in

Dekreti që përmban sanatoren mbërrin në Gazetën Zyrtare

Hyn në fuqi më 9 gusht ‘dekreti i sanksioneve’ që sjell në fuqi dënime më të rënda për familje e sipërmarrje që marrin në punë imigrantë me qëndrim të parregullt, por edhe mundësinë për t’u shpëtuar gjobave e dënimeve dhe për të legalizuar punonjësit duke paraqitur për ta deklaratë legalizimi nga 15 shtatori deri më 15 tetor. Lejeqëndrim edhe punonjësve ‘veçanërisht’ të shfrytëzuar që padisin punëdhënësin

Romë, 26 korrik 2012 – Sanksione më të rënda për ata që u japin punë imigrantëve të parregullt dhe mundësia për të huajt e shfrytëzuar rëndë të denoncojnë shfrytëzuesit e tyre e të marrin një leje qëndrimi për motive humanitare. Por edhe një shans për familje e ndërmarrje që kanë marrë në punë klandestinë të vetëdenoncohen për të legalizuar marrëdhënien e punës për të shmangur sanksionet e për t’u dhënë mundësinë punonjësve të marrin lejen e qëndrimit.

Të gjitha këto në dekretin legjislativ të 16 korrikut 2012, nr. 109, “Aktualizim i direktivës 2009/52/BE që sjell normat minimale lidhur me sanksionet e masat ndaj punëdhënësve që marrin në punë punonjës të vendeve të treta pa qëndrim të rregullt”. I botuar më 25 korrik në Gazetën Zyrtare, do të hyjë në fuqi më 9 gusht.

Shtrëngim rripash për punëdhënësit

Edhe sot, në Itali, t’i japësh punë një të huaji që nuk ka leje qëndrimi të vlefshme është prej kohësh vepër penale e ndëshkuar nga Teksti unik për imigracionin me arrestim nga 6 muaj deri në 3 vjet dhe me gjobë prej 5.000 eurosh për çdo punonjës të punësuar. Këtij ndëshkimi i shtohen edhe sanksionet administrative për shkeljen e detyrimeve në rrogë, taksa e kontribute. Për punonjësin e huaj parashikohet dëbimi.

Dekreti i qeverisë i sapobotuar ashpërson dënimet. Parashikon që të gjithë ata që janë dënuar (edhe jo përfundimisht) për këtë vepër penale nuk do të mund të sjellin në Itali punonjës të huaj me flukset, pra përjashtohen nga e drejta e përfitimit të kuotave. Për më tepër, duhet të paguajnë një gjobë të re sa “kostoja mesatare e riatdhesimit të punonjësit të huaj të marrë në punë në mënyrë të parregullt” (që do të përcaktohet me një dekret ndërministror), parà që do të shërbejnë për të financuar riatdhesimet, por edhe projektet për integrimin.

Ministria e Punës duhet të kryejë kontrolle “të përshtatshme dhe efikase” në sektorët më me rrezik dhe t’i japë çdo vit rezultatet Komisionit Europian. Nëse zbulohen marrëdhënie pune të parregullta, do të supozohet (deri sa të provohet e kundërta) që zgjasin prej të paktën tre muajsh, për përllogaritur diferencat në rrogë, taksa dhe kontribute të papaguara që punëdhënësi duhet të derdhë.

Shfrytëzim i rëndë? Lejeqëndrim për ata që padisin

Shtohet një rrethanë rënduese për rastet e shfrytëzimit të veçantë të punonjësve të huaj të parregullt. Dënimet rriten me një të tretën deri me gjysmën nëse punonjësit e parregullt janë më shumë se tre, nëse janë të mitur me moshë nën 16 vjeç ose nëse detyrohen të punojnë në “kushte rreziku të rëndë”, duke mbajtur parasysh “karakteristikat e detyrave që kryhen dhe kushtet e punës”.

Dhe vetëm në këto raste të fundit, me propozim ose me mendim të favorshëm të Prokurorisë, nëse punonjësi do të padisë punëdhënësin dhe do të bashkëpunojë gjatë procesit, ai do të mund të marrë një leje qëndrimi për motive humanitare. Do të zgjasë gjashtë muaj dhe do të mund të konvertohet në leje qëndrimi për punë nëse ndërkaq i huaji gjen një tjetër punësim, këtë herë, natyrisht të rregullt.

Kjo procedurë do të mund t’u aplikohet, për shembull, imigrantëve të punësuar në bujqësi në kushte çnjerëzore, të keqpaguar e skllevër të ‘kaporalëve’. Punonjës si ata që u rebeluan në Rosarno, për të cituar një prej rasteve më të bujshme që pati vëmendjen e mediave. Janë të shumtë, por sidoqoftë përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të emigrantëve të parregullt.

Sanatoria

Janë shumë herë më të shumtë në numër bashkëpunëtorët shtëpiakë, punëtorët, muratorët  e të tjerë punonjës që edhe pse “jo aq shumë” të shfrytëzuar, sidoqoftë punojnë në të zezë sepse nuk kanë lejen e qëndrimit. Edhe për këtë kategori të gjerë, e ky është lajmi më i shumëpritur, mbërrin një brez shpëtimi që përmbahet në nenin 5 të dekretit me titull “Dispozita kalimtare”: ndërmarrjet e familjet që punësojnë të huaj të parregullt do të mund të shmangin sanksionet duke paraqitur një deklaratë legalizimi të marrëdhënies së punës nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2012.

Punëdhënësit do të duhet të paguajnë një kontribut forfetar prej 1.000 eurosh dhe kur të thirren për të nënshkruar kontratën e qëndrimit, duhet të tregojnë edhe që kanë paguar të paktën gjashtë muajt e fundit të rrogës, taksave dhe të kontributeve.

Punonjësve, që duhet të tregojnë se jetojnë në Itali prej të paktën 31 dhjetorit 2011, do t’u lëshohet jeta e qëndrimit për punë.

Shqiptariiitalise.com ka paradhënë aspektet kryesore të procedurës së sanatores e do të vazhdojë ta ndjekë në çdo hap, rregullore të re, e qarkore të mundshme mbi mënyrat e paraqitjes së kërkesës, të ardhurat minimale të kërkuara për punëdhënësit. Do të gjeni gjithçka në “Speciale Sanatoria 2012”.

Gjyqi Hoxha-Kadare, dorëshkrimi t’i dorëzohet arkivit të shtetit

Në Londër 2012 për medaljen e parë olimpike