in

Demokracia shqiptare me dy diktatorë/3

Nga At  Zef  Pllumi, qershor 2004

3. Në vend të konkluzionit

Në vjeshtën e vjetit 2003 ma kapi nji paralizë kambën e djathtë. Nji mjek i Tiranës më këshilloi me shkue në Itali për nji operacion që ende nuk mund kryhej në Shqipni. Me pritesë të madhe u paraqita në konsullatën e Shkodrës, që tashma njifej. Tre muej rresht vazhdova me u paraqitë aty me gjithfarë dokumentash origjinale të vertetueme me vulat e noterisë e të përkthyeme ku dojshin ata vetë dhe mbasi dikur iu mbush mendja se nuk ishem arab e as kinez, i shtinë në nji dosje të vogël rreth njiqind faqesh, ku provohej kjartë se ishem prift katolik shqiptar. Atëherë më porositën me u dukë aty mbas tre muejsh tjerë. Ndërkaq dimni kishte fillue e të ftohtit po vazhdonte me ma ngri kambën. I mërzitun i shkrova nji politikani holandez, i cili më dërgoi garancinë menjiherë dhe mbas ndonji dite që e dorzova në ambasadën holandeze në Tiranë, mora vizën “Shengen”. M’erdhi keq për politikanët italianë që ende nuk e kishin kuptue se shqiptarët për me hî në Europë nuk kanë vetëm derën e Italisë, por edhe nja njizet të tjera aty mbrapa.

Kur shkova në Romë, me anë të disa françeskanve ia dola me u shtrue në klinikën e famëshme “Gemelli” aty ku shtrohet Papa. N’atë pavijon gjeta nji amerikan që thirrej Keneth. Ishte i madh hata, me paralizë totale. Kur dojshin me e lëvizë nga kurrizi në njanën brí për me i bâ gjylpanën, mblidheshin dy-tre doktora, tre-katër infermjera e po aq pastruesa e shërbyesa. Nji ditë u thashë:

– A e shifni se për me lëvizë Amerikën duhet me u bashkue e gjithë Europa?!…

– Prej nga je?… – më pyetën.

– Prej Shqipnie…

– Nga se vuen?…

– Kam të paralizueme kambën e djathtë.

– Sëmundja ma e zakontë e gjithë Europës… Duhet të përpiqesh me hecë me kambën e majtë.

– Zotni të nderuem, më falni se po u thom kjartë se nieri për me hecë para, ka dy kambë, të djathtën e të majtën. A mi bani ju dy të majta?… A hecet me dy të majta?…

– Të japim paterica të majta…

– Mendoj se me dy kambë të majta do të hecet së prapthi… së paku kjo asht praktika historike…

Mbas dy javësh dola nga klinika “Gemelli” i përmirësuem 60 përqind. Fillova me hecë, por me dhimbje.

Mbas disa ditësh po më vjen në Romë me më pa miku i em, politikani holandez që më kishte lëshue garancinë:

– Uaaa… që kur nuk jemi pa!… që në vjetin 1997. Aso kohe Shqipnia buçiste bum… bum… bum!… Po sot si âsht, si vete, shka bâhet atje?…

– Shka bahet?… Shqipnia âsht paralizue mâ zi se un: me të dyja kambët, me të djathtën dhe të majtën… Nuk hecën as para as mbrapa… O zotni i nderuem, edhe sikur t’i kish të dyja kambët shëndosh, a hecet pa drita, pa rrugë, pa ujë, pa punë, pa sigurí, pa shkolla të rregullta, pa kurrgjâ që duhet?… Ç’e don sot atë vend?… Gjysa e popullit ka hikë dhe sikur ju Europa të na i hapshit kufijtë, do të hikte edhe gjysa tjetër e në Shqipní do të mbeteshin vetëm ministrat, deputetët, drejtorët e gratë e tyne si dhe gjyqtarët deri në  atë kohë që të ndrrohej vendi në nji kosh të madh plehnash për me qelbë e me helmue tanë Europën…

– Mirë, po ju shqiptarët a keni shtet, e a keni buxhet?…

– Kemi, po si jo!… Aty në letër… Në të vërtetë shteti rjepë, e buxhetin e shpenzon vetë!… O mik i dashtun, a e kupton apo jo, se ligjvensat tanë shqiptarë kanë njiqind herë mâ vështirsí se sa ju me i shkrue ligjet në terr?… Po përfaqsuesit e popullit tonë si mund takohen me elektoratin e me i kjá hallet popullit kur as nuk kanë rrugë për me u takue, as ujë me lagë gërmazin, as sigurí personale?… Zotni i nderuem, këto janë vështirësí të pallogaritshme, prandej nji deputet yni duhet të paguhet dhetë herë ma shum se nji profesor universiteti e njizet herë ma shum se nji nëpunës i zakonshëm. Gjyqtarët janë hesap në vedi se nuk mund i prekë kush për krimet që bâjnë… Ndërkaq drejtorat e stërdrejtorat administrojnë kët shtet kaq modern!… E si ka mundësi t’i paguej të gjithë këta populli i vorfën shqiptar?…

– O mik i mirë shqiptar, na, si Europë e Bashkueme, me fondet kombëtare e ndërkombëtare, kemi dhanë ndihma e kredí disa miliarda për dritat tueja, rrugët tuaja etj. Ku kanë shkue?

– Ku kanë shkue?… Çudi!… Pse më pëvetë mue e jo ata të cilve ua keni dhanë? Sigurisht nuk ka dyshim se rrugash janë shpenzue e rrush e kumbulla do të jenë bâ, mbasi jemi në epokën e konsumit… na prej jush e mësueme kët shprehje.

– Prej nesh keni mësue shum shprehje, por, si më duket, na e keni kalue!…

– E si jo?!… Sot për sot na kemi shkencën mâ të përparueme të botës!… Me Viktor Dodën dhe Andi Harasanin, me këta kemi mbërrijtë kulmin e përparimit!… Ndërsa ju sot përpiqeni me shkue ndër hyje të Marsit e Saturnit, ku deri tash nuk keni gjetë as bukë, as ujë, as ár, na kemi sulmue diellin. Ne energjinë e tij do ta shfrytzojmë deri në palc.

– A ban me e dijtë çfarë shpikjesh kanë bâ shkencëtarët tuej?…

– E si jo!… mjaft që mos të na i kopjojë Philips-i i juej. Viktori ka gjetë (çpikë) si me depozitue energjinë diellore dhe të nxetit e verës me e ruejtë tue fillue qysh vjet, simjet, sot nji vjetë e deri në vjetin 2020 për me e përdorue gjatë dimnit. Mjerisht këto depozita nuk i ndërtuem mbrenda territorit shtetnor, por vetëm në Mal të Zi, në Kosovë e Greqi, sepse nuk kishim tokë. Kështu energjia që prodhohet ndër hidrocentralet tona nuk shitet atje n’ato vende, por vetëm depozitohet, për me ua pa hajrin brez mbas brezi tue fillue qysh tash!…

– Këtë çpikje nuk e kuptoj, megjithkët, në rasë se më lejoni, do t’i sinjalizoj teknikët e Philipsit.

– Ndërkaq shkencëtari tjetër, Harasani, ka nxjerrë jashtë përdorimit të gjithë matësat e energjisë elektrike sepse janë nji shpenzim i kotë. Shkenca thotë se që të jetojë nji trup njeriut duhen 2800 kalorí, së paku. Për çdo familje duhen medoemos 15000 kalorí, prandej duhet bâ pagesa mesatare prej 5000 lekësh të reja nga çdo familje me katër persona për energjinë elektrike. Mâ shum e mâ pak aty âsht.

– Po sikur mos të ketë drita sa do të paguhet?…

– Ke studjue filozofinë? Drita dhe terri janë ekstremet e të njajtës rrugë (sot i thonë korridor). Të gjitha korridoret ndërkombëtare kanë tabelat: 100 km. 50 km. 20 km. 5 km. STOP. Kështu energjia elektrike kalon nëpër kto korridore me kuota të ndryshme, caktue nga lart… Kështu për shembull: Shkodra, zonë sizmike e P.S. Tabela STOP. Prandej Shkodra duhet të paguej terrin!…

– Pse të paguej terrin?!…

– Si?! Pse të paguej terrin?!… A e kupton se parimi filozofik socialist âsht ky: kush nuk âsht me mue, âsht kundra meje!… Drita e terri janë të barabartë, gëzojnë të njajtat të drejta: për kët mundesh me pëvetë pa frigë Shoqatat Jo Qeveritare të të Drejtave të Njeriut dhe atë të Helsinkit.

– Po kush i gjeti kta shkencëtarë kaq të mdhaj?! – pëveti holandezi.

– E kush tjetër mund i gjente përveç Fatosit gjenial i lauruem honoris causa ndër universitetet tueja të Harvardit e Oxfordit. Po sikur ta shofish kur jep leksione në katedrën e Universitetit të Tiranës me qypin e zi mbí krye e me atë dollamen doktorale… hajde, hajde… se Erazmi i juej i Roterdamit nuk i bjen as deri në gju!…

– Po atëherë, tue pasë shkencëtarë kaq të mdhaj, pse më ke thanë në fillim se Shqipnia âsht paralizue në të dyja kambët?… – tha holandezi.

– Ndigjo, or burrë i mirë. Populli shqiptar, si të gjithë popujt e tjerë të botës, bilè mâ zi, si puna e gomarit, e ka për nder me i hypë dikush në shpinë. Sa kje mbí te zotnia i vjetër e i vështirë, kurrkush nuk bani zâ as s’qiti shtjelma, bile ishte krenarë si kurrkush në botë.

Kur diq zotnia i madh djelmët e tij u kapën mes vedit e vazhdojnë me u kapë se cili duhet me i hypë gomarit…

– Leni shamatat e tyne!… çka thotë populli?…

– Populli?!… si popujt… gjatë historisë… U përça: gjysa mblidhen ndër pallatet ku vendoset fati e bërtasin “Fatos Nano… Nano… Nano…”. Ndërsa gjysa tjetër e mbetun jashtë pallateve del e bërtet në rrugë: “Sali Berisha… Sali Berisha…”. Të dy barabar si në kohën e Enverit!…

Hane Shan… hane Bagdad!… – thote populli ynë dikur… Kjoftë shkue e harrue!… Enveri dikur të pushkatonte, ndërsa djelmtë e tij të rrahin me shkop gome e me letra!… Ende nuk po e kuptojmë të mirën e të keqen!…

– O shqiptar i mirë, – m’u suell politikani holandez, – paçi vedin në qafë!… Na popujt nordikë thomi se: “viçat e marrë e zgjedhin vetë kasapin!…” Shqiptarë, zgjidhni e merrni: majtas, o djathtas, por mjaft që të ecni përpara!… Jo kurrë të paralizuem!… Pse të paralizueme?…

– Po ta tregoj un sepse isha aty që ditën e parë të ngjarjeve. Këta dy djelmoça, posa diq plaku u sulën me turr se kush me i hypë gomarit. Gomari i shkretë, që për gadi pesëdhetë vjet kish hjekë të zitë e ullinit nga plaku i çmendun e katil, nuk qiti shtjelma tue mendue se do t’i hipshin herë njani e herë tjetri. Ndërkaq ata i kërcyen të dy përnjiherit, u pështetën shpinë për shpinë, që mos i rrëxote kush tjetër, e njani lakun e djathtë të jullarit, e tjetri lakun e majtë, dhe vur e vur në kamxhik, njani i binte para e tjetri mbrapa e kështu gomari i shkretë nji hap para e nji hap mbrapa ngeci në vend tash katërmbëdhetë vjet, buzë greminës. Prej këtij gazepi gomari lëshoi nji britmë të madhe, të jashtzakonshme, si kurr ndonjiherë.

– Çka që bërtet ky?!…

Po ta përkthej vetë në shqip:

-Mjaft!… MJAFT!… Mjaft!…, o rrenacakë e gënjeshtarë, MJAFT!… sepse populli mundet me falë ata që e mundojnë, por jo kurrë ata që e rrejnë!…

Romë-Tiranë, maj-qershor 2004

Botuar në Bota Shqiptare nr. 110, 24 qershor 2004

Lexo edhe:

 

Eugert Zhupa çiklisti kampion që garon me fanellën kuqezi

Përcillet në banesë të fundit Ramiz Alia