in

Dekreti i flukseve 2019. Nis përgatitja e kërkesave online

Nga ora 9 e ditës së sotme janë online formularët për të kërkuar një kuotë të dekretit të flukseve. Mund të përpilohen që tani në portalin e ministrisë së Brendshme, por për nisjet duhet pritur 16 apo 24 prilli sipas llojit të autorizimit që kërkohet

 

Romë, 11 prill 2019 – Nga ora 9.00 janë vënë në dispozicion të të interesuarve modulet dhe sistemi për përpilimin e  kërkesave për një kuotë të flukseve 2019. Gjenden në Sportelin Unik për Imigracionin (SUI) online në adresën https://nullaostalavoro.dlci.interno.it. Mund të përpilohen e të ruhen aty e më pas të nisen gjithnjë përmes internetit nga ora 9.00 e 16 prillit nëse është fjala për kërkesa për punonjës josezonalë, të pavarur dhe konvertime; nga ora 9:00 e 24 prillit nëse kërkohen nulla-osta për punonjësit sezonalë. Kërkesat mund të nisen deri më 31 dhjetor 2019 dhe do të shqyrtohen në rendin kronologjik të nisjes së tyre.

Formularët 

Formularët që duhen përdorur sipas tipit të kërkesës që paraqitet janë: 

Formularët A dhe B për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punonjësit me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;

Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve që kanë marrë pjesë në projekte speciale;

Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;

Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;

Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;

Formulari C-STAG për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve sezonalë.

SPID

Duhet mbajtur parasysh që ndryshe nga vitet e shkuara, nga 15 marsi 2019 në sistemin e Sportelit unik https://nullaostalavoro.dlci.interno.it mund të hyhet vetëm përmes kodit identifikues SPID. Kjo do të thotë që para se të niset procedura për flukset, punëdhëniësi (në rastet kur kërkohet kuotë për punë të varur sezonale e jo sezonale) apo i interesuari (në rastin e konvertimeve) duhet të jenë të pajisur me kodin identifikues SPID. 

SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital është kod identifikues digjital (përdorues e fjalëkalim) që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular. Ky kod mund të kërkohet në adresën https://www.spid.gov.it/.

Përveç kësaj risie për t’u futur në sistem, modulet dhe mënyra e përpilimit të tyre janë të njëjta me ato të viteve të shkuara dhe në fazën e përpilimit dhe të nisjes së kërkesave, të interesuarit mund të gjejnë asistencë përmes shërbimit Help Desk duke shkuar në lidhjen “Help Desk” që gjendet në faqen e parë Sistemit SUI në dispozicion të të gjithë përdoruesve të regjistruar. 

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe: 
Dekreti i Flukseve 2019, teksti në Gazetën Zyrtare
Mbërrin dekreti i flukseve 2019. Autorizon 30.850 ardhje dhe konvertime

Mbërrin dekreti i flukseve 2019. Autorizon 30.850 ardhje dhe konvertime

Omaggio a Aleksandër Peçi