in

Città di Castello. Tentojnë të grabisin një vilë, arrestohen 4 vetë

Kanë përfunduar në burg Gentjan Isufaj, Aleks Martini, Lek Marku dhe Fatjon Palaj. Duhet të përgjigjen për grabitje në rrethana rënduese, sekuestrim personi, dhunë dhe rezistencë ndaj zyrtarëve të shtetit, lëndime personale dhe dëmtime prone

Romë, 6 gusht 2012 – Pas një sërë peripecish të shtunën, më 4 gusht, karabinierët e Città di Castello u kanë vënë hekurat katër shqiptarëve, që të gjithë pjesëmarrës aktivë në një tentativë grabitjeje në vilën e një sipërmarrësi të zonës. Të arrestuarit janë Gentjan Isufaj 24 vjeç, Aleks Martini, 21 vjeç, Lek Marku dhe Fatjon Palaj nga 26 vjeç.

Sipas rinërtimit të ngjarjes nga karabinierët që sillet në faqet e mediave lokale, është ora 4.30 e mëngjesit të të shtunës kur sipërmarrësi Gabrio Bruschi, titullar i lokalit të natës Il Dollaro në Ville di Monterchi, po kthehet në shtëpi, një vilë në Galliano.

Në hyrje të vilës e ndalojnë 4 persona që nën kërcënimin e thikave dhe të një pistolete e detyrojnë t’u hapë derën e shtëpisë e futen të gjithë brenda në kat të dytë të vilës. Lidhin sipërmarrësin bashkë me gruan e dy fëmijë dhe i marrin 3.500 euro të xhiros së të premtes që sillte me vete, bizhuteritë dhe një kompjuter. I kërkojnë të dinë ku ka kasafortën duke i drejtuar armën në fytyrë një prej bijve. Binden që në shtëpi sipërmarrësi nuk ka kasafortë e marrin të ikin me makinën e tij, një fuoristradë.

Por banditët nuk e dinë që sipërmarrësi ka tre fëmijë: vajza 30 vjeçe që gjendet në kat të parë të vilës, kur dëgjon ulërimat e familjarëve të saj nuk e humb toruan por merr në telefon për t’u kërkuar ndihmë karabinierëve.

Kur këta mbërrijnë në vendngjarje katër personat sapo ishin larguar, kështu që vihen në ndjekje të fuoristradës së sipërmarrësit. Gjatë ndjekjes banditët nxjerrin nga rruga një nga makinat e karabinierëve por në përplasje humbasin kontrollin e makinës së tyre e përmbysen. Dalin e mundohen t’ia mbathin më këmbë, ndërsa karabinierët nisin të qëllojnë me armë.

Arrestojnë menjëherë dy prej banditëve, njëri prej të cilëve i plagosur në këmbë. Janë Gentjan Isufaj 24 vjeç dhe Aleks Martini 21. U sekuestrohet arma me të cilën banditët shqiptarë kërcënonin familjen dhe verifikohet që nuk ishte e mbushur me fishekë të vërtetë.

Për kapjen e dy të tjerëve që arrijnë të largohen, në ndihmë të karabinierëve të Citta di Castello vijnë përforcime edhe nga Roma madje edhe një helikopter. Falë sinjalizimit të një qytetari i kapin rreth mesditës në një shtëpi të braktisur në lokalitetin Parnacciano, teksa pastrojnë plagët. Janë Lek Marku dhe Fatjon Palaj 26-vjeçarë.

Katër shqiptarët, të gjithë rezidentë në Arezzo,  akuzohen për grabitje në rrethana rënduese, sekuestrim personi, dhunë dhe rezistencë ndaj zyrtarëve të shtetit, lëndime personale dhe dëmtime prone.

Por hetimet vazhdojnë për të gjetur personin që u ka “këshilluar” shqiptarëve vilën e sipërmarrësit. Mendohet të jetë një i njohur i këtij të fundit që për ndonjë inat që mund të ketë me të ka menduar të hakmerret në këtë mënyrë. Madje nga të dhënat e para të pakonfirmuara nga karabinierët, personi i kërkuar është italian, që banon në Città di Castello e që njeh mirë zakonet e jetën e përditshme të sipërmarrësit të vënë në shënjestër.

 

Makina del nga rruga, në gjendje të rëndë fëmija 12 vjeç

Armand Xhomo: Emigracioni, sfidë ndaj vetvetes