Në Pollenzo, në të parin universitet në botë ku studiohet arti i të gatuarit në të gjitha sfumaturat e tij, celebrohen traditat gastronomike të Shqipërisë me një nga përfaqësuesit më të denjë të kushinës shqiptare, shefin Altin Prenga
“Një super sukses! Një hap i rëndësishëm qoftë për shefin e kuzhinës Altin Prenga, qoftë për kuzhinën shqiptare”. Kështu shprehet Stela Hysaj, e vetmja studente shqiptare në universitetin e Shkencave Gastronomike, UNISG, në Pollenzo të Bra-së (CN), ku – në kuadrin e nismës “Tavole Accademiche” – të enjten (20 mars) shtroi darkë shefi shqiptar i restorantit Mrizi i Zanave.
Në “tavolinën akademike” të shtruar nga Altin Prenga, shijuan gatimet e tij 52 persona, njerëz që ushqimin e shohin me një syrin e profesionistit: jo vetëm u pëlqen ta shijojnë, por janë ekspertë të tij, e studiojnë në detaje dhe mësojnë ta gatuajnë në mënyrë të përsosur. Ndër këta edhe Roberto Burdese, president i Slow Food Italia, Andrea Riboni, menaxher i nismës “Tavole Accademiche” që prezantoi ‘autorin’ para se të fillonte darka, profesori Andrea Pieroni, botanist i dashuruar pas Shqipërisë e mik i Prengës, por edhe disa bashkatdhetarë si vetë studentja Hysaj që ka folur për traditën gastronomike shqiptare, apo somelierja e njohur shqiptare Daniela Meçaj.
“Unë edhe punoj disa orë në mensën e universitetit e kam qenë e pranishme edhe në darkat e shtruara nga shefat e tjerë të kuzhinës – tregon Stela Hysaj për shqiptariiitalise.com – e mund të them pa hezitim se kjo e Altin Prengës ka qenë ndër më interesantet, më të shijshmet e më të pëlqyerat nga ata që patën fatin ta provonin”.
E nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Altini solli në UNISG një menu të veçantë me kërce plëndësi të tymosur, djathë të bardhë, pastërma e djathë dhie me bukë misri, fasule me këmbë e kokë derri, tavë Elbasani, mish keci me pilaf, ëmbëlsira me bazë ftoi, shege, thane e kadaifi si edhe raki rrushi e verë Kallmet (fotot nën artikull).
Në fund të darkës janë pritur me po aq interes sa edhe ushqimi, shpjegimet e Altin Prengës rreth pjatave të saposhijuara e rreth kuzhinës së tij në përgjithësi. Të shumta edhe pyetjet që iu drejtuan nga të pranishmit që donin të mësonin diçka mbi traditat gastronomike shqiptare. Traditë që shefi ynë prezanton më së miri. Me gatime më shumë se me dhjetëra fjalë.
Altin Prenga është një kuzhinier i ri, plot pasion, i dashuruar me tokën e tij që tani por revolucionon jo vetëm panoramën gastronomike shqiptare por të të gjithë Ballkanit.
Pas dhjetë vjetëve emigracion në Itali, është kthyer në vendlindje me idenë e qartë për të hapur restorantin e parë Slow Food e për të realizuar ëndrrën e tij të një kuzhine tradicionale që të vlerësojë pjatancat dhe prodhimet vendase. Gjithçka duke u mbështetur fort në traditën dhe produktet e territorit shqiptar, siç u shpreh shefi shqiptar, me dëshirën që tradita të mos vdesë bashkë me brezat e vjetër.
Me punën e tij disavjeçare te Mrizi i Zanave në Fishtë të Lezhës, Altin Prenga është bërë ambasador i kulturës gastronomike pastorale shqiptare. Përfaqëson shpesh Shqipërinë në evenimente ndërkombëtare të artit të gatimit si për shembull në Sallonin Ndërkombëtar të Shijes “Salone Internazionale del Gusto” në Torino para dy vjetëve. Edhe kjo darkë e shtruar në UNISG, në kuadrin e “Tavole gastronomiche”, është një tjetër vlerësim që i bëhet punës së tij. Vlera e së cilës shkon përtej një tryeze me gatime të mrekullueshme të servirura në mënyrë origjinale e plot fantazi. Me duart e tij të arta Altin Prenga hap një dritare mbi Shqipërinë, çon kudo aromën e shegëve e mushtit të Lezhës, sherebelit dhe qumështit Lëndinave të zonës, që vjen ende erë trëndelinë.
Keti Biçoku
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)