in

“Fjalë të Lirisë” – Shkrimtarë nga burgjet në një kuvend ndërkombëtar

Intelektualët dhe veçanërisht shkrimtarët duhet të jenë të ndjeshëm dhe aktivë në lidhje me dhunën dhe nëpërkëmbjet që mund t’i bëhen fjalës së lirë. T’i bëjmë ballë së keqes, persekutimit, së bashku, se do ta pakësojmë atë kudo ku ndodh, deri sa ta mposhtim. Fjala e lirë të bëhet liri e fjalës dhe e anasjella. Kujtesa kolektive është një nga mjetet më efikase, së cilës diktaturat i tremben shumë, prandaj dhe e sulmojnë kujtesën dhe veprat e kujtesës.

Pikërisht kjo ishte tema dhe diskutimet e Kuvendit “Fjalë të lirisë”, që u mbajt këto ditë në qytetin verior Bellagio, buzë liqenit të Komos në mjediset e Fondacionit Rockefeller. Veprimtarinë e organizonte PEN Klubi italian, me shkrimtarë që vinin nga burgjet, që kanë përvojën dramatike të persekutimit nga shkaku i veprave të tyre, e tani mund të tregojnë. Por dhe të vendosim ç’duhet bërë.

Peizazhe të fundvjeshtës, dallgë dhe pulëbardha, varka me vela, gadishuj të vegjël, blerim, drurë gjetheartë, male me majat me borë përreth, të futura aq shpesh nëpër kamera, piktura e poezi e pjesë romanesh nga artistë nga e gjithë bota, që kanë ardhur këtu e janë mahnitur.

Presidenti i PEN-it italian, poeti dhe gazetari Sebastiano Grasso çeli punimet e kuvendit. Është 50 vjetori i “Writers in prison” – Komiteti i Pen-it Ndërkombëtar, përkushtuar intelektualëve të persekutuar, tha ai. Beteja me kujtesën vazhdon, por edhe me tiranë e fjalës së lirë.

Për tri ditë me radhë do të referonin e do të diskutonin me kolegët e tyre italianë shkrimtarët e ardhur nga Rusia e Kina, India e Shqipëria, nga Franca e Gjermania, Anglia, hebrenj, turq, afrikanë, amerikanë. Do të ndërhynin personalitete, kritikë arti e profesorë universitetesh si Lucio Lami, Nullo Minissi, reporterë, që shkojnë në çdo pikë të globit, duke rrezikuar atje ku ka luftë si Ferdinando Scianna, Ettore Mo, studiues si Mireille de Gouville, Sylvestre Clancier – President i PEN-it francez, Fawzia Assad, Sergio Perosa, Franca Tiberto, Marina Giaveri, Gabriella Steindler, Andrea Riscassi.

Visar Zhiti, edhe ai anëtar i Pen-it italian, do të tregonte për burgun dhe shkrimtarët që rroposën atje, zhdukjen e klerit, sidomos atij katolik, mbartës të kulturës kombëtare, dënimet kapitale të poetëve, pushkatimi i Trifon Xhakigjës dhe varja e Havzi Nelajt, e fundmja në perandorinë komuniste dhe foli për letërsinë që vjen nga dënimet si dukuri, prurjet e saj. Zhiti mendon se, ndërsa letërsia zyrtare e realizmit socialist, ikën bashkë me sistemin, ka ardhur një letërsi tjetër, ajo që ai e quan Realizmi i dënuar, që solli të vërtetën dhe moralitetin. Entela Kasi foli për pushkatimin e dy poetëve nga Librazhdi, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka si dhe për veprën e tyre postume.  Poeti dhe shkrimtari i njohur Maurizio Cucchi do të fliste për burgun Ezra Paundit dhe të Jozif Brodskit. Nuk kanë të krahasuar, do të ndërhynte një tjetër. I pari gaboi, me të dytin gabuan, donte të thoshte.  Professor Minissi do të thoshte se nuk ishin policët ata që dënonin shkrimtarët, por edhe vetë shkrimtarët – kolegë të tyre.

Me këtë rast, po ato ditë shtëpia botuese e njohur “Feltrinelli” nëpërmjet “SE” të Milanos nxori në qarkullim volumin “Fjalë të Lirisë” me 18 autorë, që kanë shkruar posaçërisht për këtë botim: Adonis – poeti më i madh i botës arabe, emigrant në Francë, Aguilera – shkrimtar nga Kuba, i ikur në Spanjë, Cacho – veprimtare nga Meksika, e dënuar, Chi Thien – nga Vietnami, i arrestuar për propagandë subversive, bëri 3 vjet burg, arrestohet prapë se hodhi poezitë e veta në ambasadën britanike dhe dënohet me 12 vjet burg, por protestat botërore bënë që të iki në SHBA, Cuadra – i zhgënjyer nga revolucioni kastrist, arrestohet, dënohet me 15 vjet burg, Dobrovolskaja – rusja 93 vjeçare, përkthyese në Luftën e Spanjës, e akuzuar për tradhti, e ikur në Itali, Jahanbegloo – filozofi iranianokanadez, i arrestuar dikur me akuzë “revolucion të kadifenjtë”, Kadarè – azilant në Francë si protestë për mungesën e ndryshimeve në vendin e tij komunist, Kire Iralu – indiania që pa luftën me kolonizatorët në fshatin e saj, Laabi – maroken, themelus i partive klandestine, arrestuar dhe torturuar, sot emigrant në Francë, Mapanje – nga Malawi, me 3 vjet e gjysmë burg, Nafisi – nga Teherani, e përzënë se nuk donte të mbante ferexhe në universitet, Pas’ ko – gazetar nga Ukraina, i akuzuar për nxjerrje sekreti të flotave ruse, Zhou Qing – kinezi dënuar me 3 vjet burg se kishte marrë pjesë në protestat në sheshin Tienanmen, Saramago – nobelisti portugez, që nja 20 ditë para se të vdiste dërgoi shkrimin e tij për këtë libër, Skif – algjerian, me 20 vjet burg, i cili së bashku me nobelistin egjiptian Nagip Mafuz e Tahar Ben Jellou përaqësojnë letërsinë e re arabe, Tawfik – irakian i ikur dhe ai, etj.

Parathënia e botimit është e shkrimtarit italian, filozof, akademik, semiolog, linguist e bibliofil, me famë botërore, Umberto Eco, antar i Pen-it. Në parathënie ai përzgjedh të flasë dhe për Zhitin, i tërhequr nga dëshmia e tij, duke nxjerrë dhe përfundime tronditëse, të një përgjegjshmërie të lartë intelektuale, mësim i rëndësishëm për të gjithë ne.

Siç dihet, këtë vit dy nga nobelistët, i paqes dhe i letërsisë, ishin dhe presidentë të Peni-it, Liu Xiaobo, i atij kinez, të pavarur dhe Mario Vargas Llosa, i “Pen International”-it.

Shtypi italian, gazetat më të mëdha si “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Messaggero”, etj. i bënë jehonë veprimtarisë dhe librit duke botuar parathënien e Ecos, shkrimet e Kadaresë dhe të Visar Zhiti.

Ed. Ag.

Lexo edhe ligjëratën në Kuvend të Visar Zhitit: Atë e bir në burg, aty ku trashëgohej dënimi

Qelia dhe shkrimi nga Umberto Eco

Çezarin Toma: “Krenar për veten dhe Shkodrën time”

Atë e bir në burg, aty ku trashëgohej dënimi