in

Dekreti i flukseve. Nis paraqitja e kërkesave online

Prej dy javësh kërkesat përpilohen e ruhen në portalin e ministrisë së Brendshme ku hyhet me SPID.  Nga mëngjesi i 27 janarit mund të nisen kërkesat për punë të varur, të pavarur e konvertime

Romë, 26 janar 2022 – Më në fund mbërrin dita e parë e mundshme për paraqitjen e kërkesave online për të përfituar një nga rreth 27.700 kuotat e vëna në dispozicion nga dekreti i flukseve për ardhjen e punonësve të huaj për punë të varur josezonale, për punë të pavarur dhe për konvertime.

Prej dy javësh të interesuarit kanë pasur mundësi të hyjnë në portalin e ministrisë së prendshme https://nullaostalavoro.dlci.interno.it përmes kodit identifikues SPID, të përmbushin formularët e kërkesave dhe t’i ruajnë ata. Në pritje të të ashtuquajturave “click day” për t’i nisur. Më saktësisht:

– nga 9:00 e 27 janarit mund të nisin kërkesat e tyre punëdhënësit që duan të punësojnë për punë të varur josezonale persona të huaj rezidentë jashtë Italisë dhe qytetarët e huaj që duan të hapin aktivitet privat apo të konvertojnë lejet e qëndrimit (gjithsej 27.700 kuota);
– nga ora 9:00 e 1 shkurtit nisen kërkesat e punëdhënësve që duan të sjellin punonjës të huaj për punë sezonale në sektorët e bujqësisë dhe turizmit (42.000 kuota të vëna në dispozicion).

Ndryshe nga vitet e fundit, këtë radhë mund të aplikohet për të përfituar një kuotë deri më 17 mars 2022 dhe kërkesat do të trajtohen në rendin kronologjik të paraqitjes.

Formularët që duhen përdorur sipas tipit të kërkesës që paraqitet janë: 

Formulari C për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve sezonalë;

Formulari A për kërkesa emërore autorizimesh për bashkëpunëtorë shtëpiakë të rezervuara për shtetas me origjinë italiane;

Formulari B për kërkesa emërore autorizimesh për punë të varur të rezervuara për punonjësit me origjinë italiane;

Formulari B2020 për kërkesat emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve të varur josezonalë në sektorët e autotransportit, të ndërtimit dhe të turizmit

Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve që kanë marrë pjesë në projekte speciale;

Formulari LS për kërkesa autorizimesh për punë të varur për të huaj me leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;

Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;

Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;

Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;

69.700 kuotat e dekretit të flukseve 2022

Kuotat e hyrjeve për punë jo sezonale

Nga 27.700 kuotat për punë të varur jo sezonale e autonome, në sektorët e autotransportit të mallrave, të ndërtimit dhe turizmit (hotele dhe restorante)

– 20.000 kuota rezervohen për punësime për qytetarë vendesh që kanë nënshkruar apo po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për migrimin e ligjshëm:

  • 17 mijë rezervohen për punonjës që janë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Algjerisë, Bangladeshit, Koresë, Bregut të Fildishtë, Egjiptit, El Salvadorit, Etiopisë, Filipineve, Gambias, Ganësa, Japonisë, Indisë, Malit, Marokut, Mauritiusit, Moldovës, Nigerit, Nigerisë, Pakistanit, Senegalit, Sri Lankës, Sudanit, Tunizisë dhe Ukrainës.
  • 3 mijë të tjerat mbeten në dispozicion për qytetarë të vendeve me të cilat do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mbi migrimin gjatë vitit.

– 100 kuota janë për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;

– 100 kuota hyrjeje rezervohen për punonjës me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Venezuelë;

 500 kuota për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të ngrenë në Itali një sipërmarrje Start-up apo të hapin një aktivitet privat duke investuar jo më pak se 500.000 € e që parashikon hapjen e të paktën 3 vendeve të reja pune, për profesionistë të pavarur, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.

Konvertimet

Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:

– 4.400  lejeqëndrimeve për punë sezonale;

– 2.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

– 200 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;

Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur i:

– 370 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;

– 30 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.

Kuotat e hyrjeve për punë sezonale

Dekreti parashikon 42.000 kuota për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik.

Edhe këto kuota janë për punonjësit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Bengali, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Salvadori Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.

14.000 prej këtyre kuotave, vetëm për sektorin e bujqësisë, të mund të kërkohen në emër të punëdhënësve nga organizatat profesionale të kategorisë: Cia, Coldiretti, Confagricoltura, Copagri, Alleanza delle cooperative (përfshin Lega cooperative dhe Confcooperative). 

Së fundi, 1.000 nga 42 mijë kuotat u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare, me fjalë të tjera, punonjësve që janë thirrur për të bërë punë sezonale në Itali, të paktën njëherë në pesë vjetët e fundit dhe për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare. Kjo do t’u lejojë ndërmarrjeve t’i sjellin në Itali vitet e ardhshme sapo të kenë nevojë për ta, pa pritur një dekret fluksesh.

Dekreti i flukseve 2022. Nga sot përpilimi online i kërkesave

Dekreti i flukseve. Nga sot paraqiten kërkesat për punonjësit sezonalë