in

Një padre për Kavalierin

Duhet ta them se më vjen ndot që kryeministri miliarder që ua bënte intervistën e punës ministreve e këshilltareve të ardhshme përmes orgjive, të ngasë edhe aty ku ka shkuar, figurën e papërdhosur të një kleriku, shkrimtari e njeriu të lartë si Zef Pllumi.
Nga Alqi KOÇIKO

Në fillim të dhjetorit të kaluar, kaloi tangjent lajmi se libri monumental i at Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, do të botohej i përkthyer në italisht, me një parathënie nga vetë ish kryeministri Silvio Berluskoni. Personalisht nuk më ngacmoi shumë si lajm. I sfumuar politikisht dhe i dënuar ligjërisht, nuk do mend se Kavalieri tani ka më tepër kohë për t’u shfaqur në dimensione të tjera, mendova, dhe një ndër to është mecenati, ndihma zemërgjerë në lëmë të botimeve. Aq më tepër që ndihmën ja paskësh kërkuar vetë përkthyesja shqiptare Keda Kaceli. Ajo është mbesa e J. Kacelit, të pushkatuar nga regjimi komunist me “sebepin” e bombës në legatën sovjetike në vitin 1956, dhe kishte marrë të drejtën e botimit në Itali nga vetë padreja në të gjallë. Sigurisht, vura buzën në gaz asokohe kur vetë përkthyesja foli për gazetën Mapo sesi ngjau që takoi Berluskonin dhe çfarë bisede e shkurtër por vendimtare u konsumua. Në një takim me të rinjtë, Keda i foli Berluskonit për librin dhe ai i tha, vini re: “Sigurisht, kam dëgjuar që në moshë të mitur për komunizmin në shkollën e salezianëve, dhe që atëherë kam vendosur të luftoj kundër tij!” Këtu vajza përfitoi t’i kërkojë ndihmë për botimin, si dhe një parathënie nga d.v. Kavalieri. 

Ritmi i aktualitetit më bëri ta harroj këtë lajm, deri pak ditë më parë. Berluskoni rikthehet triumfalisht në senatin italian për promovimin e librit të padre Zefit, tashmë me titull “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare”. Jo vetëm kaq, por i shtypur në 12 milionë kopje, libri (sipas Kavalierit) synon të hyjë në çdo vatër italiane, për t’ua kujtuar atyre edepsëzëve se ç’ishte komunizmi, aq më keq varianti i tij albanez. Nënkuptohet, edhe vetë Silvio vjen në këtë rast me mantelin e një të përndjekuri të madh, këtë herë nga “të kuqtë” e drejtësisë italiane që e dënuan me të padrejtë dhe i morën erzin.

Unë nuk e di nëse do surprizohej padreja nga ky tirazh nëse do ishte gjallë, as sesa do gëzohej që libri i një kleriku të persekutuar katolik shqiptar gjen kaq jehonë në djepin e katoliçizmit botëror; nuk ka rastisur madje ta pyes padren në bisedën që pata fatin të kem me të, se ç’mendimi ka ai për Kavalierin. Por një keqpërdorim i tillë i Zef Pllumit dhe abuzim me emrin e tij nuk mund të na lërë indiferent. Është ashiqare që manjati manjak i përtejdetit, ky sheik i Apenineve, kërkon të bëjë makijazhin politik e publik të rradhës, dhe këtë herë i doli përpara libri i Zef Pllumit. Unë nuk e di se sa antikomunist e bëri Berluskonin shkolla e priftërinjve salezianë, dhe sa rol luajti antikomunizmi në lidhjet e ngushta të tij me carin post-komunist të Kremlinit që ende nderon Stalinin, apo me turli lloj diktatorësh dhe regjime autoritariste. Por më duhet ta them se më vjen ndoht që kryeministri miliarder që ua bënte intervistën e punës ministreve e këshilltareve të ardhshme përmes orgjive, të ngasë edhe aty ku ka shkuar, figurën e papërdhosur të një kleriku, shkrimtari e njeriu të lartë si Zef Pllumi. Një njeri që pjesa e shëndoshë e politikës dhe shoqërisë së vendit të vet i ka bërë dalje, po mundohet të hyjë nga dera e pasme duke përdorur lloj-lloj marifetesh, edhe emrin e padres.

Nuk është hera e parë e as e fundit, që emra të cilët nuk i kemi më mes nesh, të përdoren e keqpërdoren. Edhe ministria fashiste e Kulturës dhe Propagandës ka dashur të bëjë një film epik për Skënderbeun. Padyshim do dilte një film i madh, me fondet dhe mundësitë e pamata të Cinecita-së. Por rastisi që ishte viti 1942 dhe ngjarjet rrodhën shpejt; stafetën e morën 20 vjet më pas sovjetikët, dhe tashmë me sukses. Megjithatë, ndonjëherë është e kotë të ankohemi për të huajt (qofshin këta edhe kryeministra që i kërkojnë homologut shqiptar të sjellë me vete më shumë vajza të bukura), kur zullumqarët e parë jemi vetë. Fjala vjen, kuptohet se ç’peshë mund të ketë një çmim letrar “Zef Pllumi”, kur akordohet nga një bashki e vogël si Shëngjini, kryetari i së cilës së fundi akuzohet për falsifikim e shitje trojesh publike.

Ndërsa shkruaj këto rradhë, del lajmi se një nga sekretaret e Kavalierit kur ishte kryeministër, e mbiquajtura “zonja me të bardha” Federika Galiardi, është arrestuar nga aeroportin e Romës teksa kthehej nga Karakasi i Venezuelës, me 24 kg kokainë, që në treg do të kishte një vlerë prej 6,7 milionë eurosh. Galiardi u largua shpejt nga dritat e publicitetit rozë të Kavalierit, sepse të tjera vajza të talentuara dolën në skenë. Por ajo vijoi të ishte sekretare rajonale me rrogë të mirë në Romë, deri vitin e kaluar. Është naive të mendosh se Berluskoni mund të ketë gisht në këtë trafik, sepse s’ka nevojë. Por nën dritën e informacioneve të reja, edhe nëse Kavalieri është përzier, e ka bërë vetëm për të dëmtuar regjimin ultramajtist të Venezuelës.

Revista KLAN

Lexo edhe:
Berlusconi presenta Padre Zef Pllumi, il francescano perseguitato dal regime comunista in Albania
Parathënia përthyese
Vdis vetëm për me u tradhtue, ose Zef Pllumi në Lampeduza

Kultura e thashethemit kundër At Zef Pllumit 

Vepra penale e klandestinitetit. Dhoma e Deputetëve gati për ta shfuqizuar

Darka e Altin Prengës, sukses i kuzhinës shqiptare në Universitetin e shijes