in

Çezarin Toma: “Krenar për veten dhe Shkodrën time”

Intervista – Çezarin Toma është i riu shqiptar fitues i Çmimit Special Giorgio La Pira të këtij viti për poezinë e tij “Noi”, të përzgjedhur me mijëra krijimeve të paraqitura në konkurrim. Çmimi iu dha në Pistoia, në të njëjtën ditë kur presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, iu dha Çmimi i Paqes. Ai rrëfen afrimin e tij me poezinë që në fëmijëri, ndikimin e tij nga veprat e Mjedës e Dantes, e më pas edhe nga Ungaretti. Ardhja nga Shkodra në kryeqendrën e Toskanës, ishte diçka fiziologjike për poetin e ri që i bindur pohon se vetëm në Firence ka hedhur hapat e para të vërtetë drejt botës poetike.

Bota Shqiptare: Çezarin me urimin për poezine “Noi”, fatin që ajo të solli në këtë Konkurs Nderkombëtar dhe pyetja e parë: kur e ke shkruar poezine e parë? Kujt ia ke dedikuar e kush ka qenë lexuesi i parë i saj?
Çezarin Toma: Frymëzimet e para të shkruaja poezi i perkasin moshës 13-14 vjeçare. Poezitë kanë qenë më tepër fëminore, ndaj edhe lexuesi i parë ka qenë nga ambjenti i vogël shoqëror shkollor. Poezia kishte më tepër frymëzim rinor.

Çfarë të shtyu të vazhdosh të shkruash poezi?
Si lindi dëshira të shkruaja poezi dhe më pas të vazhdoja, është diçka e pashpjegushme brenda vetes time. Mund të veçoj tre momente të jetës sime që deri më sot kanë ndikuar tek poezia dhe shkrimet e mia.
E para: Ndikim të madh në formimin tim në fushën letrare ka pasur rrethi familjar, në mënyrë të veçantë gjyshi im (babai i nënës), i cili me plot energji është munduar të më japë një formim letrar me ato mundësi që kishte në atë kohë, që nga unë nuk do të harrohet kurrë! Mbaj mend që në një moshë fare të vogël më tregonte për “Komedinë Hyjnore” të Dantes (shpesh më lexonte për Paolon e Françeskën). Më lexonte me lot në sy “Vajin e bylbylit” të Mjedës e shumë poezi të tija nga disa botime të vjetra (përkthime fetare, që ka bërë Mjeda nga spanjishtja) të cilat i kishte ruajtur me zell e fshehurazi gjatë kohës së mbylljeve të kishave. Shumë fragmente nga Lahuta e Malcisë, pjesë nga Don Ndre Zadeja e Don Lazer Shantoja etj, dhe për mua e gjithë kjo ka pasur dhe ka vlera si një burim që me kohën do të bëhet një ndikim dhe shtytje për të shkruar poezi.
E dyta: ambjenti i kolegjit Dioçezan “At Pjeter Meshkalla” në Shkodër, i drejtuar nga Jezuiët. Aty kam pasur fatin të studioj, të formohem.
E treta: momenti që po jetoj këtu. Ardhja në Itali, në qytetin e Firences, që nga viti 2001 për mua ka qenë një ndryshim themelor, qoftë për ambjentin, njerëzit e kulturën e re me të cilën përballem, qoftë për mungesën e vendlindjes. Malli për qytetin tim Shkodrën, ka qenë dhe vazhdon të jetë për mua një vuajtje e madhe. Në të njëjtën kohë, ky mall – si për çdo shkrimtar në botë –  është bërë burim i shkrimeve të mia. Në të njëjtën kohë duhet vlerësuar edhe çdo pjesë e kësaj kulture që ka Firence, burime informacionesh për kulturën tonë shqiptare dhe këto mund t’i gjejmë në Biblioteka të ndryshme të këtij qyteti ku në fillim kam mbetur i mahnitur nga kjo gjë. Këtu kam pasur rastin të njoh shumë shqiptarë të cilët mundohen të japin një zhvillim kulturës shqiptare me gazetari dhe në krijime të revistave të ndryshme kulturore. Ndaj këtu dua të them me bindje të plotë kam hedhur hapat e para të vërtetë drejt botës poetike.

Kush është poeti yt i preferuar?
Janë dy. Don Ndre Mjeda dhe Giuseppe Ungaretti.
Mjeda, që siç thashë më lart, e kam njohur që në fëmijëri. Për gjuhën e ëmbël, filozofinë, estetikën dhe stilin që ai perdor në poezi.
Me Giuseppe Ungarettin më ka ndodhur diçka e veçantë. Ardhja ime në Firence ka qenë më tepër një pasion për të studiuar Danten dhe gjuhën e tij në vendin e tij, por në vend që të zbuloja Danten papritmas kam zbuluar Ungarettin, që shënon edhe fillimin tim në botën e vërtetë letrare. Me Ungarettin fillon rruga e të menduarit në mënyrë të pjekur për poezinë, sekretin e fjalës në poezi.

Poezia të “ndoqi” në vite e kështu lindi vëllimi i parë poetik. Si u prit nga lexuesit?
Siç thashë më lart në Firence kam nisur të shkruaj poezi, në kuptimin e plotë të fjalës. Libri i parë ka lindur si një nevojë urgjente e kohës për mua. Libri u botua në Shkodër nga shtëpia botuese Camaj-Pipa me shpenzimet e mia.
Përpara se ta botoja librin kam pasë rastin e mirë të njoh një nga shkrimtarët e prozatorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, Ridvan Dibrën. Ai mori përsipër edhe redaktimin e librit tim, që për një shkrimtar të ri si unë, para disa viteve, ishte nder dhe një nxitje e madhe. Nga ky moment miqësia ime me shkrimtarin Ridvan Dibra vazhdon e fortë ose siç e quaj unë, ai është vellau im i madh. Libri është pritur mirë nga lexuesit shqiptar po të mbahet parasysh mosha ime kur u botua libri, ndaj për këtë jam i kënaqur.

Në Firence përkrah studimeve  ke ndjekur edhe poezinë, që të sjellë vlerësimet e para në konkurset ku ke marrë pjesë. Cilin do të veçoje nga këto çmime?
Çmimet janë një inkurajim i fortë për çdo krijues, një kënaqësi. Sepse ajo që shkruan do të thotë se vlerësohet nga lexuesi.
Në Firence kam pasur rastin e mirë të njoh edhe një poete bashkohore Giuseppina Amodei, e cila më ka nxitur të merrja pjesë në konkurse letrare. Dhe falë kësaj nxitjeje erdhi edhe çmimi i parë letrar në poezi “Çmimi i jurisë” në konkursin “Iris di Firenze” në vitin 2005; pas një viti, në 2006-tën, sërish dola finalist në një çmim tjetër ” Premio Firenze”.
Nëse do të më duhej të veçoja njërin nga këta të dy, them se për mua ka qenë i rëndësishëm i pari, edhe pse i dyti ka më vlerë për historinë dhe nivelin poetik. Çmimi i parë më ka dhuruar emocione mëdha që nuk mund të përshkruhen. Me çmimin e parë forcon besimin në forcat e tua, sheh ëndërrat që realizohen dhe sakrificat që nuk shkojnë kot.

Në cilën gjuhë i shkruan poezitë?
Poezitë që në fillim i kam shkruar në gjuhën shqipe, por kohët e fundit kam filluar të shkruaj edhe në gjuhën italiane. Kuptohet, në përgjithësi shkruaj më lirshëm në gjuhën shqipe.

Pas diplomimit, ke kaluar edhe në publicistikë. Me firmën tënde dalin disa shkrime në gazetat shqiptare në Itali për akivitete e kulturës, por gjithçka krahas një aktiviteti poetik, i cili të solli dhe te ky konkurim e te ky çmim ndërkombëtar?
Që në Universitet dhe pas diplomimit dhe specializimit jam munduar në kultivimin e kulturës shqiptare dhe promovimin e saj këtu në Itali në çdo aktivitet që është bërë. Publicistika është edhe një mundësi më shumë për mua për t’u ushtruar dhe për të ecur me të njëjtin hap me kohën e kulturës të cilën sot përjetojmë.

Si lindi poezia “Noi”?
“Noi”, që u vlerësua këtë vit në “Çmimin ndërkombëtar Giorgio La Pira”, në Pistoia me çmimin  special është një arritje e madhe për mua. Unë mora pjesë rastësisht, nuk besoja se do të arrija në marrjen e çmimit, ndaj për këtë jam edhe shumë i lumtur.
Poezia ” Noi” është shkruar në vitin 2005. Jam frymëzuar gjatë një takimi kulturor që u bë në Firence, quhej “A testa alta” dhe unë isha i ftuar të merrja pjesë me poezitë e mia. Frymëzimi lindi duke dëgjuar poemën “Plagët e Moisut” të Ridvan Dibrës.
Poezia “Noi” (“NE”) u dedikohet martirëve, intelektualëve shqiptarë që kanë vuajtur gjatë kohës së diktaturës. Poezia është shkruar “për të mos harruar” atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Është një poezi që brenda saj ka më tepër një pendesë që unë bëj për popullin shqiptar. Më kanë shtyrë të shkruaj këtë poezi edhe provokimet që shpesh herë kam dëgjuar nga shqiptarë që nuk duan t’ia dinë për atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Veprat e shëmtuara si zhvarrimi i eshtrave të Fishtës, hedhja e tyre në lumë, përpjekjet për zhdukjen e veprave të tij, janë akte të shëmtuara ndaj imazhit të Fishtës. Diskrimini dhe pushkatimi i shumë shkrimtarëve dhe intelektualëve të kohës, është diçka që nuk do të harrohet kurrë. Ndalimi i besimit dhe shkatërrimi i kishave dhe xhamijave përbën një akt shtazarak, duke u bërë shtetin e parë ateist në botë, gjë që ka bërë që ky popull për 50 vite të mbesë shumë mbrapa me kohën dhe kulturën. Ndaj dhe poezia është shkruar për të mos harruar dhe për të kujtuar të gjithë ata që u sakrifikuan për hir të së vërtetës dhe të kulturës shqiptare. Këtë çmim ua dedikoj pikërisht këtyre figurave që u martirizuan për Shqipërinë dhe për të ardhmen tonë. Ndaj edhe poezia mbyllet duke iu drejtuar Hyjit të ketë mëshirë për ne, për të gjithë ato vepra të pahijshme që kemi bërë.
Ç’rol luan ky çmim për të ardhmen krijuese?
Të jem fitues i një çmimi ndërkombëtar si poet i ri, më bën të ndihem krenar për veten dhe për qytetin tim, Shkodrën. Për mua ky çmim hyn në histori edhe për një tjetër fakt: sepse përveç çmimeve letrare po këtë ditë iu dha edhe Çmimi i Paqes presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi.
Ky çmim vlen edhe si një nxitje më e fortë dhe besim për të botuar vëllimet e mia në shtëpitë botuese këtu në Itali.

Është çasti për një vëllim tjetër poetik? Cilat janë vështirësitë që takon një krijues i ri për publikimet?
Po, kam dy vëllime poetike që shpresoj të shohin dritën e botimit dhe dy tezat të mia që kam bërë gjatë kohës në Universitet, njëra mbi “Dhimbjen e Ungarettit” dhe tjetra mbi ndikimin që kanë pasur shkrimtarët modernë shqiptarë në letërsinë italiane. Dëshira ime ka qenë që vëllimin e dytë ta botoja në Shqipëri, por ka kosto të lartë e shpeshherë autorët e rinj gjenden në vështirësi me shpërndarjen e librave të tyre. Ndaj dhe jam detyruar të pres dhe të mos ngutem si në vëllimin e parë. Kështuqë mund të them vështirësitë që hasen janë: e drejta e autorit, kostoja e publikimit, shpërndarja e tyre që shpeshherë nuk parashikon as promovimin e botimit. Pres që nëpërmjet një shtëpie botuese këtu në Itali (që për moment nuk kam dëshirë ta përmend) së shpejti vëllimet e poetike dhe studimet e mia të shohin dritën e botimit mbas shumë kohë pritjeje.
Është shumë e vështirë për një autor të ri si unë të gjejë menjëherë dritën jeshile, por me vullnet, durim, këmbëngulje dhe besim tek forcat e tua, çdo gjë është e arritshme në jetë.

Bisedoi Albana Temali

Lexo edhe: Çmim ndёrkombëtar për poetin Çezarin Toma

Lidhja e dyfishtë e artistëve shqiptarë në shtëpinë e Masaccio-s

“Fjalë të Lirisë” – Shkrimtarë nga burgjet në një kuvend ndërkombëtar