in

Dekreti i flukseve 2019. Përgjigjet e pyetjeve të lexuesve

Me këtë shkrim përpiqemi t’u vijmë në ndihmë lexuesve që kërkojnë të dinë më shumë rreth flukseve, duke u mbështetur në informacionin që jep portali qeveritar Integrazionemigranti.gov.it si dhe duke përmbledhur në pak rreshta çka kemi shkruar edhe këto ditë mbi flukset 2019

 

Si vihet në Itali për punë? 

Për të ardhur në Itali për punë, në përgjithësi, duhet të përfitohet një kuotë hyrjeje në kuadrin e dekretit të flukseve, dekret vjetor që përcakton  numrin maksimal të qytetarëve të huaj që mund të hyjnë në Itali për punë të varur sezonale e jo sezonale, apo për të hapur aktivitet privat.
Janë të paktë profesionistët që mund të vijnë në Itali pa pritur shpalljen e dekretit të flukseve, por sidoqoftë edhe për këta nevojitet një ofertë pune nga një ndërmarrje italiane.

Si mund të përfitohet nga dekreti i flukseve 2019?  

Për të përfituar një kuotë hyrjeje apo konvertimi nga dekreti i flukseve 2019 nevojitet që para së gjithash një punëdhënës, italian apo i huaj rezident në Itali, të paraqsë kërkesë për një autorizim për punësimin e një punonjësi jokomunitar. Kërkesat paraqiten online në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it, duke filluar: 

Nga ora 9:00 e 16 prillit 2019 për punonjësit josezonalë dhe konvertimet 
Nga ora 9:00 e 24 prillit për punonjësit sezonalë. 

Përsa u përket kuotave për sipërmarrës, të interesuarit duhet të konsultojnë portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane për procedurën e marrjes së vizës së hyrjes për punë të pavarur. 

Çfarë është kodi SPID

Ministria e Brendshme ka sqaruar që nga 15 marsi 2019 edhe në sistemin e Sportelit Unik https://nullaostalavoro.dlci.interno.it, qoftë qytetarët qoftë ndërmarrjet mund të hyjnë vetëm përmes kodit identifikues SPID. SPID – Sistem Publik i Identitetit Digjital është kod identifikues digjital (përdorues e fjalëkalim) që lejon hyrjen në të gjitha shërbimet online të Administratës Publike italiane qoftë nga kompjuter, nga tablet apo celular. 

Kjo do të thotë që para se të niset procedura për flukset, punëdhëniësi (në rastet kur kërkohet kuotë për punë të varur sezonale e jo sezonale) apo i interesuari (në rastin e konvertimeve) duhet të jenë të pajisur me kodin identifikues SPID. 

Për të aktivizuar kodin identifikues SPID duhet të jesh në moshë madhore dhe të regjistrohesh në një nga provider-at e autorizuar – aktualisht janë 8 provider që ofrojnë shërbime të ndryshme, falas ose me pagesë – të renditur në portalin e Agjencisë për Italinë Digjitale (Agid). Për regjistrimin nevojiten: një adresë e-mail, një numër telefoni celular, një dokument identiteti i vlefshëm (kartë identiteti, pasaportë, patentë apo lejeqëndrim) dhe karta shëndetësore me kodin fiskal.

Pasi futen të dhënat personale dhe krijohet SPID, kalohet në fazën e identifikimit, që bëhet fizikisht (duke shkuar në një zyrë postare ose në një degë të provider-it) ose virtualisht (për shembullme një ëebcamapo përmes firmës digjitale) siç shpjegojnë edhe videot e përgatitura nga Agid. Procedura mbaron me lëshimin e identitetit digjital, sipas kohës së pritjes së parashikuar nga secili provider.

SPID ka tre nivele sigurie: i pari lejon përfitimin e shërbimeve online duke futur vetëm emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin; i dyti kërkon edhe një kod të përkohshëm hyrjeje, i ashtuquajturi “one time password”; i treti (që nuk është akoma në dispozicion parashikon një suport fizik për identifikimin si një kartë Smart. 

Për shërbimet online të Sportelit Unik për Imigracionin të Ministrisë së Brendshme mjafton një SPID i nivelit të parë. 

Në cilët sektorë është i mundur punësimi i punonjësve sezonalë? 

Mund të lidhet kontratë pune me karakter sezonal vetëm në sektorin e bujqësisë dhe të turizmit-hotelerisë. Praktikisht duhet të jenë sektorë për të cilët aplikohet një nga kontratat kolektive të punës që përfshihen në formularët e kërkesës për punë sezonale të pranishëm në portalin e ministrisë së Brendshme. 

Deri kur mund të paraqiten kërkesa punësimi apo konvertimi? 

Kërkesat mund të paraqiten deri në 31 dhjetor 2019. Do të shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes, dhe nëse kërkesa është e saktë e ka kuota në dispozicion, punëdhënësi do të thirret pranëë Sportelit Unik për Imigracionin për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Nëse nuk ka më kuota në dispozicion, kërkesa hidhet poshtë. 

Gjithnjë në potalin e ministrisë së Brendshme në adresën https://nullaostalavoro.dlci.interno.it, pasi hyhet me të njëjtat kredenciale me të cilat është paraqitur kërkesa, mund të kontrollohet ecuria e praktikës pranë Sportelit Unik për Imigracionin.

Kush mund të paraqesë kërkesë punësimi? 

Kërkesa paraqitet nga një punëdhënës italian apo i huaj me qëndrim të rregullt në Itali për një punonjës jokomunitar akoma rezident jashtë Italisë. Punëdhënësi mund të paraqesë kërkesën duke ndjekur procedurën online personalisht apo me ndihmën e patronateve dhe enteve që falë marrëveshjeve me qeverinë italiane kanë të drejtën të kryejnë të gjithë praktikën në emër të punëdhënësve.

Pas regjistrimit në portal, punëdhënësi duhet të përpilojë një formular të posaçëm sipas llojit të hyrjes për punë që i intereson e më pas ta nisë.

Cilët janë formularët për paraqitjen e kërkesave? 

Sipas tipit të kërkesës që paraqitet, formularët që duhen përdorur janë këta: 

Formularët A dhe B për punonjësit me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve që kanë marrë pjesë në projekte speciale;
Formulari C-STAG për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve sezonalë;
Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;
Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur.

Sa duhet pritur për të pasur autorizimin e hyrjes për punë sezonale? 

Autorizimi (nulla-osta) i hyrjes duhet të lëshohet nga Sporteli Unik për Imigracionin brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Nga viti 2012 është në fuqi një procedurë e lehtësuat “heshtje-miratim” sipas së cilës kur Sporteli Unik, me kalimin e 20 ditëve, nuk i komunikon punëdhënësit hedhjen poshtë të kërkesës, kjo e fundit nënkuptohet se është pranuar nëse përmbushen kriteret e mëposhtme:
– kërkesa është për një të huaj që është autorizuar edhe vitin pararendës të kryejë punë sezonale pranë të njëjtit punëdhënës që po e kërkonkëtë radhë;
– vitin pararendës, punonjësi sezonal është punësuar rregullisht e më pas është kthyer në atdhe me skadimin e lejes së qëndrimit.
Që të përfitohet nga kjo procedurë e lehtësuar nevojitet ama që punëdhënësi të specifikojë në fushën e posaçme të formularit C-STAG të dhënat e vitit pararendës që kanë të bëjnë me komunikimin e detyrueshëm të punësimit të punonjësit dhe ato të lejes së qëndrimit.

Nulla osta për punë sezonale ka vlerë nga 20 ditë deri në maksimumi 9 muaj që nisin nga data e nënshkrimit të kontratës së qëndrimit. Gjatë kësaj periudhe është e mundur edhe të ndërrohet punëdhënës, mjaft që edhe marrëdhënia e re të jetë sezonale. 

Çfarë është lejeqëndrimi shumëvjeçar për punë sezonale?

Teksti unik për imigracionin parashikon mundësinë që të kërkohet një lejeqëndrim tre vjeçar, gjithnjë për punë sezonale, në rast se punonjësi ka hyrë në Itali për punë sezonale të paktën një herë në pesë vjetët e fundit. 

Nuk nevojitet që kërkesa për autorizim shumëvjeçar të paraqitet nga i njëjti punëdhënës që e kish punësuar më parë.
Një nga të mirat kryesore të lejes shumëvjeçare është që i lejon punonjësit sezonal hyrjen në Itali vitin pasardhës pavarësisht shpalljes së dekretit të flukseve. Kërkesa e punësimit në rastin e lejes sezonale shumëvjeçare pas vitit të parë mund të bëhet edhe nga kushdo punëdhënës, jo vetëm ai që mori autorizimin trevjeçar të punës sezonale.

Dekreti i flukseve 2019 u rezervon 2.000 kuota kërkesave për autorizime pune sezonale shumëvjeçare. 

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Omaggio a Aleksandër Peçi

Dekreti i flukseve 2019, një mundësi për t’u pajisur me lejeqëndrim për punë të varur