in

Deklarimi i të ardhurave. Çfarë rrezikoj nëse nuk e paraqes?

Çfarë ndodh nëse nuk bëj deklarim të ardhurash? Apo nëse nuk i deklaroj të gjitha ç’kam fituar gjatë vitit?

Romë, 30 janar 2013 – Në Itali, ligji parashikon për çdo person që ka të ardhura nga punë e pavarur,apo e varur, detyrimin e deklarimit të përvitshëm të të ardhurave. Ky deklarim i bëhet shtetit, e paraqet përmbledhjen e të gjitha të ardhuave të fituara gjatë vitit pararendës. Për shembull, fitimet e vitit 2011 duheshin deklaruar gjatë vitit 2012, përmes modeleve të ndryshme 730 ose Unico 2012.

Në bazë të të ardhurave vjetore të deklaruara përllogaritet përqindja e caktuar nga ligji për tatimet. Sa më i madh është fitimi i dikujt, aq më e madhe është edhe shuma që personi i detyrohet shtetit. Sipas normave fiskale, vetëm kush nuk arrin të fitojë një shumë minimale (rreth 8 mijë euro) nuk ka detyrimin të paraqesë deklaratë të ardhurash.

Deklarata e të ardhurave, sipas tipit të modelit (730 ose Unico) dhe tipit të punës, paraqitet nga prilli në shtator. Por gjithsesi mund të paraqitet deri në fund të dhjetorit, kundrejt një gjobe të reduktuar. Por nëse nuk paraqitet deri në fund të vitit, shteti e konsideron të papërmbushur këtë detyrim.

E në rast se deklarimi i të ardhurave nuk bëhet, parashikohen sanksione administrative që rëndohen me kalimin e ditëve pas afatit. Për shembull, nëse deklarimi i të ardhurave bëhet me më shumë se 90 ditë nga data e afatit të fundit (pas muajit të dhjetorit)sanksioni është nga 120% në 240% të shumës së përgjithshme të tatimeve të detyruara shtetit, e sidoqoftë jo më pak se 258 euro. Nëse vonesa është më e shkurtër se 90 ditë, i interesuari mund të bëjë pagesën e tatimeve dhe të një sanksioni të reduktuar prej vetëm 25 eurosh (sipas dekretit legjislativ 471/1997).

Në disa raste,kur të ardhurat e fituara gjatë vitit të referimit janë shumë të larta, mosdeklarimi i të ardhurave përbën vepër penale, e ndëshkueshme me heqje lirie nga një vit e gjashtë muaj deri në pesë vjet. Dënohen penalisht ata që nuk deklarojnë të ardhura bruto mbi 77.468,53 € përveç mosdeklarimit apo mos-derdhjes së IVA-s (tatimit mbi vlerën e shtuar) për shuma mbi 50.000,00 €. Dënohet gjithashtu edhe kush shkatërron, fsheh dokumentet kontabël, ashtu si edhe kush bën deklarime të pavërteta apo të sajuara, përmes përdorimit të faturave të rreme apo të dokumenteve të tjera të paqena, vepër penale e njohur si “frode” (sipas dekretit legjislativ 74/2000).

Maria Elena Arguello

Samir Ujkani vesh fanellën e Chievos

Regjistrimi në shkollë. Për fëmijët e klandestinëve, kërkesa paraqitet dorazi