in

Cgil: “Fitohet kauza e bashkimeve familjare”

TAR i njeh të drejtën e kartës së qëndrimit një emigranteje, për të cilën i shoqi, rezident prej vitesh në Itali dhe titullar i një lejeje BE për qëndruesit afatgjatë, kish paraqitur dy herë kërkesë, që i ishte hedhur poshtë nga kuestura e Romës

Roma, 18 korrik 2011 – Për të disatën herë është nevojitur ndërhyrja e gjykatës administrative të Lazios, me kërkesë të Inca-s (patronat i sindikatës Cgil), për të sanksionuar të drejtën e kartës së qëndrimit në kuadrin e bashkimit familjar.

Me sentencën e 21 qershorit 2011, iu njoh mundësia e kërkimit të kartës së qëndrimit një imigranteje për të cilën i shoqi, rezident prej vitesh në Itali dhe titullar i një lejeje BE për qëndruesit afatgjatë, kish paraqitur kërkesë të rregullt, që i ishte hedhur poshtë dy herë nga kuestura e Romës.

Çështja ka të bëjë me një grua që në vitin 2005 ka ardhur në Itali për bashkim familjar me të shoqin. Pasi ka përtërirë disa herë lejen e saj, bashkëshortët kanë paraqitur kërkesë për leje BE për qëndrues afatgjatë, duke specifikuar që kërkesa e tyre bazohej mbi vitet e qëndrimit të të shoqit. Në qershor të vitit 2008, kuestura e Romës pranon kërkesën e burrit por jo të gruas, që hidhet poshtë në vitin 2009. Kundër vendimit të kuesturës së Romës, gruaja paraqet kërkesë në TAR, e cila, herën e parë vendosi që kërkesa e kartës së qëndrimit nga anë e gruas duhet të paraqitej pasi këtë dokument ta kish marrë më parë burri.

Në bazë të kësaj urdhërese, bashkëshortët i kanë paraqitur kërkesë të re kuesturës së Romës në vitin 2009, duke treguar mes të tjerash që bashkëshorti ishte tashmë titullar i kartës së qëndrimit. Por kërkesa e re nuk mori asnjë përgjigje nga kuestura, ndaj çifti kërkoi sërish ndërhyrjen e Gjykatës administrative që këtë herë detyron administratën publike t’i lëshojë gruas sa më shpejt dokumentin e kërkuar.

Për më tepër, sentenca e Gjykatës së Lazios, duke u mbështetur edhe në një vendim të gjykatës administrative të Emilia Romagnas, sqaron që “pa ndryshuar asgjë në verifikimin e kritereve të bërthamës familjare lidhur me të ardhurat e mjaftueshme dhe strehimin e përshtatshëm, kriteri i pesëvjeçarit të qëndrimit mjafton të përmbushet prej njërit prej bashkëshortëve dhe nuk është i nevojshëm për bashkëshortin tjetër dhe fëmijët e mitur për të cilët kërkohet karta e qëndrimit”. Gjykata detyron gjithashtu kuesturën e Romës, duke e konsideruar të paligjshme heshtjen-refuzim të saj, të marrë masat që brenda 30 ditëve nga sentenca, të pranojë kërkesën e dy imigrantëve.

 “Sërish – komenton Enrico Moroni, koordinator i zyrës së imigracionit të Inca-s, – jepet një sentencë që mund miopinë dhe ksenofobinë e kësaj qeverie që me këmbëngulje vazhdon, në kundërshtim të normave evropiane, të nxjerrë ligje kundër imigrantëve”.

“Edhe kjo sentencë, – saktëson Moroni – ashtu si të tjerat, përforcojnë bindjen e Inca-s për të vazhduar në promovimin e veprimeve legale, deri sa të tërhiqen të gjitha masat që lëndojnë të drejtat e punës dhe të qytetarisë të të huajve të pranishëm në Itali”.

Sanatoria 2009. Gjykata: “U diskriminuan mijëra imigrantë”

Stafi bashkiak i Ramës jep dorëheqjen