in

Defekt në sistemin e Gjendjes Civile në Shqipëri, probleme në zyrat konsullore

Për dy ditë, kush shkoi në konsullatë për të tërhequr një certifikatë apo për të aplikuar për pasaportë, u kthye duarbosh. Konsulli Shkëmbi në Romë: “Për shkak të rënies së sistemit, ishte e pamundur të hynim në regjistrin elektronik të popullsisë të mërkurën e të enjten, e na vjen keq për telashet që u janë krijuar qytetarëve tanë. Dje lajmëruam të gjithë ata që kishin takim sot për të aplikuar për pasaporta, gjë që nuk mund të bënim më parë pasi prisnim që nga çasti në çast gjithçka të kthehej në normalitet”

Romë, 16 shkurt 2018 – Një problem me regjistrin elektronik të popullsisë, në të cilin bazohet puna në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile në Shqipëri, ka shkaktuar ndërprerjen e shërbimit të tyre. Shërbimi u ndërpre jo vetëm brenda vendit por edhe në të gjitha konsullatat shqiptare ku ofrohen shërbime si lëshimi i certifikatave dhe aplikime për pasaporta e letërnjoftime.

Problemi zgjati dy ditë, të mërkurën e të enjten, e duke qenë diçka e papritur, shumë qytetarë kanë shkuar pranë konsullatave e nuk kanë mbaruar punë. E nëse në Shqipëri zyra e Gjendjes Civile ndodhet në qytetin ku banon, në Itali, të interesuarve, shpesh edhe me fëmijë të vegjël me vete, u duhet të lënë një ditë punën, të marrin mjetet e të bëjnë edhe qindra kilometra për të shkuar pranë një sporteli konsullor. Ndaj problemi i krijuar është akoma më i madh, siç sinjalizuan në redaksi lexues që nuk mbaruan punë as pardje e as dje pranë konsullatave.

I kontaktuar nga Shqiptari i Italisë, konsulli i Shqipërisë në Romë, Rezar Shkëmbi, shpjegon: “Na vjen keq për qytetarët që u paraqitën e nuk mbaruan dot punë, por ishte e pamundur t’i paralajmëronim për mosfunksionimin e sistemit, për faktin e thjeshtë që askush nuk e dinte që do të ndodhte e as sa kohë do të duhej për riparimin e defektit. Edhe ne vetë konstatuam që sistemi nuk funksiononte e që e kishim të pamundur hyrjen në regjistrin elektronik të popullsisë, falë të cilit lëshojmë certifikatat e bëjmë aplikimet për pasaportë, vetëm të mërkurën në mëngjes, ndërkohë që qytetarët ishin para sportelit. Kontaktuam me autoritetet në Shqipëri e na u shpjegua që sistemi kishte defekt e po punohej për kthimin e situatës në normalitet. Por nuk kishim asnjë dijeni sa kohë do të duhej, ndaj nuk mund t’u thonim me siguri qytetarëve nëse do t’u duhej të prisnin pak orë apo disa ditë”.

Kush vendosi të mërkurën të priste një ditë në Romë, u zhgënjye, pasi edhe dje sistemi nuk funksionoi. Ndërkaq, duke qenë se në zyrën konsullore të Romës për sot kishte 25 qytetarë që kishin marrë takim në platformën ShKO për aplikim për pasaportë, këta u lajmëruan që të gjithë që të mos paraqiteshin.
Sot, më në fund, gjithçka është në rregull, sistemi funksionon normalisht, – vazhdon konsulli Shkëmbi – por dje, duke parë që defekti akoma nuk ishte riparuar, për të mos u hapur telashe një numri akoma më të madh qytetarësh, i lajmëruam, me email dhe telefon, që të gjithë ata që kishin marrë takim për sot, që të mos paraqiteshin. Shprehimisht u kemi thënë të vijnë kur t’u bëhet me mbarë nga java e ardhshme e më tutje, e do të kenë përparësi mbi të tjerët”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Bashkimi familjar, minimumi i të ardhurave të nevojshme për 2018-tën

17 shkurt 2008. Si përcillej Pavarësia e Kosovës në faqet e para të gazetave