rrëzoi akuzën për vrasje të ngritur nga prokuroria, por la në fuqi akuzat për shpërdorim të detyrës,  shkatërrim të  pronës, etj.Ajo dënoi me nga 18 vjet burg ish-kreun e MEICO-s,Ylli Pinari, dhe ish-drejtorin e Fabrikës ne Gerdec, Dritan Minxolli, dhe me 10 vjet burg ish-administratorin shqiptar të “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgjin, përkundër kërkeses së prokurorisë për dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.  (Këtu të gjitha dënimet e dhëna dje)

Ndërkohë,  me 10 vjet burg u dënua ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Ngjeçi, dhe me 6 vjet heqje lirie, bashkë me 4 vjet të tjera moslejim për ushtrim të detyrës, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Të pandehurit e tjerë, u dënuan me masa më të lehta dënimi, ndërsa disa u shpallën të pafajshëm.  

Vendimi i Gjykatës së Tiranës, shkaktoi reagimin e familjarëve të viktmave të Gërdecit, të cilët  e konsideruar të padrejtë dënimin ndaj të pandehurve.Zamira Durda, gruaja që ka humbur një fëmijë në këtë tragjedi dhe që u shndërrua në simbolin e protestës për 4 vjet me radhë shpërtheu në akuza kundër gjykatës. Menjëherë pas dhënies së sentencës, gruaja mbajti të bllokuar për disa minuta derën e gjykatës, duke mos lënë askënd të dilte. Më pas ajo u përpoq të takonte gjyqtarët që dhanë sentencën, por u ndalua nga policia. Gjatë procesit ra në sy prania e policisë, e cila ishte kërkuar për të parandaluar ndonjë reagim të ashpër nga familjarët e viktimave.

Reagon edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas tij, vendimi i gjykatës për tragjedinë më të rëndë në vend ishte “një goditje tjetër për drejtësinë”. “Një ditë pas vendimit për tragjedinë e Gërdecit drejtësia ka vazhduar të tronditë opinionin publik. Katandisja e një krimi shtetëror me pasojë vrasjen e 26 personave në një farsë që nuk flitet për vrasje por për dëmtim prone ishte një tjetër goditje rrënuese për besimin e shqiptarëve tek drejtësia, por edhe partnerëve ndërkombëtarë për besimin tek drejtësia në Shqipëri. Gjykata dha dënime selektive edhe ato tejet zhgënjyese duke goditur edhe vetë prokurorinë e republikës. Ky ishte një shembull tjetër se drejtësia dështoi”.
 

Edhe imigrantët u japin lamtumirën certifikatave. Por nga viti 2013

Projekti i studios austriake fitues i kompleksit të Kuvendit të Shqipërisë