in

Çfarë humbim kur dhunohen gratë?

Një nënë e dhunuar, një grua e dhunuar, një motër e dhunuar, një vajzë e dhunuar, është një e nesërme me më pak shpresë për njerëz të mirë mes nesh në shoqërinë e fëmijëve tanë. Çdo femër e dhunuar duhet të na bëjë të ndihemi të gjithë nga pak të goditur, të gjithë më pak të ngushtuar në lirinë tonë, nëse e mendojmë veten pjesë të një shoqërie që beson në një të nesërme ndryshe për të gjithë bashkë e jo vetëm për veten
Nga Agim BAÇI

Vite më parë, teksa lexoja disa tekste lidhur me marrëdhëniet bashkëshortore, më pati mbetur në mendje një porosi profetike: “Gjëja më e mirë që mund të bëjë një baba për fëmijët e tij është të dojë sa më shumë nënën e tyre”! Ishte gati një poezi që e lexoja dhe rilexoja, duke notuar më pas në detin e pafund të përgjigjeve. Po çfarë ndodh realisht nëse një burrë don shumë nënën e fëmijëve të vet? Afërmendsh që në atë shtëpi ka më shumë buzëqeshje.

Po çfarë mund të marrin fëmijët nga një nënë e qeshur? Natyrisht, lumturi, dëshira të mira e, si rrjedhojë, mendime të mira. Mësojnë të duan. Besojnë te njerëzit. Besojnë tek e mira. E, mbi të gjitha, rriten me figurën e dashur të atij që i ushqen dhe që u fal buzëqeshje. Statistikat nuk janë kënaqësi për t’i lexuar. Por janë kokëforta për të na dhënë të kuptojmë domethënie ndaj asaj që duhet të mësojmë rreth nesh, për të lexuar më pas jetën. Dhe, duam apo nuk duam ne, fatkeqësisht shumica e fëmijëve të dhunshëm, e fëmijëve të vetmuar, e fëmijëve asocialë, e fëmijëve që futen në botën e krimit, vjen nga familje që janë rritur nën tmerrin e dhunës, që kanë parë nënën e tyre të dhunohet, që janë rritur mes lotëve të asaj që i ka ushqyer apo nga prindër të divorcuar.

Pra, një burrë, një baba, përmes dashurisë së tij, nuk qenka thjesht një bashkëshort i mirë. Por buzëqeshjet dhe qetësia e tij qenkan pasuri për të tjerë, pasi fëmijët e tij, të rritur mes buzëqeshjes, do të krijojnë nesër familje të qeshura, do të jenë të aftë të bëjnë miq të qeshur, e ç’është me e rëndësishmja, do të jenë pjesëtarë të atyre njerëzve të rëndësishëm të shoqërisë që besojnë tek e mira, te tjetri, te dashuria, tek e mundura. Ne sot po shkojmë drejt një shoqërie të vetmuar, e cila ka pasojat e saj në ashpërsinë e gjithë shoqërisë. Këtë ashpërsi dhe vetmi tashmë, me ose pa dashje, e kanë parë të gjithë si pjesë e një shoqërie të komunikimit online. Në këtë aspekt, media, nën presionin e lajmit që u duhet, jo pak herë janë një altoparlant i keq i dhunës, duke e dhënë ngjarjen në detaje, pa e shoqëruar me një reagim psikologësh, e sidomos pa një sqarim teologësh, të cilët duhej medoemos të flisnin lidhur me pasojat e lajmeve dhe ngjarjeve të tilla.

Pa dyshim që një fenomen i tillë e ka shoqëruar dhe do të shoqërojë njerëzimin, pavarësisht hapave të mëdha që janë bërë e që po bëhen. Por ajo që duhet të bëjnë teologët dhe media është që, në përditësimin e tyre të komunikimit, të mos heqin dorë nga reklamimi i asaj që humbim nga prania e dhunës në familje. E më shumë se sa të përmendim ndëshkimin, duhet të nxitojmë t’i japim më shumë hapësirë asaj që përfitojmë nga prania e dashurisë, nga buzëqeshja, nga mendimi i mirë. Ndryshe, ne mund të ngremë mekanizma modernë për rehabilitimin e viktimave, por nuk do të kemi rrugëtimin drejt dashurisë. Sepse rikuperimi i pasojës nuk e ndryshon shkakun. Por këtë mund ta arrijë këmbëngulja jonë për të bërë të vetëdijshme nënat, motrat, vajzat dhe të gratë se nuk duhet të bashkëjetojnë me dhunën, se nuk duhet të lejojnë zvogëlimin e jetës së tyre.

Por pa dyshim, arsyet për më shumë dinjitet nuk nënkuptojnë rebelimin pa shkak të grave, kundërshtimin pa logjikë nga ana e tyre ndaj burrave. Përkundrazi, respekti ndaj bashkëshortëve nuk pengon asnjë grua të dojë më shumë veten, më shumë jetën, më shumë familjen e tyre. Ndaj, media, si një pushtet që arrin të hyjë në çdo shtëpi, atje ku çifti ndoshta nuk ka “ndërmjetës” të tjerë, duhet të flasë sa më hapur jo për pasojat e dhunës, por për të mirat e mungesës së saj, për atë që mund t’i flasin përmes njëri-tjetrit dhe fëmijëve të tyre, të afërmve, fqinjëve. Sado të zhytemi në argumentin e varfërisë, si shtytëse e dhunës, ne sërish nuk kemi mundur të themi shumë të vërteta. Sepse bashkërisht njohim shumë njerëz me pak pasuri, por më shumë buzëqeshje, e në krahun tjetër, me shumë pasuri e me pak buzëqeshje. Natyrisht, ne nuk kemi pse ta fshehim faktin se dhuna ka shumë gjasa të strehohet tek ata që janë në prag të mbijetesës. Por kjo s’duhet të na ndalë në përpjekjen tonë për të ndalur çdo lloj dhune ndaj kujtdo femre.

Një nënë e dhunuar, një grua e dhunuar, një motër e dhunuar, një vajzë e dhunuar, është një e nesërme me më pak shpresë për njerëz të mirë mes nesh në shoqërinë e fëmijëve tanë. Ndaj, çdo rast dhune ndaj një femre duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi më pak dinjitozë në jetën tonë, më të varfër në buzëqeshjet tona. Çdo femër e dhunuar duhet të na bëjë të ndihemi të gjithë nga pak të goditur, të gjithë më pak të ngushtuar në lirinë tonë, nëse e mendojmë veten pjesë të një shoqërie që beson në një të nesërme ndryshe për të gjithë bashkë e jo vetëm për veten.

Botuar në gazetën Panorama

Ç’dëmshpërblime parashikohen për udhëtimet me avion të anuluara apo me vonesa?

Nicola Montano: “Unë, polici i kufirit që prita anijen Vlora”