in

“Darka e gabuar” e Kadaresë, kandidat për çmimin “The indipendent”

Kadare konkurron për të dytën herë për këtë çmim. Gjashtë titujt më të mirë do të shpallen më 11 prill ndërsa fituesi do të nderohet në Royal Institute of British Architects (Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë) në Londër, në muajin maj

Për të dytën herë një libër i Ismail Kadaresë është kandidat për çmimin letrar britanik “The Indipendent”. Janë 16 libra, në 13 gjuhë të ndryshme të botës, mes tyre edhe shqipja, ata që përbëjnë listën e gjatë të veprave më të mira të letërsisë së huaj të përkthyer në anglisht. Gjashtë titujt më të mirë do të shpallen më 11 prill ndërsa fituesi do të nderohet në Royal Institute of British Architects, në Londër, në muajin maj 2013.

Mes emrave të shquar të letërsisë botërore në këtë listë është dhe shkrimtari Ismail Kadare, fituesi i parë i çmimit “Man Booker International” 2005. Kësaj here ai është në garë me librin “The Fall of the Stone City” (“Darka e gabuar”, Onufri, 2009) përkthyer në anglisht nga John Hodgson. Ky libër ka pasur shumë vlerësime në shtypin britanik për Kadarenë, por edhe për cilësinë e përkthimit nga shqipja.

Darka e Gabuar, botimi anglez
Herën e parë të kandidimit Kadare kryesoi listën “The Independent” 2007 pothuaj deri në fund, me librin e suksesshëm “Pasardhësi”, përkthyer në anglisht prej frëngjishtes nga përkthyesi tjetër i Kadaresë, profesori i Princeton University, David Bellos.

Këtë vit, pjesë e listës është edhe nobelisti Orhan Pamuk me veprën “Silent House”. Juria përbëhet nga pesë personalitete të shquara të botës letrare, kryesuar nga editori letrar i gazetës “The Independent”, Boyd Tonkin. Në juri është gjithashtu edhe Gabriel Josipoviç, shkrimtarja dhe gazetarja e shquar turke Elif Shafak

The Independent Foreign Fiction Prize

I themeluar nga gazeta “The Indipendent”, më 1990-n si Çmimi i Letërsisë së Huaj, The Independent Foreign Fiction Prize, është i vetmi çmim i madh britanik që jepet për letërsinë e përkthyer në anglisht.

The Independent Foreign Prize nderon veprën letrare më të mirë të një autori bashkëkohor dhe është përkthyer në anglisht nga cilado gjuhë e botës dhe botuar në Britaninë e Madhe. Çmimi ka një vlerë 10.000 paund, shumë që ndahet në mënyrë të barabartë mes autorit dhe përkthyesit.

I vetmi fitues jo europian i këtij çmimi është Bao Ninh, me librin “The Sorrow of War”. Dy fitues të këtij çmimi  – José Saramago në vitin 1993 dhe fituesi inaugural Orhan Pamuk më 1990 – më pas janë nderuar me Nobel.

 

Ban Ki-Moon “OKB krah grave për t’i dhënë fund dhunës ndaj tyre”

8 marzo. Le nuove italiane regalano una mimosa al Milite Ignoto